Në pranga dy bashkëpunëtorët që plagosën me thikë 40-vjeçarin
Forcat e policisë kanë arrestuar dje në flagrancë 45-vjeçarin Geg Tuci, lindur në Mirditë dhe banues në Durrës dhe Pashk Ndrecën, 40 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Laç. Arrestimi i tyre u krye sepse, gjatë orëve të vona të së mërkurës, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në Rrugën e Kavajës, për motive të dobëta kanë qëlluar me mjete të forta, 40-vjeçarin Sami Gojda, i cili u dërgua menjëherë ne Spitalin Ushtarak Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes nga arritur grupi hetimor. U kryen veprimet hetimore e procedurale duke administruar të gjitha provat, ndërkohë që materialet e përpiluara në ngarkim të shtetasve të sipër cituar do t’i kalojnë prokurorisë.
Vodhën dyqanin, në pranga dy shokët
Forcat e policisë së Devollit kanë vënë në pranga 23-vjeçarin Artan Sino dhe 21-vjeçarin Alban Zerani, që të dy lindur dhe banues ne fshatin Miras. Forcat policore bëjnë me dijeni se ndalimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur gjashtë aparate amplifikatorë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale nga ana e policisë, që ishin pronë e rrjetit kabllor në Bilisht me pronar Nevrus Nezir Mersulin, lindur në Bilisht dhe banues në Tiranë. Nga ana e policisë janë kryer veprimet e nevojshme procedurale për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 134 dhe 25 të Kodit Penal. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.
8 Gusht 2009