Meta: “LSI-ja, e gatshme të ofrojë zgjidhje për shpëtimin e zgjedhjeve të 28 qershorit”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka deklaruar se gjatë vizitës së tij të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka konstatuar shqetësimin në rritje të Uashingtonit në lidhje me rrezikun që po u kanoset zgjedhjeve të 28 qershorit, si rezultat i ecurisë problematike të procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit. “Mund të vlerësoj, pas kësaj vizite, se ka një shqetësim në rritje edhe në Uashington lidhur me problemet e deritanishme që janë hasur përsa i takon një klime optimiste zgjedhore për arritjen e standardeve të kërkuara, kur në mënyrë të veçantë do të veçoja shqetësimin për rrezikun e humbjes së të drejtës së votës së shumë qytetarëve shqiptarë, për arsyen e procesit të vonuar dhe të vështirë për t’u realizuar me sukses, të prodhimit dhe të shpërndarjes së kartave të identitetit”, - tha Meta. Ai theksoi se LSI-ja është e gatshme të ofrojë zgjidhje për shpëtimin e zgjedhjeve nga dështimi. Meta tha gjithashtu se LSI-ja ka vullnet konstruktiv për të bashkëpunuar me maxhorancën dhe me gjithë forcat e tjera opozitare, si dhe me faktorin ndërkombëtar për të siguruar zgjedhje sipas standardeve. “Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim unë dua dhe njëherë tjetër të konfirmoj vullnetin tonë konstruktiv për të bashkëpunuar me maxhorancën dhe me të gjitha forcat e tjera opozitare, me OSBE/ODIHR-in dhe faktorin ndërkombëtar, me shoqërinë civile që merret me të drejtat e njeriut, zgjedhjet dhe demokracinë në Shqipëri, në mënyrë që të mos e dështojmë procesin zgjedhor të 28 qershorit. Sepse, një dështim i zgjedhjeve të 28 qershorit do të ishte një fatalitet për demokracinë shqiptare, do të ishte një turp i madh për të gjithë kombin tonë, do të ishte dhe një njollë që do t’i vinim aleancës më të madhe të lirisë, asaj të NATO-s, e cila na pranoi vetëm pak ditë më parë. Ndaj, në këtë drejtim, ne kërkojmë nga të gjitha forcat politike të mos tallen më me zgjedhjet në Shqipërisë, sikurse kanë bërë deri tani. Është përgjegjësi e tyre situata aktuale, të cilën ne e paralajmëruam qëkur ata talleshin me Kodin Zgjedhor dhe situata e sotme është produkt i atij kodi të papërgjegjshëm dhe jotransparent, i cili u vonua jo më kot, por qëllimisht për gati dy vite nga ata që e bënë. Pavarësisht nga të gjitha këto, është momenti që koha që ka mbetur deri më 28 qershor të përdoret dhe të investohet për të arritur standardet, dhe jo për të shkatërruar procesin”, - tha Meta.
20 Prill 2009