E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndot ambientin, u jep 200 USD banorëve që të heshtin

Banorët rreth fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë kanë marrë një vit rrogë mujore për tymin që thithin. Banorët ankohen se gjatë natës fabrika punon, ndërsa gjatë ditës e ndërpret punën dhe tymi që nxjerr oxhaku i saj mund të dallohet vetëm në orët e para të mëngjesit. Këtë tym e thithin banorët e fshatit Zall, të cilët deri para pak muajsh nuk ankoheshin, sepse merrnin një rrogë mujore nga fabrika. Fillimisht nuk e besuam që një fabrikë serioze si ajo e çimentos në Fushë-Krujë të bënte gjëra të tilla. Shkuam të kërkonim një takim me drejtuesit e saj. Por që prej dy muajsh ata ndodhen jashtë Shqipërisë. Tymin e shohin të gjithë, tani që fabrika ka filluar përsëri të punojë. A i dëmton banorët e zonës rreth saj ky tym? A ndikon në cilësinë e ajrit procesi i prodhimit të çimentos? A shkakton probleme te banorët zhurma që shkakton kjo fabrikë?

Shkuam të merrnim një përgjigje në Ministrinë e Mjedisit, e cila miraton edhe lejen mjedisore. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Tom Therçaj, na konfirmoi se Ministria e Mjedisit nuk i bën asnjëherë analizat e ajrit. Ato, sipas zëdhënësit, i bën vetë fabrika në një institucion të specializuar dhe ua çon vetëm përgjigjen.

Pra, fabrika e mat vetë ndotjen dhe i del gjithmonë brenda parametrave normale. Tymi nuk qenka tym, por thjesht avull dhe fshatarët kot që ankohen.

"Fiks Fare" zbuloi dje një kontratë të fshehtë, që menaxheri i fabrikës së çimentos, Leon Hooper, dhe përfaqësuesi i familjeve që banojnë afër portës kryesore të fabrikës, Shkëlqim Ismaili, kishin firmosur me njëri-tjetrin.

Në këtë marrëveshje theksohet se të dyja palët kanë rënë dakord që 15 familjet të cilat merrnin nga një pagesë prej 200 dollarësh çdo muaj të bien dakord të zhvendosen.

Një pikë e rëndësishme e kësaj marrëveshjeje ishte fshehtësia.

Palët binin dakord që marrëveshja të mbahej e fshehtë dhe asnjë prej familjeve nuk do të shkaktonte probleme ndaj fabrikës. Pagesa mujore që ka filluar që në muajin maj 2008, do të tërhiqej pranë arkës së fabrikës së çimentos vetëm nga përfaqësuesi i familjeve, i cili duhet të paraqiste certifikatat familjare të atyre që banonin pranë portës së fabrikës.

Pra, nëse fabrika nuk e ndot ambientin, përse duhet të paguajë banorët që ndodhen pranë saj që ata të mos ankohen?

Banorët pa e ditur dëmin që shkaktohet në shëndetin e tyre pranojnë që të marrin nga 200 dollarë vetëm që të mos hapin gojën dhe të shpërngulen. Ndonëse fëmijët e tyre kanë filluar të vuajnë nga astma, ata kërkojnë që drejtuesit e fabrikës të respektojnë marrëveshjen që kanë nënshkruar në fshehtësi me ta.

Banorët u ankuan pikërisht në momentin kur drejtuesit e fabrikës ndërprenë shpërblimin e tyre për heshtjen. Ndërkohë që shteti mjaftohet me analizat që firma i bën vetë në laboratorët privatë që ajo zgjedh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›