E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikantët, drogë "falas" për nxënësit e shkollave

Nxënësit e shkollave, edhe po të mos kenë ndërmend t‘i provojnë substancat narkotike, tundohen nga metodat e fundit që përdorin trafikantët e drogave. Sipas një sondazhi të kryer nga psikologët e shkollave të mesme dhe nga rrjeti i ngritur për të bërë propagandë për sensibilizimin e nxënësve të shkollave, trafikantët qëndrojnë pas dyerve të shkollave dhe ofrojnë hashash falas për nxënësit. Herët e para këto substanca ofrohen falas, më pas ato tregtohen me çmimet normale që qarkullojnë në këtë "treg". Sipas përfundimeve të sondazhit, rreth 20% e të rinjve përdorin substanca narkotike dhe në këtë grup futen edhe ata që kanë provuar për kuriozitet, apo se janë ndodhur në një ambient ku rastësisht janë bërë pjesë e kësaj kategorie. Por, një problem edhe më i madh është rritja e përdoruesve të alkoolit dhe duhanit, produkte këto që mund të gjenden më lehtësisht dhe mund të sigurohen me më pak shpenzime. "Kohët e fundit po vërehet një rritje e nxënësve që provojnë substancat narkotike, janë rreth 20% e tyre që kanë provuar një herë ose konsumojnë droga. Ajo që vërehet janë ofertat që u bëhen nxënësve nga trafikantët, duke i servirur adoleshentëve që herët e para që provojnë substanca të mos paguajnë dhe të jetë falas", tha koordinatorja e projektit të sensibilizimit të nxënësve në shkolla, Ina Kasimati. Sipas saj, ka një tendencë në rritje të përdoruesve të drogave tashmë jo vetëm te të rinjtë, por edhe te nxënësit e shkollave. Konsumimi i drogave të lehta, si hashashi dhe marijuana nga nxënësit e shkollave të mesme, shënon një shifër afro 20%. Sipas shoqatës "Aksion plus", shumë problematike mbeten edhe nxënësit e shkollave të periferive dhe zonave informale. Para pak ditësh ka nisur një fushatë sensibilizimi në të gjitha gjimnazet e Tiranës apo shkollave të mesme profesionale. Kjo fushatë sensibilizuese do të vazhdojë në të gjitha shkollat e kryeqytetit, për t‘i bërë të rinjtë të reflektojnë për rrezikshmërinë e drogës. Sakaq, një pjesë e madhe e tyre e konsumojnë duhanin rregullisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›