E Shtunë, 31 Tetor 2026

MAKROEKONOMIA DHE BORXHI I FUNDIT PUBLIK

Këto ditë është shpallur lajmi se qeverisë shqiptare dhe posaçërisht Ministrisë së Financave i është akorduar një borxh i huaj publik prej 250 milionë dollarësh. Natyrisht, nuk është një gjest me të cilin qeveria duhet të mburret, kinse ajo është e preferuara e rajonit në raport me koston dhe termat e borxhit, pasi ashtu i thatë e pa shpjegime, një mburrje e tillë ngjan në llojin e vet me mburrjen e republikave të bananeve. Në fakt, preferenca e këtij financimi me borxh të huaj me terma tregtarë duket se qeveria ka qenë vetëm për shkaqe politike ndërkombëtare - pas hyrjes së Shqipërisë në NATO dhe, sidomos për përfundimin e rrugës Durrës-Kukës, një rrugë strategjike për bazën ushtarake të Ferizajt në Kosovë, si avanposti më i rëndësishëm ushtarak i SHBA përtej ish-perdes së hekurt në Ballkan. Por nga ana tjetër, marrja e një borxhi publik nuk është gjithmonë dhe në çdo situatë një veprim i gabuar, siç e reklamon opozita (dy janë mënyrat e balancimit të kursit të këmbimit lekë-valutë: me borxh të huaj publik ose ndërhyrja e BSH-së me rezerva). Në fakt, të dyja palët, mazhoranca dhe minoranca, nxituan për ta shfrytëzuar këtë rast, sikur veprimi është respektivisht tërësisht i bardhë ose i zi, pa bërë bilancin e tij të rëndësishëm për xhepat e ekonomisë shqiptare dhe të publikut, me ndershmëri dhe profesionalizëm. Në këtë analizë të shkurtër makroekonomike nuk do të futemi shumë në shifra, por do të flasim më tepër në këndvështrimin e përgjithshëm.

Ka kohë që opozita po u bie borive të një krize në Shqipëri, pa u thelluar shumë për karakteristikat dhe veçantitë e financave dhe ekonomisë reale shqiptare, por duke u nisur thjesht nga fakti i një krize të përgjithshme botërore financiaro-ekonomike me shpresën se ky ‘grip‘ do na vijë patjetër. E kam thënë edhe herë tjetër se, sipas meje, kriza botërore është një krizë deflacioniste subjektive e organizuar nga manjatët e mëdhenj financiarë të bankingut botëror për interesa kryesisht gjeostrategjike, sidomos për të frenuar zhvillimin e Rusisë nga përfitimet e mëdha të saj nëpërmjet tregut të vet energjetik. Pasi kuotimi në NYSE (New York Stock Exchange) i naftës u fry dhe pasi Rusia financoi me një përqindje të madhe borxhi perëndimor infrastrukturën e saj energjetike moderne, sot që ky çmim ka rënë gati 3 herë, Rusia nuk po kthen dot këstet e këtyre investimeve me borxh, e nisur nga hesapet e para mbi normën e kthimit mbi investim Për këtë, mjafton të shikoni një grup bankash ndërkombëtare me emër, të cilat po raportojnë fitime të mëdha çdo tremujor. Kriza amerikane në fillim i dha pasojat te sfera financiare, posaçërisht te sistemi i sëmurë i bankingut me zotërues të nivelit të dytë në fuqi dhe prestigj në këtë treg, i cili kishte kohë që punonte me një leverexh (leverage-biznes me burime të huajtura) shumë negativ, për shkak se bankat euforike të ndryshme, përveç borxhit të kapitalit depozitë nga individët dhe firmat e ndryshme të biznesit, morën shumë borxhe afatshkurtra dhe afatgjata tek Fed-i dhe tek bankat e mëdha të Morganëve, Rothchildëve, Rokfelerëve, të nxitur nga ekonomia dhe çmimi i stokut në bursat e Perëndimit që dukej se po shkonte kreshendo sipas shenjës demi.

Në ekonominë reale kriza financiare shenjat e para i dha tek financimi me hua i individëve në real estate - mortgage dhe, pastaj hap pas hapi, nga mungesa e likuiditeteve, virusi i dha pasojat në të gjithë ekonominë. Kur themi se tregu financiar është i përbotshëm dhe që funksionon çdo minutë, kemi parasysh jo vetëm aktivitetin ndërmjetësues midis bankave, por në radhë të parë, tregtimin në bursë jo vetëm me ndërmjetësuesit dhe ujdisësit e tyre, por nëpërmjet internetit. Publiku shqiptar nuk është i përfshirë me kursimet e veta në lojën me titujt financiarë në bursat e Perëndimit, kështu që portofoli i tyre në këtë drejtim nuk është tronditur ashtu siç ndodhi me individët në Perëndim, kryesisht me klientët e bursave amerikane dhe evropianë. Po kështu, sistemi bankar në Shqipëri dhe raporti i financimeve të biznesit dhe të shpenzimeve konsumatore me kredi bankare, është i vogël, as 30% të GDP, kur në vendet e tjera, kjo shifër është mbi dyfish. Gjithashtu, bankat e nivelit të dytë në Shqipëri janë të imunizuara dhe më të sigurta nga që depozitat, në krahasim me fondin e huajtur prej tyre tek kredimarrësit, janë në raport 1/3 dhe në këtë mënyrë ato nuk rrezikohen asfare nga ndonjë shtrëngim nga lart.

E vetmja pikë, e cila do të jepte një goditje mbi ekonominë dhe pastaj edhe një efekt mbi tregun monetar, është këndvështrimi i pjesshëm merkantilist, apo thënë ndryshe bilanci tregtar i Shqipërisë, dificiti i të cilit do të sillte mungesa financimi në valutë, çka do të sillte për shkak të kërkesë-ofertës, zhbalancim artificial të lekut, gjë që do të transmetohej në të gjitha nivelet e ekonomisë reale si dhe në tregun financiar. Dhe hapat e parë të këtij skenari kanë filluar të ndjehen prej 2-3 muajsh, kur pozicioni i këmbimit lek-valutë, filloi të tronditej. Shkaku: ulja e remitancave me një parashikim vjetor prej mbi 250 milionë dollarë. Pikërisht këtë sasi mungese të valutës në tregun e brendshëm, qeveria u përpoq ta plotësonte me borxh. Gjithashtu, me këtë sjellje, qeveria veproi me instrumente etatiste kejnsianiste për shmangien e rrezikut të sotëm në Perëndim (ashtu si edhe në krizën deflacioniste të 1929-ës) të mungesës së kërkesës për mallra, duke vepruar si një operator gjigant në ekonominë reale. Me këtë veprim, qeveria do të mund të kryejë një stabilitet afatshkurtër të lekut (meqenëse këtë veprim nuk ka mundur ta realizojë dot Banka e Shqipërisë me rezervat e veta valutore), do të ketë mundësi të financojë pjesët e pambuluara të investimit më të madh publik të këtyre 25 vjetëve, rrugën Durrës-Kukës, si dhe të shmangë efektet inflacioniste që mund të vijnë për shkak të rritjes së shpenzimeve të fondit të pagave të kategorive të ndryshme të punonjësve të administratës publike, nga rritja e fundit e tyre, si dhe nga rritja e ofertës së parasë në treg prej shpenzimeve elektorale, shpenzime që mund të kapin shifrën prej rreth 100 milionë dollarësh.

Në fakt, qeveria dhe Banka e Shqipërisë duhej ta shmangnin zhvlerësimin e lekut dhe zëvendësimin e mjeteve të nevojshme valutore nga ulja e oksigjenit të remitancave, nëpërmjet veprimeve fridmaniste apo monetariste. Pra të luftohej plaga me veprime energjike ligjore ndaj tregut monetar bankar të nivelit të dytë për të mos lejuar goditjen e nivelit të jetesës dhe ekonomisë reale shqiptare, për shkak të zhvlerësimit të lekut, nëpërmjet BSH-së. Qeveria lipsej të rriste kolateralet nëpërmjet legalizimeve, ndërsa BSH të ulte koston e financimit të individëve dhe bizneseve (apo edhe të titujve të bondeve të qeverisë), nëpërmjet uljes së kostos së këtij financimi nga dy masa: ulja e normës bazë të interesit dhe ulja, përkohësisht, e hapësirës (spread) midis normës së tij, normës së interesit të depozitave dhe normës së interesit të kredisë. Sot Shqipëria po sillet sikur kriza do të zgjasë 10 vjet dhe ajo mendon më shumë për kursime se sa për investime dhe shpenzime. Gjë që duhej të ishte e kundërta, të paktën për një periudhë rreth njëvjeçare. Ndaj thirrja e Berishës nga Davosi për kujdes me normën bazë të interesit (kundrejt Fullanit, i cili me të drejtë e uli fare pak normën bazë të interesit në janar) për të ngritur nivelin e depozitave të kursimit, ngjan me veprimin e një gjenerali që e ka luftën në prag, i cili u jep liridalje ushtarëve të vet, për të bërë qejf.

Rritja e kolateraleve nga legalizimet dhe ulja e çmimit të kredisë të paktën me 1/3, do ta mbante inflacionin në kufijtë e sotëm, edhe në se do të rritej financimi me kredi me rreth 200-300 milionë dollarë, gjë që do të stabilizonte lekun, do të rriste kërkesën konsumatore dhe investimet: pra do të realizonte të gjitha qëllimet e qeverisë me ekonominë reale dhe stabilitetin e lekut me veprime monetariste, pa e zhbalancuar borxhin publik të Shqipërisë. Pra, në këtë mënyrë do të ngopej edhe deficiti tregtar dhe nuk do të ndjehej kriza. Por me sa duket qeveria dhe mazhoranca janë të prirura nga veprimet etatiste, duke rritur borxhin publik, edhe pse ky borxh është në kufijtë e nën 5% të GDP-së. Gjithashtu, me këto veprime, BSH hermetizon nga çdo risk tregun monetar, tamam si një person i cili thotë se nuk do të dalë nga shtëpia pasi mund të marrë grip, gjë e cila nuk e lë ekonominë të ecë shpenguar dhe kështu bankierët janë më të sigurt në financimet më të pakta, tek individët dhe bizneset më të sigurta, por me një kosto të lartë të borxhit për shqiptarët.

Ata nuk e diversifikojnë kredinë në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe nuk rriskojnë shumë me klientë të rinj që dëshirojnë financimin e xhepit të tyre me borxh. Madje financimi i kredive duhet nxitur me valutë, që të ngopet tregu i këmbimit valutor me të dhe nga fakti se libori dhe euribori janë të ulët. Gjithashtu, në këtë kohë është me rrezik edhe rrjedhja e valutës së individëve dhe operatorëve shqiptarë apo të huaj të tregut të brendshëm monetary shqiptar, drejt bankave mëmë, jashtë veprimeve normale të aktivitetit të një banke të nivelit të dytë me klientët e saj. Ky është një rrezik të cilin duhet ta luftojë me nisma ligjore qeveria dhe Banka e Shqipërisë. Duke e mbyllur, ju duhet thënë shqiptarëve, se përveç ndonjë pasoje objektive, fatin e xhepit të tyre e kanë si për mirë ashtu edhe për keq, dy njerëz në dorë: Berisha dhe Fullani.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›