E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndotja, Ministria e Mjedisit përjashton nga monitorimi zonat rurale dhe industriale

Specialisti Agron Deliu: Institucionet nuk bashkëpunojnë për eliminimin e ndotjes

Ndotja e mjedisit, edhe pse mund të konsiderohet si nja nga problemet kryesore që ka vendi ynë, nuk merret asnjë masë nga institucionet dhe përkatësisht nga Ministria e Mjedisit, për të eliminuar sadopak ndotjen që shkaktohet. Ministria e Mjedisit, pak kohë më parë i ka hequr të drejtën Institutit të Shëndetit Publik për të bërë monitorimin në qytetin e Tiranës dhe atë të Elbasanit, me pretekstin se do ti monitoronte vetë këto dy qytete, por deri më sot

nuk është bërë publike asnjë monitorim. Por përveç këtyre dy qyteteve, nga kjo ministri janë tre zona që nuk monitorohen asnjëherë për cilësinë e ajrit dhe kjo sipas specialistëve të ISHP është tepër problematike. Kontaktuar nga gazeta specialisti i Institutit të Shëndetit Publik, Agron Delia, ka pohuar se shifrat për ndotjen e ajrit nuk po ulet, por po pësojnë rritje nga viti në vit. Shifrat për ndotjen e ajrit nuk janë në ulje por në rritje. Një tjetër problem janë edhe zonat e pakontrolluara siç janë ato rurale, zonat ndërkufitare, dhe zonat më problematike janë ato industriale, që të tria këto zona nuk janë të mbuluara për të bërë monitorimin e ajrit, dhe nuk ka asnjë të dhënë . Nuk dihet se sa është përqindja e ndotjes së mjedisit në këto zona, pasi ministria e mjedisit asnjëherë nuk ka marrë mundimin të kujdeset për këto zona, ka pohuar për gazetën specialisti Agron Deliu. Ndër të tjera ai ka shtuar se nuk ka asnjë koordinim për eliminimi e ndotjes mes institucioneve siç është Bashkia e Tiranë, Ministria e Mjedisit, Ministria e Punëve Publike, Ministrisë së Shëndetësisë, por më kryesorja nuk ka një planë për eliminimin e ndotjes nga qeveria. Ne kemi bërë monitorime të ajrit në disa qytet dhe nga kjo kemi ven re se ndotja e ajrit është mbi normat e BE. Për këtë u dërgojmë na një raporte institucioneve përgjegjëse në mënyrë që të marrin masat, por asnjë nga këto institucione nuk ka marrë qoftë dhe një masë të vetme, përkundrazi kanë lejuar rritjen e ndotjes, pohon Deliu.

Studimi
Ndotja e ajrit në vendin tonë jo vetëm që nuk është reduktuar, por shifrat e monitorimit të kryer në 6 qytetet kryesore të vendit vazhdojnë të jenë të njëjtat. Ato rezultojnë të jenë trefish mbi normat e lejuara të Bashkimit Evropian dhe Tirana zë vendin e parë. Në raportin e fundit dërguar ministrisë së Shëndetësisë, departamenti i Mjedisit në ISHP shprehet i shqetësuar për rritjen e lartë të numrit të grimcave respiratore. Edhe këtë vit si çdo vit tjetër, ne e kemi monitoruar ajrin në 6 qytete, Tiranë, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Fier dhe Korçë. Vëmë re me keqardhje se nuk ka asnjë ndryshim sidomos në grimcat e respirueshme të cilat gjenden mbi normat e BE, kjo për faj të rrugëve të ndotura. Një tjetër parametër shqetësues që vihet re për herë të parë në monitorimin e ajrit është rritja e normës së BE për benzenin, gazi që lëshohet nga makinat në trafik, thotë specialisti i Institutit të Shëndetit Publik, Agron Delia. Sipas tij, ky gaz kancerogjen është një alarm për institucionet. Ne e kishim paralajmëruar këtë situatë, që benzeni kancerogjen dhe bioksidi i azotit të cilat çlirohen nga trafiku i makinave do të kapërcenin normat e lejuara të BE.

Monitorimi në ndërmarrje
Për herë të parë në vendin tonë do të kryhet matja e cilësisë së ajrit në ambientet e brendshme të ndërmarrjeve private. Bazuar në projektligjin e sapomiratuar në komisionin kuvendor të shëndetësisë, specialistët e shëndetit publik kanë të drejtë të monitorojnë ndërmarrjet e ndryshme për të parë ambientet e punës dhe kushtet që ofrojnë punëdhënësit, sa i sigurt është shëndeti i punëtorëve me të cilët ata kanë lidhur kontrata. Drejtori i departamentit të Mjedisit në Institutin e Shëndetit Publik, bëjnë me dije se, për këtë shkak janë blerë dhe 12 pajisjet e reja që do të shërbejnë për monitorimin e cilësisë së ajrit në të gjithë qarqet ku janë ngritur këto ndërmarrje. Monitorimi do të jetë i vazhdueshëm, jo vetëm për studime, sapo të kemi ankesa nga punëtorët, bashkë me mjekun e ndërmarrjes dhe kimistin do të shkojmë të masim cilësinë e ajrit, pohojnë burimet. Deri më sot specialistët e shëndetit publik nuk janë lejuar të kryejnë matje në ndërmarrjet private përveç se në rastet e veçanta kur kanë ndodhur aksidente me pasojë vdekje. Në Shqipëri prej vitesh janë ngritur dhe operojnë pothuajse në të gjithë vendin linja prodhimi si këpucë, veshje etj. Por siguria e punonjësve të këtyre ndërmarrjeve asnjëherë nuk është mësuar pasi vetë ISHP nuk ka statistika të sakta të sëmundshmërisë së punëtorëve, si pasojë e ajrit të ndotu.

Liri Mëhalla

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›