Thoma Miço: Gjatë 2010, pritet rritje e papunësisë në vend
Drejtori i këtij institucioni, Thoma Miço, në analizën vjetore deklaroi se fluksit të të papunëve po i shtohen dhe emigrantët e kthyer nga shtetet fqinje, Italia e Greqia. Presim një rritje të numrit të të papunëve në vend dhe këtu përfshihen dhe emigrantët e kthyer. Mund të themi se në sportelet e zyrave tona rajonale të punësimit janë regjistruar 90 emigrantë në rrethet Tiranë, Korçë dhe Shkodër. Këta janë kryesisht punëtorë ose pa profesion. Këta kthehen nga emigrimi në Itali e Greqi. Mendojmë se numri i tyre është më i madh, por, pavarësisht se nuk paraqiten në zyrën e Punësimit, për tu regjistruar si të papunë, pohoi gjatë analizës Miço. Gjatë analizës u theksua se problem për punësimin mbetet mosha e madhe e punëkërkuesve të papunë dhe mungesa e arsimimit të tyre. Sipas të dhënave të zyrave rajonale të punësimit, rreth 31 për qind e tyre janë mbi 45 vjeç dhe niveli arsimor i ulët mbi 53 për qind raportojnë se kanë vetëm arsimin 8 vjeçar. Aktualisht numri i punëkërkuesve në Shqipëri është 10047 persona të cilët përfituan gjatë vitit 2009 pagesën e papunësisë. Por, ky numër po vjen gjithnjë e në rritje e për këtë arsye, një nga prioritetet e 2010 është punësimi i 11500 personave. Sipas të dhënave të ministrisë së punës, në Shqipëri numërohen mbi 140 mijë persona të papunë çka ka rritur nivelin e papunësisë në vend në 13 për qind. Megjithatë, gjatë analizës u bë me dije se së shpejti, për të gjithë punëkërkuesit do të hyjë në funksion dhe punësimi online, i cili do të shtrihet në qarqet kryesore të vendit. Një faktor negativ gjatë vitit 2010 për vendin tonë do të jetë dhe shtimi i emigrantëve të huaj në Shqipëri, që do të thotë më pak mundësi punë për një shqiptarë.