E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja akustike, Policia Bashkiake mbyll klubet e natës edhe në periferi



Emanuela Sako

Aksioni ndaj lokaleve të kryeqytetit që ushtronin aktivitetin pas orës 23.00 të natës, ka bërë që një pjesë e tyre të mbyllen dhe penalizohen. Duke marrë shkas nga shqetësimet dhe ankesat e banorëve dhe qytetarëve për nivelin e lartë të zhurmave që shkaktojnë lokalet dhe baret që ushtrojnë aktivitetin e tyre në orët e vona të natës, Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Drejtorinë e Tatim-taksave pranë Bashkisë së Tiranës si dhe me mbështetjen e Policisë së Rendit, ka ndërmarrë një aksion për gjobitjen dhe mbylljen e disa lokaleve.
Aksioni është shtrirë në të gjithë kryeqytetin (brenda dhe jashtë Unazës), por kryesisht në zonën e ish-Bllokut, si një zonë mjaft e frekuentuar dhe ka zgjatur nga ora 23.00 e mbrëmjes e deri në orët e para të mëngjesit. Kjo është hera e tretë që Brenda një kohe të shkurtër janë marrë masa të rrepta ndaj lokaleve dhe bareve që shqetësojnë qytetarët.
Aksioni
Qëllimi i këtij aksioni nga Policia Bashkiake e kryeqytetit dhe strukturat që e mbështesin ishte mbyllja e aktivitetit pas orës 23.00 e mbrëmjes e lokaleve. Një pjesë e këtyre kanë rezultuar pa dokumentacion të rregullt dhe për më tepër shkaktojnë shqetësim tek qytetarët. Sipas Bashkisë së Tiranës, aksioni do të vijojë edhe në ditët në vijim. Zhurmat e larta të shkaktuara nga lokalet, kanë bërë që dhjetëra qytetarë të drejtojnë ankesa pranë Ministrisë së Mjedisit për parandalimin e këtij fenomeni. Zhurmat e vazhdueshme pas orës 23:00 të mbrëmjes kanë shkaktuar probleme të mëdha tek qytetarët, të cilët kanë kërkuar zbatimin e ligjit. Ndotja akustike mbetet për qytetarët e Tiranës problemi më i madh për një jetesë normale. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik sqarojnë se sipas ligjit niveli i zhurmave duhet të jetë në masën 45 decibel, por realisht ajo tejkalohet 2 deri në 3 herë mbi normën e lejuar nga Komuniteti Europian.
Rastet
Pak ditë më parë, të paktën 41 lokale nate në Tiranë janë ndëshkuar me masa administrative, me gjobë dhe me pezullim të aktivitetit, për zhurmën e lartë që shkaktojnë dhe që përbën një problem shqetësues për qytetarët që banojnë pranë tyre. Specialistët e Agjencisë Rajonale të Mjedisit, kryen inspektime në lokalet e kryeqytetit që shkaktojnë ndotje akustike dhe prishin qetësinë publike pas orës 23.00. Ata vendosën masa me gjobë për 12 lokale në kryeqytet, nga 30 mijë deri në 50 mijë. Ndërsa, masa për pezullimin e kryerjes së aktivitetit deri në shlyerjen e gjobës u ndërmor për 29 lokale të tjerë.

Regjistrimi pacientëve, mjekët e familjes dalin në terren

Rreth 1600 mjekët e familjes në të gjithë vendin kanë dalë në terren për të kontaktuar me pacientët e tyre. Pas përfundimit të takimeve me pacientët, të dhënat e mbledhura nga ky depistim do të përpunohen nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, që është edhe kontraktuesi i 414 qendrave shëndetësore ku operojnë mjekët e familjes. Ky është depistim i parë në rang kombëtar dhe do t’i shërbejë ISKSH-së jo vetëm për të evidentuar sëmundshmërinë, por edhe për shpërndarjen e pagave, e cila bëhet në bazë të numrit të banorëve që mbulon një mjek. Por depistimi që po kryhet nga ISKSH do të shërbejë dhe për njohjen dhe orientimin e pacientëve drejt mjekut të familjes. Aktualisht depistimi ka përfunduar në rreth 80 % të qendrave shëndetësore në të gjithë vendin. Të dhënat e tij të përpunuara pritet të jenë gati në fund të këtij viti.

12 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›