Sinjal i keq për Kuzhen, Suedia kërkon me çdo çmim fitoren
Kombëtarja shqiptare humbi 2-1 miqësoren me Grojther Fyrth, skuadër e Bundesligës 2 gjermane, në një ndeshje të ndjekur vetëm nga 330 shikues. Pas fitores 2-0 me amatorët e FC Hasloh, golat u shënuan nga Klodian Duro e Besart Berisha, humbja 2-1 me skuadrën e vendit të gjashtë në Bundesligën e dytë gjermane, mund të konsiderohet një dush i ftohtë përpara sfidës së nxehtë me Suedinë, më 14 tetor.
BOGDANI
Sulmuesi kryesor i Shqipërisë, Erjon Bogdani i dha avantazhin e përkohshëm kuqezinjve tanë në minutën e 11-të, por pas vetëm dhjetë minutash lojë, kapiteni i Grojther Fyrthit, Marino Biliskov vendosi ekuilibrat në lojë në minutën e 21-të. Nikolaj Myler i mbylli në minutën e 37-të llogaritë e ndeshjes që përfundoi 2-1 në favor të Grojther Furthit. Trajneri i Shqipërisë, Kuzhe dhe kolegu i tij i skuadrës kundërshtare bënë shumë ndërrime.
PROBLEME
Sipas asaj që shkruajnë mediat gjermane, Shqipëria ishte në fushë, vetmë në minutat e para, kur u realizua edhe goli i të zakonshmit Erjon Bogdani (11’), më pas komandën e mori ekipi vendas, Grojther Fyrth. Madje faqja zyrtare e klubit gjerman lëshon edhe një akuze: “Bogdani ishte në pozicion të qartë jashtë loje”. Kundërshtarët tanë “miqësorë’ shënuan një gol me kokë nga nga një goditje standarde (Biliskov në minutën e 21-të), ndërkohë që dhe goli i dytë, ai i Mylerit, erdhi pas një goditje nga këndi. Çka tregon se mbrojtja shqiptare ka probleme në mbrojtje dhe kjo përbën një paralajmërim të qartë edhe për ndeshjen kundër Suedisë, që nga ana e saj synon të shënojë sa më shumë kundër nesh nëe “Rasunda Stadium”. Në pjesën e dytë, Kuzhe bëri shumë ndryshime, por që nuk prodhuan asnjë gol tjetër. Trajneri i Grojther Fyrth, Beno Mëhleman, e konsideroi fitoren e ekipit të të tij “të merituar”. “Ishte një test i mirë për ne në këtë ndërprerje të kampionatit (gjerman”, - citohet ai nga faqja zyrtare e klubit.
UJKANI
“Kundër Suedisë duhet të bëjmë lojën tonë dhe të japim maksimumin. Si gjithmonë, duhet të kemi shumë kujdes, sepse përpara është një kundërshtar i fortë! Nuk mendoj se ne nuk kemi çfarë humbim dhe kjo është një arsye që mund të na bëjë më të qetë. Përkundrazi, neve na duhet të marrim një rezultat pozitiv, i cili vlen për kualifikimet e edicionit të ardhshëm. Ky mendoj se është objektivi ynë i parë dhe jemi shumë të motivuar për ta arritur”, - tha portieri 21-vjeçar i Shqipërisë, Samir Ujkani, i cili pritet të jetë titullar ndaj Sueisë, ashtu siç ishte midis katër shtyllave edhe në barazimin 1-1 kundër Danimarkës në “Qemal Stafa”.
SKELA
Kapiteni i Shqipërisë, Ervin Skela, u vëzhgua në këtë takim nga trajneri i 1860 Mynshenit, Evald Lienen. Shqipëria do të përballet të mërkurën e ardhshme me Suedinë, ndeshja e fundit në eliminatoret e Kampionatit Botëror, ku nga rezultati i ndeshjes do të varet edhe pozicioni i Kombëtares sonë, në vendin e katërt apo të pestë. Për momentin, përfaqësuesja jonë është në vazon e katërt, por ndihet e rrezikuar nga ndjekësja më e afërt, Qipro, pavarësisht se kuqezinjtë kanë një avantazh prej 10 mijë pikësh ndaj qipriotëve në renditjen evropiane. Suedia humbi 1-0 kundër Danimarkës në përballjen direkte, duke i komplikuar shumë pozitat e saj për një vend në finalet e Botërorit.
Danimarka prenoton Afrikën e Jugut
Danimarka fitoi 1-0 derbin skandinave me Suedinë e Ibrahimoviçit, duke pronotuar një vend për në finalet e Kampionatit Botëror. Skuadra e drejtuar nga Morten Olsen konsolidoi pozitat në vendin e parë në grup, pasi tashmë kryeson grupin tonë, me 21 pikë, 6 më shumë se Suedia, kur kanë mbetur vetëm një takim për t’u luajtur.
Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Jakob Poulsen në mirnën e 79-të, danezi realizoi me një goditje të ulët brenda zonës, duke mos i lënë asnjë shans portierit suedez Andreas Isakson. Suedia shënoi një gol me anë të Henrik Larsonit, por pozicioni i tij u konsiderua jashtë loje. Danimarka nuk ka humbur asnjë takim të eliminatoreve të Kupës së Botës në “Parken Stadium”, qysh nga viti 1981. Danimarka arrin për herë të katërt në finalet e një Botërori, dhe për herë të parë në një kompeticion të madh, qysh nga finalet e Kampionatit Europian 2004. Suedia ka vetëm një shans, të fitojë me Shqipërinë dhe me një golaverazh të thellë.
12 Tetor 2009