Arjola: “Amerika joshëse, por Shqipëria më mungon”
Cilësohet si një nga bukuroshet e sportit në vendin tonë. Është e zonja sidomos kur shënon pikë edhe me anë të shërbimeve të saj. Quhet Arjola Prenga ka fituar shumë tituj me skuadrën e famshme te Dinamos. Kur Arjola luan është e vështirë mos ta dallosh. Është e vetmja që bën diferencën në skuadër. Jo vetëm një shutere e mirë por edhe një organizatore nëse skuadra e saj ka nevojë, me pak fjalë është e kudo ndodhur për ekipin e saj. 23-vjeçarja bionde nuk ka se si të jetë ndryshe kur është rritur në një familje sportistësh dhe me një motër e cila ka lënë dhe vazhdon të lërë gjurmë në volejbollin ndërkombëtar si Amarilda Prenga. Këtë ka ndërmend të bëjë dhe motra e saj e vogël Adelajda, e cila që tani mund të cilësohet një talent. “Volejbolli është një traditë familjare. Babai i ka pas luajtur futboll. Mami im volejboll, Amarilda, ka ndikuar shumë. Dhe nga po ky pasion është ndikuar edhe motra ime e vogël, Adelajda, e cila aktivizohet me ekipin e UMB-së”, - thotë ajo. Arjola tashmë prej pak muajsh mbron ngjyrat e skuadrës amerikane “Kant State”.
Arjola pas një përvoje të gjatë në Shqipëri, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës në volejbollin amerikan. Si po e përjetoni këtë eksperiencë të re?
Ka kaluar pak kohë që jam në Shtetet e Bashkuara dhe tani ndihem mirë. Mund të them me plot gojë që është një eksperiencë e bukur. Jam këtu prej disa muajsh, dhe po ja dal siç duhet. Kam mësuar shumë gjëra me skuadrën “Kant State” dhe kam arritur të njoh nivelin e volejbollit amerikan. Është një kampionat i bukur, ka grintë dhe nerva. Më duhet të përballoj edhe mentalitetin e mënyrës se si luhet atje. Është shumë bukur. Është diçka ndryshe nga Shqipëria. Një eksperiencë tërësisht e re. Do të më vlejë shumë. Dua ta vazhdoj sa më gjatë.
Si u prit në fillim një shqiptare në skuadër, pasi ju pas Rubena Sukos, jeni e dyta shqiptare që militoni në kampionatin Amerikan?
U prita mirë, me thënë të drejtën. Erdha me një këmbëngulje të universitetit, dhe drejtuesve të tij. Kisha dëgjuar që ka një skuadër të mirë volejbolli, dhe doja të provoja veten. Më pas më joshën edhe studimet këtu. Kant State ëshgtë një universitet me traditë, dhe mjaft i mirë për tu diplomuar. Përjetova një gjë shumë të çuditshme kur u prezantova në skuadër. Nuk mund të them se nuk më njihte njeri, më njihnin të gjithë. E di çfarë kishte ndodhur. Kishin gjetur disa kaseta të miat të disa ndeshjeve me kombëtaren. Ata më njihnin nëpërmjet kasetave, ishte një gjë e mrekullueshme kur hyra për herë të parë në pallatin e sportit të universitetit dhe të gjithë më thanë ‘mirëserdhe Prenga’. Drejtuesit e skuadrës kishin kërkuar edhe në internet diçka rreth meje. Ajo që më pëlqeu më tepër këtu është fakti që sapo filloi kampionati unë, mora dhe titullin si volejbollistja më e mirë e javës ishte një gjë e mrekullueshme.
Si e përjetoni momentet kur zgjidheni si volejbollistja më e mirë e javës në SHBA?
Shumë mirë. Këtu të gjithë i dëshirojnë këto vlerësime. Madje vlerësimet kanë shkuar edhe më tej. Me skuadrën time kam fituar edhe turne. “Mizimo Open” ishte një prej turneve që fituam ne “shqiponjat” e Kant State. Është bukur kur kam përsëri shqiponjën simbolin tonë edhe këtu. Ishte hera e parë që skuadra fitoi një turne të tillë. Nuk dua të tregohem modeste por mendoj se isha një nga personazhet më të rëndësishëm të skuadrës sime në atë turne. Këtu ka volejbolliste me nivel mjaft të lartë, dhe mes tyre vlerësohem edhe unë është fantastike.
Ku qëndron ndryshimi i volejbollit shqiptar nga ai Amerikan?
Ndryshimet janë të mëdha. Fillojnë që nga gjërat më elementare.
Ndryshimi fillon që nga përbërja e lojtarëve në fushë. Ekipi mund të ketë 20 lojtarë, dhe që të 20-ta janë pjesë e ekipit dhe me uniformë, ndërkohë që në Europë është numër i limituar, vetëm 12 lojtarë. Këtu në SHBA, lojtari i lirë s’ka të drejtë shërbimi, ndërsa ndërrimet në fushë janë pa limit për çdo set. Pra ndryshon shumë nga ajo që isha mësuar unë. Pushime teknike nuk ekzistojnë, domethënë nuk respektohet pika e 8 ose e 16 siç bëhet në Europë, dhe ajo që do ta quaja më e veçanta është se luhet shpejt. Duhet të jesh shumë e shpejtë, ndërsa skemat e veprimit janë shumë të larmishme.
Në Shqipëri keni marrë shumë trofe. Në SHBA sa mundësi keni që të keni një trofe?
Fatmirësisht kam qenë pjesë e ekipeve pretendente për trofe në shqipëri dhe çdo vit kam fituar trofe. Përsa i përket universitetit me të cilin aktivizohem, këtu ka shumë kompetcione dhe mundësi për të fituar trofe. Deri tani kemi fituar 3 turne, ndërkohë që në Konferncë, sic quhet kampionati këtu po paraqitemi shumë mirë pavarësisht se po ndeshemi me ekipe shumë të forta.
Cila është jeta juaj jashtë volejbollit, si e kaloni kohën e lirë?
Kohë të lirë ka pak, por jeta jashtë volejbollit ka një tjetër dimension. Si fillim pjesa më e madhe më shkon në dyert e universitetit, në librari, në klasë, e më pas, një kafe e vogël, me vajzat e skuadrës, ose ndonjë ëmbëlsirë.
Çfarë ju mungon nga Shqipëria?
Ushqimi këtu është skandal, nuk arrij të përshtatem me kuzhinën këtu. Pastaj nëse do bëja një listë se çfarë më mungon do ishte shumë e gjatë janë shumë gjëra. Por, familja dhe shoqëria ime zënë vendin e parë.
“Dua të imitoj veten”
“Nuk më pëlqen te ngjaj me asnjë përveç se me Arjola Prengën. Kjo është motoja ime. Volejbolli ka shumë femra të bukura. Është sport I cili kombinon shumë bukur edhe me fizikun e femrës, të mban gjallë dhe të them të drejtën të fale hijeshi. Por jo domosdoshmërisht duhet të jesh e bukur të gjuash të shënosh pikë apo të formosh një bllok”
Tartari e Koja, mësuesit Prengës
“Unë kam qenë më parë lojtare e Dinamos pasi aty jam stërvitur me trajnerët dhe specialistët më të mirë të volejbollit shqiptar, Kreshnik Tartari dhe Vangjel Koja. Në momentin që Dinamo në vitin 2007 më bleu ekipi i Tiranës dhe një vit më parë u aktivizova me ekipin privat të UMB(universiteti Marin Barleti”
Momenti më i bukur
“Momenti më i bukur ka qenë Ballkaniada në 2003 që u zhvillua në Durrës ku volejbolli shqiptar pas shumë vitesh arriti të ngjitej përsëri në pedane, mbas disa ndeshjesh shumë të bukura dhe u renditëm në vend të dytë”
Momenti më i keq
“Momenti më i keq që vazhdoj ta ndjej është shkrirja e legjendës së volejbollit “Dinamo” në 2007,pasi fituam edhe kampionatin. Më vjen shumë keq që ndodhi kështu, nuk mund të zhduket një skuadër që ka lënë gjurmë edhe në arenën ndërkombëtare”
12 Tetor 2009