SERBI LJUBISHA BROÇIÇ, KAMPIONI I MADH “SHQIPTAR”
Shqipëria gjatë gjithë historisë së futbollistike me Kombëtaren e madhe ka fituar vetëm dy trofe ndërkomëbëtarë, Kampionatin Ballkanik të vitit 1946, të organizuar në Tiranë, dhe turneun “Rothmans” të zhvilluar në Maltë në vitin 2000, kur trajner ishte Medin Zhega. Pikërisht në trofeun e parë të Shqipërisë, dha kontributin e tij serbi Ljubisha Broshiç, një nga teknikët më të mirë të Ballkanit e më gjërë, i cili gjatë karrierës së tij të gjatë, drejtoi disa nga klubet më të mëdha në botë, si Juventusi e Barcelona. “Në vitin 1946, kur u organizua Ballkaniada në Shqipëri erdhi Ljubisha Broçiç. Një trajner i apasionuar, shumë i zoti. Nga më të mëdhenjtë e Jugosllavisë. Më vonë ai ka drejtuar Juventusin, Barcelonën. Broçiç gjithmonë e ka thënë se në Shqipëri kishte gjetur një kontingjent të shkëlqyer lojtarësh. Portier Xhakomino Pozelli, Sllave Llambi, Loro Boriçi, Qamil Teliti, Bule Vathi, Pal Mirashi, Besim Fagu, Zihni Gjinali. Humbëm fatkeqësisht 3-2 me Jugosllavinë, por mundëm Bullgarinë (2-0) e Rumaninë (1-0). Pasi fitoi Kampionatin Ballkanik, me mbarimin e kontratës në krye të skuadrës erdhi Adem Karapici. Në vitin 1947-1948 u formua kampionati i Europës Qëndrore. Midis të ndeshjeve të tjera, fituam 1-0 në Rumani (2 maj 1948), dhe barazuam 0-0 me Jugosllavinë në Beograd (27 qershor1948). Isha student në Beograd. Vjen ekipi Kombëtar. Minella Kapo ishte përgjegjës i ekipit, i cili vlerësohet si babai i mjekësisë sportive në Shqipëri, pasi ishte themelues i Qëndrës së Mjekësisë Sportive. Në këtë takim luajti edhe Zihni Gjinali e Besim Fagu. Shqipëria bëri një ndeshje të jashtëzakonshme në stadiumin ‘Havala’ të Beogradit, në prani të 35 mijë shikuesve. Nuk merrej vesh se kush ishin jugosllavët dhe kush ne. Loro bëri një ndeshje të madhe. Mezi e markonin dy-tre lojtarë. Broçiç erdhi në hotel dha përgëzoi për lojën”, tregon Miço. “Broçiç tregoi dhe për Ballkaniadën, ku Shqipëria doli kampione. Nuk e fitova unë tha Broçiç, e fituat ju. Kishit një ekip të shkëlqyer. Lojtarët më të mirë të Europës”, - kujton Papadhopulli, i cili ka studiuar në Beograd.
HUNGAREZI MIKLOSH VADASH
Miklosh Vadash, i përmendur shpesh si një nga trajnerët e Kombëtares shqiptar (drejtoi në vitin 1953), çoi përfaqësuesen shqiptare me emrin “Përfaqësuesja e Rinisë së Tiranës” në Rumani (në një Festival të Rinisë e Studentëve në Bukuresht), Rusi e Poloni. Me Kombëtaren e “vërtetë” – siç shkruan Ismet Bellova – Vadashi luajti kundër Dinamos së Moskës (humbi 0-4, 22 gusht 1953), Zenitin e St.Petërsburgut (0-3, 26 gusht 1953) e Spartakun e Moskës (0-3, 30 gusht 1953). Gjithsesi, Miklosh Vadash ka fituar 2-0 kundër Polonisë, pikurisht, më 29 nëntor të vitit 1953, kur bashkëdrejtoi skuadrën me Myslim Allën.
RUMUNI ION BOLENSKU
Kontributin e tyre në zhvillimin e futbollit shqiptar e dhanë edhe hungarezi Miklosh Vadash e rumuni Ion Balanesku, ky i fundit vetëm në nivel klubi.
Trajnerët e huaj të Shqipërisë
Josip Kuzhe (kroat)
Nga 25.05.2009
Ari Han (holandez)
01.01.2008-15.04.2009
Oto Bariç (kroat)
01.07.2006 01.06.2007
Hans Peter Brigel (gjerman)
29.03.2003 30.05.2006
Xhuzepe Dosena (italian)
12.07.2002 16.12.2002
Nikolaj Ljushnikov (rus)
1957-1958
Miklos Vadas (hungarez)
29.11.1953
Ljubisha Broshiç (serb)
22.09.1946 13.10.1946
Si janë larguar trajnerët
e huaj nga Shqipëria
Vetëm dy nga katër trajnerët e huaj të punësuar në “epokën Duka”, gjermani Hans Peter Brigel (2002-2005) dhe kroati Oto Bariç (2006-2007) kanë mundur ta përfundojnë kontratën e tyre në drejtimin e Kombëtares, ndërsa nga dy të tjerët, italiani Xhuzepe Dosena (korrik-tetor 2007) e holandezi Ari Han (janar 2008-prill 2009), i pari e braktisi Shqipërinë, ndërkohë që i fundit u shkarkua. Aktualisht në detyrën e trajnerit të Kombëtares është kroati Josip Kuzhe. Shqipëria do të luajë të mërkurën e ardhshme kundër Suedisë.
DOSENA
Italiani Xhuzepe Dosena ishte dhe i pari në serinë e gjatë të trajnerëve të huaj të emëruar nga FSHF-ja, përmes presidentit Armand Duka. Dosena mbërriti në Shqipëri për të pasuar të shkarkuarin Sulejman Demollari, i fundit trajner shqiptar që ka drejtuar përfaqësuesen. Pa asnjë mundësi për ndeshje miqësore, Kombëtarja nën drejtimin e Dosenës barazoi me Zvicrën (1-1) në Tiranë dhe humbi në transfertë me Rusinë (4-1). Italiani u “arratis” pa lënë të paktën një letër lamtumire, ndërkohë që FSHF ia morri me gjyq një pjesë të parave që i kishte dhënë. Përpara se të merrte Shqipërinë, Dosena kishte drejtuar Ganën dhe kishte qenë ndihmës i Cezare Maldinit te Paraguai në Kupën Botës 2002. Mbahet mend si një “tradhtar” i besimit të FSHF-së.
BRIGEL
Gjermani Hans Peter Brigel, edhe pse pa ndonjë eksperiencë të madhe si trajner, arriti të vendoste shtatë rekorde me Shqipërinë, ku spikat numri 13 i pikëve të grumbulluara, gjë që nuk e ka arritur askush më parë, qoftë ky i huaj apo shqiptar. Brigeli e nisi me një fitore historike kundër Rusisë (3-1), por kulmi i tij ishte triumfi madhështor kundër kampiones së Europës, Greqisë (2-1). Solli një disiplinë taktike e frymë të jashtëzakonshme grupi te lojtarët e Kombëtares, por edhe prurje të reja. Fitoi edhe një mandat të dytë me përfaqësuesen, por në të tretin iu vunë kushte të papranueshme prej tij në kontratë. I larguar kokëlart e me respekt nga Shqipëria.
BARIÇ
Kroati Oto Bariç ishte një zgjedhje personale e Armand Dukës, dhe njëherësh nga më befasueset, pasi në kohën që “Oto Maximale” morri përfaqësuesen tonë ishte thuajse 74-vjeç, njëherësh edhe trajneri më i moshuar në botë, që drejtonte një ekip Kombëtar. Bariç do të mbahet më mend si “më i madhi” i trajnerëve që ka drejtuar ndonjëherë Shqipërinë, por edhe si më “revolucionari” pasi “plakushi” ishte i dashuruar me futbollistët e rinj dhe të talentuar. Dy ndeshje të mëdha me Bullgarinë e dy dinjitoze me Holandën, por me dy humbje të turpshme me Bjellorusinë e Rumaninë, e detyruan të jepte dorëheqjen, pa e përfunduar në kohë kontratën, por me ndeshje të përfunduara. Kishte pranuar në parim rinovimin, por nuk preferoi më bashkëpunimin pas humbjes me Rumaninë. Profesionist i madh, takticien i pagabueshëm.
HAN
I përzgjedhur me rekomandimin e avokatit të njohur shqiptaro-austriak Skënder Fani, presidenti Armand Duka ia imponoi zgjedhjen e holandezit “hokatar” Ari Han, Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. I mirëpaguar, 300 mijë euro kontratë, Hani nuk dëshmoi se e meritonte atë shumë të kripur për buxhetin e FSHF-së. Gjithsesi, dy barazimet e mëdha me Suedinë e Portugalinë, duket se kanë qenë më shumë pjesë e fatit dhe kontributit të lojtarëve se sa fryt i punës së tij. Edhe pse pjesë e Holandës së futbollit total nuk guxoi kurrë të luante në sulm, edhe pse luanim kundër Maltës. Shkarkimi i tij erdhi si presion popullor, por dhe mosrealizimit e objektivit kryesor, zënien e vendit të katërt. Hani tani është thjesht një kujtim që duhet harruar.
Të gjithë trajnerët
e Kombëtares
nga Broshiç te Kuzhe
Ljubisha Broshiç (serb)
Adem Karapici
Sllave Llambi
Ludovik Jakova
Myslim Alla
Miklosh Vadash (hungarez)
Loro Boriçi
Nikolaj Lushnikov (rus)
Zyber Konçi
Ilia Shuke
Shyqyri Rreli
Agron Sulaj
Bejkush Birçe
Agron Sulaj
Bejkush Birçe
Neptun Bajko
Astrit Hafizi
Medin Zhega
Sulejman Demollari
Xhuzepe Dosena (italian)
Hans Peter Brigel (gjerman)
Oto Bariç (kroat)
Ari Han (holandez)
Josip Kuzhe (kroat)
12 Tetor 2009