Ndotja akustike, ngrihet Task-Forca në Fier
Qetësia dhe eliminimi i ndotjes akustike për mbarvajtjen e sezonit turistik kanë qenë shtyllat kryesore të dikskutimit të Prefektit të qarkut të Fierit me përfaqësues të pushtetit vendor.
Gjatë një mbledhje të organizuar, prefekti i Fierit, Berti Bitri, ka krijuar task-forcen për ruajtjen e qetësisë publike dhe menaxhimin e zhurmave, sidomos në zonat turistike dhe bregdetare, por edhe në qendra te banuara.
Sipas prefektit Bitri kjo task-forcë do të luajë një rol të rëndësishëm jo vetëm gjatë kësaj periudhe, por edhe përgjatë gjithë vitit.
Ky takim erdhi menjëherë pasi ministri i Brendshëm, Flamur Noka, organizoi një takim me të gjitha njësitë vendore lidhur me zbërthimin e Aktit Normativ për “Krijimin e Task-Forcës e marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare.
Ai u kërkoi vendorëve të merren masa urgjente për t`u krijuar qytetarëve një jetesë krejtësisht normale, si në zonat rezidenciale, bregdetare, turistike apo edhe në çdo cep të territorit.