Rinas- Inagurohet zyra e informacionit për turistët
Tiranë- Aeroporti Nënë Tereza në Rinas tashmë do të ketë një zyrë informacioni për të gjithë turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë.
Zyra është ndërtuar në pjesën ku bëhet zbritja e bagazheve, dhe të gjithë personat e interesuar aty mund të informohen për vende të ndryshme të Shqipërisë.
Shiritin e përurimit e ka prerë ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, i cili tha se qëllimi i kësaj zyre është të informojë turistët, pasi aeroporti është edhe vendi ku ka më shumë fluks vizitorësh.
“Aeroporti “Nënë Tereza” është porta kryesore e Shqipërisë ku numri i turistëve ka pasur rritje nga viti në vit, ndaj ne gjykuam që duhet ta ndërmarrim këtë hap për të ngritur këtë zyrë”,- tha Bumçi.
Ky investim ka kushtuar 60.000 Euro, dhe fondi për ngritjen e kësaj njësie të re u mundësua nga Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar “TIKA”, në kuadër të bashkëpunimit afatgjatë që ka me MKRS-në në fushën e turizmit dhe të trashëgimisë kulturore.
I pranishëm ishte edhe Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Hasan Asan, i cili u shpreh se ky projekt është një mundësi shumë e mirë për informimin e turistëve.
Ky është një projekt i cili ndihmon turistët të marrin broshura dhe informacione rreth vendeve turistike në Shqipëri. TIKA ka arritur në një markë në Shqipëri, duke financuar projekte të ndryshme në fusha të ndryshme,- tha Ambasadori Asan.
Kjo Zyrë e Informacionit Turistik do të administrohet nga Zyra e Shërbimit Turistik dhe në të do të ofrohen shërbime si dhe informacione të detajuara lidhur me destinacionet turistike në vend.
/IDEA/