Ndotja e ajrit, banorëve të Tiranës u shkurtohen 1-2 vjet jetë
Një deri në dy vjet më pak jetojnë mesatarisht banorët e Tiranës, si pasojë e grimcave dhe substancave të ndryshme që thithin çdo ditë në kryeqytet. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, sipas të cilit, më të prekurit nga ndotja e ajrit të kryeqytetit janë policat e rrugës dhe fëmijët, të parët për shkak të pranisë shumëorëshe në smog, ndërsa fëmijët për shkak të organizmit të pazhvilluar.
Sëmundjet e frymëmarrjes
Sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes jo vetëm mbajnë numrin më të madh të rasteve të shtrimeve në spitale, por ato po shtohen dita-ditës. Situata gjithnjë e më shumë po bëhet alarmante, - shprehen specialistët, - duke cilësuar se kalimi i nivelit të ndotjes së ajrit tej masës së lejueshme sjell jo vetëm sëmundje, por edhe rrezik jete. Kështu vetëm para pak kohe Instituti i Shëndetit Publik gjatë analizës bëri të ditur se ajri në vendin tonë përbëhet nga lëndë të ngurta pezull (LNP) dhe lëndë të ngurta me dimensione grimcash nën 10 mikronë (PM10), tregues mbi normat e lejuara të Bashkimit Evropian. Ata konstatojnë se në kryeqytet (i cili renditet ndër më të ndoturit) tejkalohet norma lidhur me përmbajtjen e dyoksidit të azotit (NO2) në pikën e “21 Dhjetorit”. Sipas ISHP, Tirana ka situatë të vazhdueshme gravide, lidhur me përmbajtjen e grimcave të ngurta në ajrin e saj, ku makinat e vjetra dhe cilësia e karburanteve janë ndër faktorët kryesorë të ndotjes. “Masat e mara deri më sot janë të pamjaftueshme për përmirësimin e cilësisë së ajrit urban në Tiranë”, - thuhet në të dhënat e monitorimit. Ndërsa në qytetin e Elbasanit vihet re ulje e përmbajtjes së grimcave në ajër. Numri i madh i kimikateve në ambient, ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj tyre, mungesa e informacionit për aftësitë e tyre për të shkaktuar kancer, ka sjellë që të kemi një numër të madh rastesh me kancer në popullatë. Ndotja e ajrit ndikon fuqishëm në shfaqjen e disa llojeve të kancerit, sidomos atë të mushkërive. Shkaku kryesor që ndikon në shfaqjen e disa llojeve të kacereve. Ndërkohë që pjesa më e madhe e kancereve vjen për shkak të ndotjes së ambientit, i cili zhvillohet pas disa vitesh ekspozimi në ambientet e ndotura.
Zonat e ndotura
Ndër zonat më problematike, të cilat rezultojnë me ndotje të lartë të ajrit, janë Unaza e vogël. Sipas specialistëve, kjo zonë prodhon ndotje për shkak të rikonstruksionit të rrugëve. Lista vazhdon më pas me zonën e “Kombinatit”, e cila është përfshirë nga ndërtimet e apartamenteve dhe godinave të reja. Kështu ndërtimi i shumë pallateve njëkohësisht mbetet shkak për rritjen e pluhurit në zonë.
“Tirana e re” dhe zona e Selitës mbeten një nga pikat e zeza të kryeqytetit, ku niveli i ndotjes së ajrit është i lartë. “21 dhjetori” është një ndër kryqëzimet më të rëndësishme, por edhe më të ndotura, ku niveli i dioksidit të azotit është shumë i lartë. Mbikalimi i Kamzës dhe pas përfundimit të punimeve mbetet përsëri një nga nyjat lidhëse me jugun e vendit dhe për këtë shkak numri i madh i makinave shkakton ndotje.