Teatri Kombëtar; “Menaxheria e qelqtë” rikthehet në TK
Në Teatrin Kombëtar pritet të rivihen veprat e sezonit veror. Kështu më 29 deri në 30 tetor, në Tiranë, do të jepet komedia “Menaxheria e qelqtë” e dramaturgut të njohur amerikan Tenese Williams. Komedia është vënë në skenë nga regjisori Adonis Filipi, ndërsa aktorët që luajnë janë Yllka Mujo, Arben Derhemi dhe Monika Lubonja. Kjo pjesë është prodhim privat i kompanisë teatrore “Art Blu”. Kjo vepër ka në qendër të saj historinë e një familjeje amerikane të dhënë në mënyrë retrospektiv. Kujtimet e djalit të familjes sjellin në skenë historinë e një nëne dhe dy fëmijëve të saj tashmë të rritur. Pjesa pasqyron iluzionet e një realiteti dhe bote të pamëshirshme. Dramaturgu amerikan Tenese Williams (1911–1983) ka fituar gjatë karrierës së tij shumë çmime teatrale për veprat e tij. Menjëherë pas kësaj shfaqjeje, në Teatrin Kombëtar do të shfaqet “Alegreto Albania”. Më datë 1 nëntor rikthehet komedia e autorit Stefan Çapaliku, ku do të luajnë aktorët Mirush Kabashi, Ahmet Pasha, Vasjan Lami dhe krahas tyre, katër aktorë të rinj: Olta Daku, Gazmend Paja, Xhejni Fama e Klea Konomi, muzika është e Ramazan Kaponit dhe regjia e Altin Bashës. Vepra është një udhëtim brenda universit të individit në realitetin e sotëm. Në qendër të saj vihet një kryefamiljar i ngujuar së bashku me familjen e tij. Shfaqja i ngjan një procesi diagnostifikimi mjekësor. Radiografia e një familjeje të izoluar që jeton brenda një hapësire nën presionin e së nesërmes. Personazhet duken të futura në një kullë të ndërtuar nga shkallë, të cilat i ndihmojnë të ngjiten për të kontrolluar çdo gjë që i afrohet dhe për të zbritur poshtë në vetminë e izolimit. Madje aq të normalizuar duken me terrenin ku jetojnë; ecin, hanë e flenë. Gjithçka vërtitet mbi ato shkallë, që mund t’i ngrenë lart, por njëherësh, mund edhe t’i varrosin.