Bode: Me opozitën do ndryshojmë skemën e pensioneve
Skema e pensioneve ndodhet në vështirësi financiare pasi kontributet nuk i mbulojnë shpenzimet që kërkon vetë skema. Kështu ka deklaruar kreu i Financave Ridvan Bode dje në 20-vjetorin e krijimit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Bode
Ministri ka pranuar se skema është e brishtë dhe me deficite dhe se për këtë lipset një reformë nxitëse, për të cilën ka nisur puna. Modeli i ri që do të aplikohet në skemën e sigurimeve shoqërore po diskutohet mes Ministrisë së Financave, opozitës dhe Bankës Botërore. Skema e re synon të jetë nxitëse dhe afatgjatë, duke rritur numrin e kontribuuesve për të garantuar jetëgjatësinë e skemës.
Deficiti i skemës së pensioneve është 1 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Skema ndodhet në vështirësi. Qeveria shqiptare, së bashku me opozitën dhe mbështetjen e Bankës Botërore, ka hartuar një skemë të re, e cila do të zgjidh një herë e mirë problemet që shfaqen sot. Këtë vit pavarësisht krizës ekonomike Qeveria nuk do të ndal nismën për rritjen e pensioneve, 5 % për fshatin dhe 4 % për qytetin. Skema e re do të bëhet publike në një moment më të përshtatshëm, tha ministri Bode. I pranishëm në këtë takim edhe ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, u shpreh se do të mbështesim çdo lloj reforme dhe jemi në gatishmëri të plotë për rritjen e numrit të marrëveshjeve me vendet e tjera.
Ndryshimet
Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, znj.Vjollca Braho, bëri një pasqyrë të ndryshimeve që ka pësuar ligji për Sigurimet Shoqërore, si dhe hapat aktualë të ISSH-së, ku më e rëndësishmja mbetet siguria ndaj publikut; se gjithkush do të mund të marrë çdo kontribut të paguar; shërbimi i drejtë dhe informatizimi i plotë i të dhënave. Ndërkaq, një nga reformat më të rëndësishme u ndërmor në vitin 2002, ku u realizuan këto ndryshime në legjislacion. Së pari, u rrit raporti midis pagës minimale dhe maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve për sigurime shoqërore, nga 1/3 në 1/5. Së dyti, u ul në masën 4 % norma e kontributit për sigurimet shoqërore dhe, më kryesorja, u rritën në mënyre graduale moshat e daljes në pension pleqërie, për burrat e gratë, duke shkuar në moshën që është sot, 65 vjeç për burrat dhe 60 për gratë.
Reformat rrënjësore
Transformimet e thella politike e social-ekonomike të vendit në vitet 90-të bënë të domosdoshme ndërmarrjen e një reforme rrënjësore të sistemit të sigurimeve shoqërore. Për këtë arsye, me 11 Maj 1993, Parlamenti aprovoi Ligjin Nr.7703 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i cili hyri në fuqi në Tetor të atij viti. Reformimi i skemës të vjetër të sigurimeve shoqërore realizohet duke vendosur një sistem të ri, në themel të të cilit janë parimet e drejtësisë sociale.
Berisha: Pensionistët meritojnë
më shumë, jemi në stuhi krize
Kryeministri Sali Berisha bëri të ditur dje se pavarësisht krizës që ka pllakosur në formë stuhie Europën dhe gjithë botën, Shqipëria ia ka dalë të mbulojë shpenzimet e saj më emergjente, falë buxhetit 2011. Berisha pranoi se rritja e pensioneve këtë vit do të jetë e vogël, por në kushtet e një krize ekonomike kjo është maksimumi që një qeveri mund të bëjë për pensionistët e vendit. Ky buxhet ishte një buxhet i vërtetë suksesi për të cilin opozita u tregua skeptike, e mohoi. Ky buxhet bëri të mundur rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe ndërtimin e mijëra kilometrave rrugë, theksoi dje Berisha në mbledhjen e qeverisë. Jam i vetëdijshëm që pensionistët meritonin më shumë, por stuhitë e kësaj krize kanë krijuar në mbarë Europën një situatë shumë të vështirë. Ndërsa dy ditë më parë Banka Botërore në një raport për Shqipërinë, i bëri thirrje qeverisë të bëj kujdes me financat dhe borxhin publik, Berisha tha se: Jemi munduar që të mos marrim asnjë qindarkë borxh përveç atyre që janë marrë që të mbulojmë shpenzimet. Berisha përmendi edhe projektet dixhitale duke shtuar se do të shtrihen në të gjithë administratën shtetërore. Sipas kryeministrit këto projekte do të kenë rëndësi për biznesin. Janë 125 projekte dixhitale me të cilat ne synojmë që në 100-vjetorin e Pavarësisë të jetë një Shqipëri transparente që shfrytëzon teknologjinë e lartë.