E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja e ujit dyfishohet sasia e klorit

Prej afro dy javësh monitorimet e Drejtorisë së Shëndetit Publik, Tiranë, flasin për ujë të pijshëm brenda standareve higjeno – sanitare. Specialistët për "AS" sqarojnë se në të 31 pikat e inspektimit analizat bakterologjike të testuara së paku tre herë për çdo rast të dyshuar, rezultojnë në parametra optimale.

Ndërsa uji, që analizohet nga mostrat e sjella pranë këtij institucioni nga vetë familjarët shpesh herë ka rezultuar I ndotur. Specialistët saktësojnë se ky ujë është marrë nga depozitat e tyre familjare dhe jo nga rrjeti.

“Në rast se një pikë del tre herë e ngarkuar mikrobiologjikisht ose dhe me amoniak në analizat fiziko-kimike, në atë moment do të themi që kemi të bëjmë me ndotje. Momentalisht kemi një status-quo jashtëzakonisht të mirë të cilësisë së ujit të pijshëm në qytetin e Tiranës”-thotë Areti Beruka, Specialiste pranë Sektorit të Higjenës, DSHPT.

Në këtë sezon për siguri thonë specialistët është dyfishuar sasia e klorit, por garantojnë se ajo nuk i kalon normat e lejuara.

”Sasia e ujit do të pakësohet. Orari është tre herë në ditë. Automatikisht rritet niveli i klorit për të bërë këtë profilaksi që është e domosdoshme dhe shifrat e saj, edhe të zmadhimit nuk kalojnë tej normave të lejuara që do të thotë: Në rast se në sezonin e dimrit sasia e klorit në ujin e pijshëm është 0.2-0.5 miligramë për litër, në verë e lejojmë deri në 0.8 miligramë për litër”-thekson ajo.

Klori dhe dyfishimi i tij gjatë verës duhet të hidhet, po në të njëjtat parametra edhe në depozitat private. Më tepër të vëmendshëm këshillohen të tregohen qytetarët, që i kanë ato mbi taracat e apartamenteve.

Julia Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›