Ndotja, fshati në protestë nga frika e epidemive
KORçE - Ndotja e mjedisit si pasojë e hedhjes së vazhdueshme të mbetjeve të qytetit dhe inerteve nga ana e firmave private, ka nxjerrë dje në protestë banorët e fshatit Ravonik të Korçës. Ata bllokuan rrugën hyrëse në vendin e quajtur "Fajanca", për në drejtim të zonës ku depozitohen mbetjet urbane të qytetit. Banorët e këtij fshati kërkuan të merren masa për të shmangur pasojat që vijnë nga ndotja e mjedisit. "Në fushën ku hidhen mbetjet urbane të qytetit, nuk depozitohen vetëm mbeturina të ndryshme, por edhe kafshë të ngordhura, që përbëjnë rrezik të madh për jetesën tonë. Kërkojmë të ndalohet hedhja e mbeturinave të qytetit të Korçës, në afërsi të fshatit sepse ndotja është tepër e madhe. Ndotjen e mjedisit e vuajmë jo vetëm tani në dimër por, sidomos në stinën e verës me ngritjen e temperaturave", u shpreh kryeplaku i fshatit Ravonik, Dashamir Xhangolli. Ai kërkoi ndërkaq që të ndërhyhet për të mos depozituar më tej mbetje inerte nga ana e firmave private, që kanë krijuar tashmë pirgje të mëdha dheu në afërsi të fushës së mbetjeve urbane pranë këtij fshati. Në mbështetje të banorëve të këtij fshati në protestë, dolën edhe përfaqësues të komunës së Drenovës, ku përfshihet edhe Ravoniku. Sipas protestuesve, nga mungesa e përpunimit të mbetjeve, hedhjes së inerteve dhe kafshëve të ngordhura në këtë fushë, rrezikohet jo vetëm jetesa e banorëve por edhe e qytetarëve të Korçës. Dje banorët paralajmëruan se protesta e tyre do të përshkallëzohet nëse nuk merren masa. g.a