Merrte tulla për shtëpinë e re, i bie muri i shkollës
BULQIZE/ HASAN PASHA
Muret e shkollës së braktisur zënë poshtë 50-vjeçarin Haxhi Dama. Ish i burgosuri politik, i cili jeton bashkë me të vëllanë në një bunker, kishte dashur të niste ndërtimin e një banese. Por, tentativa për të siguruar materialet i rrezikoi jetën. Ai kishte udhëtuar nga fshati Sopot i komunës së Zerqanit, në hyrje të qytetit të Bulqizës, ku ndodhen gërmadhat e ish-shkollës 9 vjeçare. Prej mëngjesit, 50-vjeçari vazhdonte punën për sigurimin e tullave që do të mundësonin ndërtimin e një shtëpie të re. Gjatë procesit të shkatërrimit të mureve tashmë të kalbura për shkak të erozionit dhe kushteve klimaterike, një pjesë e tyre kanë rrëshqitur, duke e zënë poshtë atë. Nxënësit e shkollës ngjitur me objektin e rrënuar kanë parë nga dritaret e klasës skenën e rëndë dhe kanë ulëritur, duke u kërkuar mësuesve t'i shkojnë në ndihmë. Fillimisht arsimtarët e shkollës kanë vënë në dijeni komisariatin e policisë, efektivë të të cilit kanë mbërritur shumë shpejt në vendin e ngjarjes. Ata kanë larguar fillimisht të gjithë fëmijët kureshtarë që kishin vajtur aty dhe më pastaj kanë vazhduar largimin e tullave që kishin mbuluar trupin e Damës. Dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes thanë se mbi trupin e viktimës kishte edhe blloqe betoni dhe muri. Me urgjencë, Dama është transportuar për në spitalin e qytetit. Mjekët e Bulqizës konstatuan plagë serioze në kokë dhe trup, madje sipas tyre gjendja ka qenë kritike për jetën, ndaj kanë vendosur të kërkojnë transportimin e tij drejt Spitalit Ushtarak. Banorët e Bulqizës, pas kësaj ngjarjeje reaguan duke thënë se duhet të merren masa të menjëhershme për ta rrafshuar objektin, i cili ndodhet vetëm 10-15 metra larg shkollës së re dhe rrezikon fëmijët. Të afërm të të plagosurit thanë se Dama së bashku më vëllain tentonin të linin bunkerin dhe të ngrinin një shtëpi me tulla ose në Sopot ose në periferi të qytetit. Ndërsa policia po heton për ngjarjen. Objekti i rrezikshëm ndodhet në hyrje të qytetit të Bulqizës dhe ka shërbyer si shkollë 9-vjeçare për shumë vite me radhë. Cedimi i madh i tokës, madje edhe në themelet e shkollës bëri që ajo të dëmtohej rëndë. Dy vjet më parë u diskutua shembja e godinës, por asnjë veprim konkret nuk është marrë.