E Shtunë, 31 Tetor 2026

KiE për Presidentin: Të jetë konsensual dhe i gjithëpranueshëm

Ndërsa politika shqiptare po përballet me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës, Këshilli i Europës bën publik raportin për zhvillimet politike në vend, ku i bëhet apel klasës politike shqiptare se zgjedhja e Kreut të Shtetit nuk duhet të shndërrohet në burim tensionesh mes palëve. KiE ka publikuar raportin e misionit të vëzhguesve që vizituan Tiranën në fillim të muajit prill, më datat 2-4 prill. Pas takimit me krerët e forcave politike në vend, raporti i KiE-s vlerëson se situata politike në Shqipëri ka ndryshuar pozitivisht në muajt e fundit. Sipas KiE-s si mazhoranca dhe opozita, muajt e fundit janë udhëhequr në politikën e ditës nga bashkëpunimi, dëshira e vullneti i mirë për bashkëpunim, me synimin që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në vjeshtë.

Raporti

Në raportin që monitoruesit e Këshillit të Europës kanë publikuar sot theksohet se zgjedhjet presidenciale të mos bëhen burim të tensionimit të situatës politike në Shqipëri. Zgjedhjet presidenciale duhet luajnë një rol të rëndësishëm duke normalizuar klimën politike në Shqipëri. Kështu është e rëndësishme që këto zgjedhje të mos bëhen një burim tensioni dhe ta çojnë politikën në një rrugë pa krye. Forcat kryesore politike duhet të përpiqen të arrijnë një marrëveshje konsensuale dhe të pranueshme nga të dyja palët për kandidatin për president të vendit thuhet në raport. Gjithashtu në raport theksohet se edhe pse klima politike në vend ka ndryshuar gjatë muajve të fundit, ajo vijon të jetë e tensionuar dhe kjo u vu re gjatë misionit të dy raportuesve në Shqipëri në datat 2 dhe 3 prill të këtij viti. Sipas KiE- si mazhoranca dhe opozita, muajt e fundit janë udhëhequr në politikën e ditës nga bashkëpunimi, dëshira e vullneti i mirë për bashkëpunim, me synimin që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në vjeshtë. Në këtë kontekst, KiE i bën thirrje mazhorancës dhe opozitës të vijojnë bashkëpunimin konstruktiv dhe dialogun duke nënvizuar se zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës duhet të shërbejë për normalizimin e mëtejshëm të klimës politike.

Bashkëpunimi mes palëve
Këshilli i Europës ka vlerësuar edhe punën që po bëhet për miratimin e reformës zgjedhore. Teknologjitë për votimin elektronik duhet të aplikohen në të gjitha qendrat e votimit duke përfshirë edhe ato ku kushtet mund të jenë të pafavorshme për teknologji të tilla, relativisht të paprovuara. Ne rekomandojmë që kjo mënyrë e re të aplikohet në një projekt pilot, vetëm në disa qendra votimi gjatë zgjedhjeve të ardhshme, theksojnë reporterët. Gjithashtu  Këshilli i Europës mirëpret nismën e partive kryesore për mendimin e Kushtetutës për të ligjëruar heqjen e imunitetit. Në këtë aspekt ne vlerësojmë edhe prioritet që KE ka vendosur për këtë çështje, thuhet në raport. Reporterët deklarojnë se do ta vizitojnë sërish Shqipërinë në vjeshtën e këtij viti, pas përfundimit të zgjedhjes së presidentit të ri.

Nano: Mos më përjashtoni arbitrarisht

Fatos Nano i bën thirrje liderëve partiakë të mos përjashtojnë arbitrarisht kategori apo emra të caktuar nga gara presidenciale. Kandidati i vetëshpallur, në një deklaratë për mediat, e quan këtë një shprehje të paaftësisë dhe mendësisë së gabuar të klasës politike, që sipas tij, rrezikon ta shndërrojë Shqipërinë në një vend kryetarokratik. “Proceset e deformuara japin fryte të këqija”,- thekson Nano, pak ditë para raundit të tretë të votimit, i fundit me 84 vota. Nano del garant i përmbylljes së reformës zgjedhore, parlamentare dhe gjithë kritereve të nevojshme për anëtarësimin në BE. “Presidenti i ardhshëm e ka për detyrë kushtetuese që të jetë negociator, paqebërës, institucional, unifikues dhe  zgjidhës konfliktesh, si edhe garant i një përzgjedhje të drejtë të kryetarit të SHISH, Prokurorit të Përgjithshëm dhe përfaqësuesve të gjyqësorit”, vijon më tej deklarata, ku theksohet se Shqipërisë nuk i duhet një president i dobët, që nuk mban presion dhe joshet nga pushtetet dhe loja politike e palëve.

Alarmi i OSBE-së: Reklamat shtetërore

po shkojnë për mediat qeveritare

Përfaqësuesja e OSBE për median, Dunja Mijatoviç, ka paraqitur dje në komisionin parlamentar të medias një listë të gjatë me probleme me të cilat shtypi dhe radiotelevizionet shqiptare përballen sot. Sipas OSBE-së, Shqipëria nuk përballet vetëm me mungesën e pavarësisë në televizionin publik, mungesën e pavarësisë se KKRT, por edhe me ndikimin e qeverisë tek media e lirë nëpërmjet ndarjes së reklamave shtetërore vetëm tek mediat e preferuara, raporton Vizion Plus. Mijatoviç ka kërkuar legalizimin sa më shpejt të transmetimeve dixhitale, duke garantuar pluralizëm të tregut. Sipas saj, ndryshimet e fundit në Kodin Penal për heqjen e dënimit me burg ndaj gazetarëve për veprën e shpifjes, nuk janë të mjaftueshme, pasi kjo vepër duhet të hiqet plotësisht nga kodi. Këto janë shqetësime të ngritura në vijimësi nga aktorë lokalë që operojnë në fushën e mass-media-s, por nuk kanë gjetur mirëkuptimin e mbështetjen e zyrës së OSBE-së në Tiranë. Nuk regjistrohet asnjë rast, që shefi i kësaj zyre, Eugen Wollfarth, apo vartës të tij, të kenë treguar se kanë ndjeshmërira e përparësi të tilla në axhendën e tyre, shkruan respublica.al. Përballe këtij konstatimi nënkryetari i komisionit, Mark Marku është përpjekur të mbrohet duke thënë se pavarësisht ligjit, qeveria ka ndërmarrë nismën publike për të mos ngritur padi ndaj medias për shpifje, por për përfaqësuesen e OSBE-së, Mijatoviç, kjo është krejt e pamjaftueshme, pasi problemi qëndron tek sistemi.

Media në Shqipëri, Berisha: Depenalizim fyerjes e shpifjes

Kryeministri Berisha ka deklaruar dje se Shqipëria në 20 vite ka bërë hapa të jashtëzakonshme në drejtim të lirisë së medias. Gjatë një takimi me përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Medias, zonjën Dunja Mijatovic, Berisha theksoi se sot në Shqipëri nuk ekziston më censura ndërkohë që sektori i medias ka njohur zhvillim të jashtëzakonshëm qoftë në aspektin sasior edhe në atë cilësor. Kryeministri vlerësoi rolin kritik të medias ndaj punës së qeverisë dhe e cilësoi atë si një element themelor për ecjen përpara. Në këtë kuadër media ka luajtur një rol të madh në luftën kundër korrupsionit dhe fenomeneve të tjerë negativë duke ndikuar në rritjen e transparencës, u shpreh kryeministri. Kryeministri theksoi që në zbatim të një premtimi elektoral të vitit 2005 është e ndaluar që zyrtarët e administratës të bëjnë kallëzime penale ndaj medias dhe rikonfirmoi angazhimin e tij në ruajtjen e këtij standarti. Në këtë kuadër kryeministri e informoi zonjën Mijatovic për masat e ndërmarra nga qeveria, në konsensus me opozitën, për dekriminalizimin e fyerjes dhe shpifjes dhe rregullimin e tyre në përputhje me standartet ndërkombëtare. Kryeministri shprehu gatishmërinë për depenalizimin e plotë të këtyre veprave në Kodin Penal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›