E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndotja në ish-metalurgjik, lë pa punë 400 metalurgë

Autori i Lajmit: red.
Rreth 400 metalurgë të punësuar në kompaninë turke “Kurum” janë përkohësisht të papunë. Shkak është bërë mbyllja e kësaj kompanie, si pasojë e punimeve që do të kryhen në të. Bëhet e ditur se 50 specialistë e punëtorë do të punojnë aktualisht në këtë kompani, të cilët do të punojnë efektivisht për instalimin e pajisjeve. Mësohet se pjesa tjetër do të paguhet me 70 % të pagës deri në përfundim të periudhës së "konservimit". Drejtues të kompanisë kanë komunikuar se “Furra e shkrirjes do të mbyllet përkohësisht deri në instalimin e impianteve të pastrimit të ajrit”. Shkak i mbylljes së kësaj kompanie është bërë ndotja tej normave të lejuara. Ditë më parë Këshilli i Komunës së Bradasheshit, Bashkia Elbasan, Agjencia Rajonale e Mjedisit morën vendim unanim për t u komunikuar drejtuesve të firmës mbylljen e aktivitetit deri në marrjen e masave efikase për pastrimin e ajrit. Kreu i Zyrës Rajonale të Mbrojtjes së Mjedisit në Elbasan, Beqir Kila, tha dje për mediat se “Investimi do të përfshijë së pari impiantet filtruese, por edhe përsosmërinë e teknologjisë së prodhimit, kryesisht në furrat e shkrirjes, impianteve filtruese në oxhaqet e uzinave”. Specialistët turq kanë dhënë garancinë në masën 99 % të pastrimit të ajrit, duke dhënë parametra shumë më poshtë të standardeve të lejuara evropiane, që do të monitorohen në vazhdim. Investimi pritet të përfundojë në fund të muajit dhjetor. Ish-Metalurgjiku në Elbasan, është një nga zonat më të ndotura të vendit tonë. Gjatë 15 viteve të fundit në këtë zonë kanë gjetur vdekjen nga sëmundjet kanceroze që shkaktohen nga ndotja 20 banorë, ndërsa situata nuk është zgjidhur edhe pas disa tentativave të mëparshme. Madje, ndotja në Elbasan në jo pak raste ka sjellë edhe raste të çuditshme të lindjes së fëmijëve me probleme gjenetike, apo të kafshëve të ndryshme të cilat dalin me deformime, si në rastin e gjelave që bëjnë vezë apo kafshëve me nga tri këmbë.
Ky lajm është publikuar: 25/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›