E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina përcjell me nderime mjeshtrin e madh të sonetit Enver Gjergjeku

Nga Dhurata Hamzai

Ditën e shtunë Prishtina ka përcjellë me nderime për në banesën e tij të fundit poetin e mirënjohur kosovar Enver Gjegjeku, i cili dergjej prej disa ditësh i sëmurë. Poeti i shquar Enver Gjegjeku ndërroi jetë më 24 tetor 2008, në moshën 80-vjeçare. Burime nga Prishtina pohojnë se dy ditë më vonë, më 26 tetor, ditën e shtunë është organizuar ceremonia e përcjelljes ku familjarët, artistët dhe shkrimtarët e Kosovës i kanë shprehur mirënjohjen dhe nderimet për rrugën e gjatë e të mundimshme të krijimtarisë, por edhe të veprimtarisë së tij patriotike në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Burime nga Prishtina na informojnw se “u përcoll me shumw dhimbje dhe respekt poeti ynë i mirënjohur Enver Gjergjeku, njëkohëshisht anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”. Të njëjtat burime pohojnë se “u nda nga gjiri i poetëve dhe artistëve kosovar një nga penat më të mira i cili me të drejtë rreshtohet në plejadën e poetëve më të zgjedhur të Kosovës si Azem Shkreli, Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Kim Mehmeti, Ibrahim Berisha, Adem Gashi, Basri Capriqi, etj, etj”. Në fjalën e tij të përshëndetjes, poeti i njohur Ali Podrimja është shprehur se: “Enver Gjergjeku nga imazhi trishtues i hapësirës së zymtë dhe maratonës së një populli kah ylli i fatit, ndahet nga Lufta e Dytë Botërore (1945). Tmerret e pasojat e saj do e nxisin të meditojë. Atë që e kishte parë dhe përjetuar si adoleshent rrugicave e shesheve të Gjakovës, varjet e pushkatimet në pikë të ditës rrëzë një kodre të shenjtë për të, u reprizuan se të keqes nuk i dihet kurrë në hapësirën gllabëruese çfarë është Ballkani”. Me mirënjohje të thellë miqtë e tij kanë kujtuar në ceremoninë mortore vitin biblik shqiptar (1999), ku poezia e tij gjurmonte humbjen dhe ringrinte fatin e ri tw Kosovws. Gjergjeku e shprehu pothuaj të gjithë atë dhimbje nëpërmjet poezisë, ku sipas poetit tw njohur Ali Podrimja “në botëpërceptimin e tij vetëtijnë kohë e imazhe të trishta me heronj të paepur tek ngrenë poetikën e filozofinë e tij sfiduese”. Poeti Gjergjeku është vlerësuar vazhdimisht si një nga poetët më të shquar në Kosovë. Kritika letrare e ka përcjellë në mënyrë të vazhdueshme vlerën cilësore të veprës së tij. Poeti Podrimja ka pohuar për gazetën “TemA” se “motivet që ka ngritur e trajtuar poeti, nuk kanë kaluar pa jehonë, posaçërisht njësitë poetike, ku shtrohen dhe dilema nga rrafshi etiko-estetik dhe ai ekzistencial, ku thyhen konvenca me ligjërimin e mëparshëm, duke na sjellë në kujtesë medalionet sonetike si “Ujdhesa”, “Skifteri”, “Xixëllonja”, “Lejleku”, artikulim modern që lexohen si metafora për fatin kombëtar. Kritiku Ali Aliu i konsideron vargjet e tij “…si zë i rropatjeve filozofike të poetit, si iluzione dhe si zhgënjime, si dëshpërime dhe rezignime”. Sipas Podrimjes “në kurorën sonetike “Rrënjë lashtësie”, dedikuar Lidhjes së Prizrenit (1878), teksti ka elemente mitike, aty inkuadron ndodhitë historike dhe heronjtë që u përbiruan nëpër të bëma. Qasje tejet interesante është portretizimi i Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, në ciklin “Ashti ynë”. Poetit i bëhet se “Ai e gjeti çelësin magjik të kohës së vet”, prandaj në çdo kohë “Ai prore kthehet i madh prej lashtësisë”, do të thotë se populli u shndërrua në sogjetar të përhershëm të maratonës kombëtare. Vepra e Gjergjekut ka trajtuar gjëra sublime, ka hapur tashmë shtigje të reja në procese krijuese, ka qenë në mbrojtje të etnisë dhe të mbarë ëndrrës shqiptare.

Sipas poetit Ali Podrimja, mes traditës dhe modernes Gjergjeku ka krijuar hapësirën e gjuhën e vet shprehëse me një artikulim karakteristik në letrat shqipe. Podrimja thekson se: “fat është se poeti ia doli me sukses udhës së trazuar tash e dyqind vjet në kultivimin e sonetit, formës më të rëndë të vargnimit, që kërkon një punë sizifi. Megjithëse, nga Nikollë Keta (1777), De Martino, Zarishi, Bytyçi e sonetistë të shquar të kohës së rilindësve: Serembe, Mjeda, Asdreni etj, nga të cilët Gjergjeku pranon frymën kombëtare, por ia hyn një filigranizmit të vargut, tek e avancon dhe pasuron me rima e imazhe”. Vlen të theksohet se përpiqet për harmonizimin tekstor, krijon nw njw mwnyrw origjinale shkollën e sonetit. Kritika jo vetëm shqiptare e mirëpriti me kureshtje sepse të shkruarit e sonetit është diçka befasuese dhe i një tradite të madhe letrare. Enver Gjergjeku është konsideruar nga kritika para së gjithash poet, me një shkallë të lartë të ndjeshmërisë, hulumtues i fjalës dhe i figuracionit.

Enver Gjergjeku

Enver Gjergjeku u lind më 25 gusht 1928 në Gjakovë, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa Fakultetin Filozofik, degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Beograd, ku edhe mbrojti magjistraturwn. Pas mbarimit të studimeve shërbeu profesor i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqiptare në Shkollën Normale të Prishtinës (1956 1959), mandej në Shkollën e Lartë Pedagogjike (1959 1962) dhe prej vitit 1962 e deri në vitin 1995 në Fakultetin Filologjik të Prishtinës si ligjërues i lartë e profesor i Letërsisë shqiptare. Më 1986 u zgjodh anëtar korrespondent dhe më 1991 anëtar i rregullt i ASHAK. Për letërsi Enver Gjergjeku interesohet kur ishte nxënës, për t'u bërë poet, studiues e historian i letërsisë dhe përkthyes letrar. Është autor i shumë veprave me poezi dhe laureat i shumë çmimeve letrare.

Lamtumirë, Maestro!

Ali Podrimja*

Enver Gjergjeku nga imazhi trishtues i hapësirës së zymtë dhe maratonës së një populli kah ylli i fatit, ndahet nga Lufta e Dytë Botërore (1945). Tmerret e pasojat e saj do e nxisin të meditojë. Atë që pa dhe përjetoi si adoleshent rrugicave e shesheve të Gjakovës, varjet e pushkatimet në pikë të ditës rrëzë një kodre të shenjtë për të, u reprizuan se të keqes nuk i dihet kurrë në hapësirën gllabëruese çfarë është Ballkani.

ǒi mbet tjetër poetit, të gjurmojë të humburën e të ringrisë botën e derdhur. Në botëpërceptimin e tij vetëtijnë kohë e imazhe të trishta me heronj të paepur tek ngren poetikën e filozofinë e tij sfiduese. Kritika letrare e përcolli ngritjen e vazhdueshme të veprës së tij dhe theksoi vlerat e saj. Ide e motive që ngriti e trajtoi nuk kaluan pa jehonë, posaçërisht njësitë sonetike, ku shtroi dilema nga rrafshi etiko-estetik dhe ai ekzistencial, ku u thyen konvenca me ligjërimin e mëparshëm. Medalionet sonetike artikulim modern, lexohen si metafora për fatin kombëtar.

Vepra e Gjergjekut trajton gjëra sublime, hapi shtigje të reja në procese krijuese, ngritet në mbrojtje të etnisë, të themi të ëndrrës shqiptare. E ndiente veten komod në në Kosovë, Gjirokastër e në cepin verior të Ilirisë. Neveritëse i dukej copëzimi i hapësirës dhe të shikuarit e gjërave nga kapixhiku i mëhallës. Nuk pajtohej me krijimin e shtettheve brenda hapësirës shqiptare se kjo shpie në harresë.

Nga poezia e tij e parë “Shoqes së mbyllun në çarshaf”, botuar në “Zani i rinis”, (Prizren, 1946) paralajmërohej se në letrat shqipe hynte një poet që di ç’kërkonte dhe çfarë t’i ofrojë popullit të tij; se do ecën shtigjeve të hapura nga të devotshmit e kombit qofshin ata dhe nga rrafshi i artit. I bindur se akcili popull ngrit të ardhmen mbi të kaluarën dhe se kjo varet nga potenciali e guximi krijues, tek vjel e avancon mesazhe e ide të pararendësve. Sadoqë besohet se i takojmë bashkëkohësisë, nuk mund të shkëputemi nga origjina jonë e lashtë.

Enver Gjergjeku konsiderohet nga kritika para së gjithash poet me një shkallë të lartë të ndjeshmërisë, hulumtues i fjalës dhe i figuracionit. Në të vërtetë, nën atë vel të lirizmit flakandej ai zjarr i brendshëm, i cili nëpër fjalë e poezi rrezaton dhe vë në pah angazhimin e tij si krijues e njeri jo vetëm për çështjen madhore të kombit. Përmes mesazheve e ideve vë në spikamë të bukurën, njerëzoren, atë që ofron popujt. Kjo nuk vërehet vetëm te sonetet kushtuar personaliteteve kombëtare.

Maestro i fjalës, krijues i njëmendtë, në ecejaket e tij para se gjithash luftoi dhe për hapësirë, se ajo ruan integritetin e vendit dhe të kombit. I edukuar në frymën e qytetarisë dhe të atyre që u bënë tokë, i doli zot në çdo moment cilitdo cep të vendit që nëpërkëmbej nga irracionalja e fqinjve. I bindur se humbja e hapësirës shpie në shpërbërje, që mund të jetë dhe fund i të qenmit. Ndjenja historike e ndoq pas as nuk mund u nda nga ajo. Na kthen në kohë lavdie dhe shndërrohet në kambanë zgjimi në horizontin e zymtë shqiptar.

Por ja në këtë kodër pikëlluese, ku shtrihet mbretëria e të tejmve na tuboi në udhëtimin e tij të fundit akademiku, profesori dhe poeti i nderuar Gjergjeku, mungesën e të cilit do ta ndjejë jo vetëm familja, por dhe populli që i takoi. Faleminderit për veprën që na le. Përmes saj tani do komunikojmë. Mortja është metaforë e bukurisë. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës. Lamtumirë, Maestro!

(Fjala e mbajtur me rastin e varrimit te poetit te shquar, Enver Gjergjekut, 26.10.2008)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›