Ndotjet në Korçë, rritet rreziku për banorët
ALARMI
KORÇË - Dikur është cilësuar si qyteti i pastërtisë, por sot Korça është qyteti më i ndotur në Shqipëri. Në fakt, në vitin 2007 nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara, qyteti i Korçës (bashkë me qytetin e Tromsos në Norvegji) u vlerësuan si qytetet më të pastra.
Për të u tha dhe se ishte një qytet me një kulturë mjedisore të trashëguar. Ndërsa ajo që shohim sot, është një tjetër situatë. Korça është kthyer në qytetin më të pistë. Shkak për këtë është djegia e plehrave në periferi të qytetit, në një rreze prej 4 kilometrash.
Firma përgjegjëse për pastrimin, në mënyrë të vetëdijshme e bën këtë ose persona të paautorizuar, ndoshta edhe me dijeni të firmës, i djegin kazanët e plehrave edhe brenda në qytet, ndërsa tymi i tyre fillon renë e parë të zezë, me një erë të padurueshme. Djegia e mbetjeve të automjeteve vend e pavend përbën renë e dytë të padurueshme.
E treta vjen nga fabrikat, guroret, nyjet e asfaltit, të cilat nuk përdorin filtra në teknologjinë e tyre, duke djegur mazut të një cilësie që lë për të dëshiruar. E katërta vjen nga rrugët që janë në rikonstruksion e sipër. Firmat të cilat kanë fituar tenderat nuk lagin rrugët gjatë kryerjes së punimeve.
Veç reve, shqetësuese mbetet edhe "kulla" e Albtelecom-it, e ndërtuar diku rreth viteve 1995-1996. Fillimisht nuk mendohej se do të ishte problematike. Por më vonë, me rritjen e numrit të kompanive celulare, ato po bëhen më të dukshme. Kjo "kullë" lëshon intensitet të lartë valësh, të cilat ndikojnë në rritjen e mundësisë së prekjes nga kanceri për banorët që jetojnë afër saj.
Ndotja e ajrit mbi normat e lejuara po shkakton gjithashtu një situatë alarmante mbi shëndetin e popullatës. Pak kohë më pare, nga vetë strukturat shtetërore u theksua se nga ndotja e ajrit humbim afërsisht 2 vite jetë, sepse cilësia e tij ndikon në rritjen e numrit të sëmundshmërisë e si pasojë edhe vdekshmërisë.
Shifrat janë alarmante. Normat e ndotjes janë mbi normat e lejuara, kjo po shkakton pasoja të pariparueshme për shëndetin e banorëve. Jetëgjatësia po ulet.
Ekspertë, të cilët kanë bërë hulumtime të tyre për ndotjen e ajrit, paralajmërojnë të shqetësuar duke kërkuar marrjen e masave urgjente. Humbja e jetëgjatësisë shkon deri në 3 vjet për çdo banor.
Kjo gjendje nuk është shqetësuese vetëm për territorin e qytetit, por është alarmante për të gjithë fushëgropën e Korçës, duke qenë se plehrat grumbullohen në këtë fushë dhe aq më tepër, digjen aty. Në fakt, ky është pellgu ujëmbledhës i burimit që furnizon banorët me ujë të pijshëm, çka nënkupton se e gjithë kjo ndotje gjigante rrjedh përditë në çezma e mund të ketë edhe helmime masive të popullsisë.
Por jo vetëm në Korçë. Rreth 200 vdekje në vit në Shqipëri janë të lidhura vetëm me ndotjen e ajrit, ndërkohë që mendohet se edhe numri i njerëzve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme për shkak të ndotjes së ajrit, është shumë më i lartë.
Në vendin tonë mendohet të ketë rreth 1400 raste të reja me kancer që shfaqen çdo vit, dhe kjo për shkak të ndotjes së ambientit. Në bazë të statistikave publike nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore del që në 50 vitet e fundit të kemi një rritje 20% të sëmundjeve profesionale dhe 30% të sëmundjeve kancerogjene. Shpjegimi që bëjnë institucionet përkatëse është: "Përgjegjësit kryesorë janë stresi dhe ndotja e mjedisit".