Thikë në gjoks ish-bashkëshortes, ndalohet
SHKODËR/ Shemsi Kalaja është ndaluar nga policia, ndërsa akuzohet për "plagosje të lehtë me dashje"
Gruaja ka denoncuar ngjarjen, ndërsa bëhet e ditur se gjithçka ka ndodhur në sytë e djalit 10-vjeçar
SHKODËR - Ka qëlluar me thikë në gjoks ish-bashkëshorten e tij, me të cilën kishte dy fëmijë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së premtes në fshatin Stom Golem të komunës Rrethina në Shkodër, ndërsa e dëmtuara është Lirie Buhaj (Kalaja). Policia ka bërë të ditur se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti mes dy bashkëshortëve, ndërsa Shemsi Kalaja, 51 vjeç, është ndaluar.
Gjithçka është zhvilluar në sytë e djalit 10-vjeçar të çiftit, si dhe në prani të nënës së 34-vjeçares. Nga ana e prokurorisë së Shkodrës është ngritur akuza e "plagosjes së lehtë me dashje" kundër ish-bashkëshortit, ndërsa gruaja pas mjekimit të marrë, dhënies së dëshmisë, është drejtuar për në shtëpinë e prindërve ku edhe banonte.
Nga informacionet e marra bëhet e ditur se mesditën e së premtes, Shemsi Kalaja, lindur në Shkodër e banues në Tiranë, ka shkuar tek shtëpia e ish-vjehrrit të tij, Qerim Buhaj, për të bërë takimin e djalit të tij 10-vjeçar me nënën, e cila bashkë me vajzën jetonte tek prindërit.
Në rrugicën e banesës së ish-vjehrrit, Shemsiu ka nisur të debatojë me ish-gruan, me të cilën ishte divorcuar para rreth katër vitesh dhe ishte ribashkuar para 6 muajsh, ndërsa përsëri ishin në procedura divorci.
Sipas dëshmive të së dëmtuarës, Shemsiu e ka kapur nga krahu dhe me një thikë që e mbante vazhdimisht me vete që e kishte kanosur dhe herë të tjera, e ka goditur në gjoks në pjesën e djathtë. Gruaja ka mundur të shmanget, të vrapojë e të hyjë brenda në shtëpinë e prindërve, rreth 8 metra më tej, ndërsa i shoqi është larguar me shpejtësi.
E ndihmuar dhe nga rrobat e trasha që kishte veshur, thika nuk ka hyrë shumë thellë. 34-vjeçarja bashku me babanë e saj ka shkuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore dhe më pas ka shkuar në polici ku ka denoncuar ngjarjen.
Policia është vënë në ndjekje të autorit, i cili është ndaluar në Shkodërr, ndërsa ndaj tij është ngritur akuza e "plagosjes së lehtë me dashje". Ndërkohë, mësohet se vetë 51-vjeçari e ka mohuar ngjarjen.
Ndërkohë, nëna e së dëmtuarës Lirije Kalaja, shtetësja Haxhire Buhaj tregon edhe historinë e martesës dhe divorcit të së bijës.
Sa kohë kishte vajza e martuar, cila ishte familja e saj dhe çfarë konflikti kishte me bashkëshortin?
Vajza ka mbi 10 vjet martesë, ka një djalë rreth 10 vjeç dhe një vajzë 6 vjeçe. I shoqi pinte vazhdimisht dhe e ka keqtrajtuar disa herë, e ka kanosur me thikë, e ka nxjerrë jashtë shtëpisë së bashku me dy fëmijët, madje dhe në shi. Vajza është ankuar shpesh për të shoqin, por ka duruar për hatër të fëmijëve.
Ku kanë jetuar dhe si ka vijuar martesa e tyre?
Kanë jetuar në katin e parë të një pallati tek stadiumi, në lagjen "Ahmet Haxhija", pallat të cilin i shoqi ka një vit që e ka shitur dhe është vendosur në Tiranë. Vajza nuk mundi ta durone dhunën e tij dhe para rreth katër vitesh u divorcua.
Gjykata ia dha fëmijët asaj për t'i mbajtur dhe babai i tyre kishte të drejtë të vinte t'i takonte. Tre vjet ia kemi nxjerrë fëmijët kur donte t'i takonte dhe nuk e kemi penguar.
Ai fuste njerëz për të bindur vajzën të pajtohej, e takonte kur vinte të shihte a të merrte fëmijët, qante, betohej se nuk bënte më asgjë. Në fakt plaku, burri im, nuk dëgjonte ta dërgonte vajzën përsëri për të jetuar me të.
Para disa muajsh vajza u bind dhe u ribashkua me të për punë të fëmijëve. Kanë jetuar në Tiranë rreth 4 muaj dhe më pas vajza ka ardhur përsëri tek ne, pasi nuk mundej të duronte më dhunën e terrorin që ai i bënte. Ka rreth dy muaj që vajza ka ardhur tek ne dhe ka bërë padi për t'u ndarë përsëri prej tij. Këtë herë ai ka mbajtur djalin, ndërsa vajza ka ardhur me Lirien këtu tek ne.
Çfarë ndodhi sot dhe si kanë qenë marrëdhëniet e ish-dhëndrit me ju?
Sot erdhi për të sjellë djalin të takonte nënën e tij. Ime bijë do t'i nxirrte vajzën 6-vjeçare, por ajo është e sëmurë me grip e temperaturë. Doli Liria tek rrugica, jashtë rrethimit të shtëpisë dhe takoi djalin. I tha të futej brenda, të shihte të motrën se ishte e sëmurë, por djali nuk dëgjoi.
Dola dhe unë dhe i thashë lëre mos iu lut se nuk do që të vijë djali brenda. E dëgjoi i ati që ishte më larg dhe erdhi u afrua dhe filloi të na shante të dyjave. I thashë se përse bërtet pasi ke ardhë vetë këtu e nuk të kemi sjellë me zor. Vazhdonte të shante siç ka bërë dhe më parë. Më pas, unë u largova të hyja në oborr. Siç më tregoi Liria, ai e ka kapur nga krahu dhe ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur.
Vajza ka bërtitur dhe i është shkëputur nga dora e ka hyrë me vrap brenda. Ka heqë rrobat, kishte pak gjak, jo shumë fatmirësisht. Bashkë me babanë e saj shkuan të mjekohen dhe më pas shkuan në polici. Ai u largua menjëherë bashkë me djalin.
Momentin kur e ka qëlluar me thikë, ishte dhe djali aty?
Po, ishte dhe djali, por ai nuk flet. I ati këto muaj që jeton vetëm me të, e ka mësuar të na shajë në telefon. Kur flet me Lirien djali ose qan, pasi qan dhe ajo, ose shan, siç e ka mësuar i ati. Kur e ka qëlluar me thikë, ai i ka thënë Liries "me zor a me hatër do të vish përsëri", siç i thoshte dhe në telefon.
Ne nuk kemi pse e durojmë më këtë njeri, ai deshi ta vriste vajzën. Edhe bashkimi që kërkonte pas ndarjes dhe e bëri duket se ka pasë si qëllim marrjen e djalit prej tij, pasi gjykata ia ka lënë dy fëmijët nënës..."