20 paditë, Rama: Berisha të provojë shpifjet ndaj meje
Rama i ka bërë thirrje Prokurores së Përgjithshme që të hapë hetimin e të gjitha akuzave që kryeministri Berisha bëri ndaj tij
TIRANË- Kryeministri Berisha përveç krizës politike në të cilën është përfshirë vendi tashmë do ti duhet të përballet edhe me drejtësinë.
Një lumë padish civile dhe penale janë depozituar në organet e drejtësisë ndaj tij për shpifje dhe cenim të imazhit, jo vetëm nga përfaqësuesit e bizneseve që janë përgojuar prej tij në gjithë këto ditë por edhe nga politikanë të cilët edhe ata janë bërë objekt i sulmeve dhe akuzave të pafundme, duke mos u kursyer as familjarët e tyre.
Vetëm Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka paraqitur 20 padi kundër kreut të qeverisë, nga të cilat 10 civile dhe 10 penale, të cilin e akuzon për shpifje.
"Sot ka shkuar në dhjetë numri i padive civile dhe dhjetë numri i padive penale që vetëm unë, personalisht, kam hapur ndaj Sali Berishës, qysh prej ditës së çmendimit të tij në foltoren e parlamentit e deri tani", - tha kreu socialistë Edi Rama gjatë një konference për shtyp. Tashmë ka theksuar kryesocialisti është radha e Berishës që të vërtetojë para drejtësisë të gjitha faktet që zotëron për të gjitha akuzat e bëra ndaj tij dhe familjarëve të tij.
"I bëj thirrje, njeriut që ndot me papastërti të patolerueshme foltoren e parlamentit dhe të Këshillit të Ministrave, të provojë përpara gjykatës, qoftë edhe njërën nga shpifjet e tij", - u shpreh Rama duke theksuar në të njëjtën kohë se vetëm në këtë mënyrë opinioni publik shqiptar do të mësojë të vërtetën për gjithë sa ka dalë nga goja e kryeministrit.
Ndërkohë nga ana tjetër Rama i ka bërë thirrje Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, të hapë hetimin e të gjitha akuzave që kryeministri Berisha bëri ndaj tij dhe të kërkojë prova e fakte lidhur me dhjetë paditë penale të depozituara për to, pikërisht për të zbardhur në çdo detaj, gjithçka është thënë gjatë këtij sulmi.
"Le të bëhet burrë i paburri Sali dhe le të tregojë se ka qoftë edhe një provë të vetme në dollapin e dosjeve të politikës së tij të shpifur të shpifjeve e gënjeshtrave me të cilat po bën pis Shqipërinë, po trazon çdo familje shqiptare, po turpëron çdo qytetar të këtij vendi", - theksoi Rama.
Gjithashtu ai ka konfirmuar edhe një herë se pavarësisht këtij sulmi opozita nuk do të ndryshojë asgjë në qëndrimin e saj për të kërkuar me forcë rivendosjen e shtetit ligjor duke hapur kutitë e votimit.
"Fakti që barbaria e pushtetit është kthyer në agresion kundër shumë njerëzve, familjeve, sipërmarrjeve private, jo vetëm provon drejtësinë e qëndrimit tonë në kushtet e rënies së shtetit të së drejtës, por edhe forcon bindjen e vullnetin tonë për të vazhduar betejën me protesta të mëtejshme ndaj këtij pushteti", - tha më tej Rama duke bërë të ditur se gjatë gjithë javës së ardhshme do të protestohet në të gjithë vendin për krizën e demokracisë e të ekonomisë së familjeve shqiptare.
Sipas tij, opozita është e bindur se Berisha po e çon vendin në greminë duke grabitur zgjedhjet, fshehur forcërisht të vërtetën në kutitë e mbyllura, thelluar gropën e korrupsionit, shpallur opozitën si mafien më të rrezikshme në Ballkan apo edhe duke kërkuar të mbushë arkën e shtetit duke rënduar biznesin e vogël dhe terrorizuar biznesin e madh.
Të gjitha këto, Rama nuk ka nguruar ti konsiderojë edhe si bombat sociale që do të shpërthejnë në shtëpitë e shqiptarëve në muajin janar, me çmimin e rritur të energjisë, taksat e rritura të biznesit të vogël, papunësinë e rritur çdo ditë bashkë me pafuqinë blerëse e me radhë.
Për ti dhënë fund kësaj situate, Rama ka bërë të qartë se opozita nuk do të reshtë së protestuari deri sa qeveria "Berisha" ti japë zgjidhje shqetësimeve që lidhen pikësëpari me transparencën e votës.
"Asnjë hap mbrapa nuk bëjmë. Le të rrijë pa opozitën në parlamentin e marrë peng, të cilin e ka kthyer së fundi në prokurori e në gjykatë të paligjshme. Ne do të qëndrojmë jashtë atij parlamenti të dalë nga dhunimi i votës së qytetarëve", - tha kryesocialisti.
Ndërsa lidhur me sugjerimet e ndërkombëtarëve për dialog mes palëve, Rama ka bërë të ditur se kjo bëhet e pamundur përsa kohë mazhoranca nuk heq dorë nga akuzat dhe sulmet ndaj opozitës.
"Miqve tanë ndërkombëtarë u kemi qenë e do t'u jemi mirënjohës për gjithçka, edhe për shqetësimin serioz e këshillën e urtë për dialog dhe u përsërisim se bojkoti ynë nuk është shkaku i krizës së demokracisë dhe rënies së shtetit të së drejtës, por vetëm një pasojë e kësaj krize që dita-ditës po cenon liri e të drejta të pacenueshme.
Që të ketë dialog Sali Berisha duhet të mbarojë monologun grotesk të luftës me opozitën mafioze dhe duhet të mos bëjë më sikur nuk e kupton që kërkesa jonë për hapjen e kutive nuk ka lidhje me gjykatën e me vendimet e saj", - vuri në dukje Rama.