Ndrea Prendin e tradhtoi vartësi i tij
Komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, është tradhtuar nga shefi i armatimit të tij, i cili i ka treguar prokurorëve se kush ishte personi që kishte në përdorim pistoletën që vrau Faik Myrtajn më 21 janar të vitit të kaluar. Edhe pse fillimisht Prendi e ka mohuar se ishte pistoleta e tij, ai është detyruar të heshtë kur është ballafaquar me shkresat dhe dëshminë e shefit të armatimit Mark Ndoj. Këtë provë prokuroria e kishte lënë jashtë dosjes që kishte dërguar në Gjykatën e Tiranës, por pasi gjykata dha masën e sigursë arrest shtëpie, ka vendosur ta paraqesë në Gjykatën e Apelit.
Burimet e prokurorisë thanë se Mark Ndoj, shefi i armatimit të Gardës është marrë në pyetje dje për disa orë dhe ka konfirmuar se arma me nr. P52796Z është e tërhequr nga depoja e armëve nga vetë komandanti Ndrea Prendi. Për këtë ekziston edhe dokumenti zyrtar me firmë, vulë dhe numër protokolli.
Thirrja e Ndojit në prokurori është kryer paralelisht me atë të Prendit. Hetuesit shpjeguan se Prendi dhe Ndoji po merreshin në pyetje njëkohësisht në dy zyra të ndryshme për të krahasuar dëshmitë. Sipas deklarimeve të shefit të armatimit të Gardës, arma që është marrë nga prokuroria për ekspertim dhe e cila është identifikuar se ka vrarë Faik Myrtaj, në regjistra figuron që është në përdorim të Komandantit të Gardës, Ndrea Prendi. Sipas këtyre regjistrave, çdo armë që tërhiqet nga punonjësi i Gardës për përdorim personal regjistrohet me numër dhe emër përdoruesi. Në këtë regjistër shënohet që arma me nr. P52796Z është marrë në dorëzim nga vetë Prendi dhe që nga ajo kohë nuk është kthyer më,- thanë prokurorët. Vetë Ndrea Prendi ka firmosur vendimin për dorëzimin e tetë pistoletave tek prokuroria./shekulli