Ndreca Kolegji vendim profesional

“Situata zgjedhore pëson ndryshime dhe lindin fenomene që kërkojnë zgjidhje”, ka deklaruar Ndreca për programin shqip të “DW”.
“Kolegji Zgjedhor bëri një zgjidhje profesionale dhe të mbështetur në legjislacionin e Shqipërisë kur rrëzoi kërkesën ankimore të PS. Kjo, pasi Kolegji Zgjedhor gjykoi që akti normativ i KQZ nuk kishte të bënte më gjithë territorin e Shqipërisë, por vetëm me një njësi zgjedhore, atë të Tiranës dhe si i tillë nuk krijonte një normë për gjithë vendin”, ka sqaruar Ndreca.
Sipas tij, akti normativ i KQZ për numërimin e votave të kontestuara nuk ishte përfundimtar, pasi ai bëri vetëm korigjimin e tabelave të KZAZ-ve të Tiranës.
Ndreca mendon se “thembra e Akilit” në procesin e numërimit është natyra partiake e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, KZAZ-ve.
“Procesi i numërimit po stonon, po zgjatet. Grupet e numërimit dhe nivelet e administrimit të këtij procesi nuk duhet të jenë partiake, duhet gjetur një formë tjetër, jopartiake, ndofta forma elektronike, si e kanë vendet e BE”, ka nënvizuar Ndreca.