E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndriçim Xhepa, aktor kryesor në një serial televiziv të Gjergj Xhuvanit

 

Pas bashkëpunimit në filmin “Lindje, perëndim, lindje”, një realizim konkurrent në seksionin e filmit me metrazh të gjatë në festivalin TIFF, që po mbahet në Tiranë, regjisori Gjergj Xhuvani ka zgjedhur sërish aktorin e njohur Ndriçim Xhepa. Por kësaj here bëhet fjalë për një serial televiziv me dhjetë seri, për të cilin kanë filluar xhirimet disa ditë më parë në Tiranë. Është një histori-dramë, ku Xhepa do ketë rolin e një burri me të gjitha problemet, konfliktet, të papriturat e kohës dhe realitetit aktual shqiptar. Ende nuk janë zbuluar aktorët e tjerë, por deri tani flitet që një rol episodik në këtë telefilm do të ketë edhe Tinka Kurti. Seriali, xhirimet e të cilit do të përfundojnë shpejt do të transmetohet në një nga kanalet e platformës “Digitalb”, në “Top Channel”. Ndriçim Xhepa është nga aktorët më të preferuar të regjisorëve shqiptarë në teatër dhe film në gjithë karrierën e tij. Bashkëpunimet e tij me Xhuvanin kanë qenë të pëlqyera, si  në filmin “Parrullat” apo “I dashur armik”. Aktori 52 vjeçar numëron mbi 40 role në teatër dhe mbi 30 role në filma, si dhe shumë çmime në festivale të ndryshme. Kjo është hera e parë që ai interpreton në një film televiziv me seri, realizime të rralla në Shqipëri, që u iniciuan nga regjisori Ylli Pepo me telenovelën “Njerëz dhe fate”, të transmetuar fundjavave në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar. Paralelisht me këtë seri, një grup tjetër aktorësh të njohur si; Viktor Zhusti dhe Eva Alikaj po xhirojnë një serial të ngjashëm që do transmetohet nga “Vizion Plus”, dhe që do të zgjasë dy vjet. Këto dy seriale janë të bazuar mbi realitetin aktual dhe dramën e personazheve. Ndërkohë që një risi në ekranet shqiptare është realizimi i serialeve për të qeshur të ngjashëm me “Friends”, siç është “Komuna e Parisit”, ku shumica e aktorëve janë personazhet e njohur të spektaklit “Portokalli”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›