E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fotografitë e harruara të Sotirit

Mes rrugicave të Korçës, ata që njohin rishtas historinë e fotografisë shqiptare, kërkojnë "thesarin" e Sotirit. Gjendet në një shtëpi të thjeshtë, i shpëtuar për dashamirësi të fatit. Janë rreth 15 mijë negativë. Portrete, peizazhe, foto familjare, rrugica qyteti, artistë, kalimtarë, lypsa etj. Të gjithë qëndrojnë heshtur në xhama. Siluetat bëhen të dallueshme nëse i vendos në një vend ku t‘i përshkojë drita. Ka shumë vite që dihet ekzistenca e tyre. Po kaq e gjatë është edhe indiferenca. Fototeka e Kristaq Sotirit, dalë nga studioja që ai ngriti pas kthimit nga Amerika, është pothuajse e panjohur. Pas Marubit, do të shënonte një tjetër trashëgimi për t‘u krenuar. Për t‘ia bërë të njohur edhe botës. Në përditshmërinë e saj, familja, trashëgimtarja e kësaj pasurie, është kujdesur veçse t‘i ruajë. Edhe këtë aq sa mundet. Disa edhe janë dëmtuar. Nën zë, njerëz të thjeshtë apo veshur me një gramë pushtet, thonë se duhet shpëtuar. Por puna çalon kur flitet për fonde. Së fundmi, Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore e ka bërë një hap të parë. Ka paraqitur në Ministrinë e Kulturës një projekt që do t‘i hapte rrugë së pari inventarizimit të trashëgimisë në filma fotografikë. Do të duheshin rreth tre muaj për skanimin dhe dokumentimin e tyre. "E gjithë sasia e negativave të fototekës, pasuri private ‘Sotiri‘, që ruhet nga trashëgimtarët e këtyre fotografëve duke u inventarizuar, shmang humbjet e imazheve që këto ruajnë si pasojë e faktorit kohë. Së dyti, kjo pasuri e inventarizuar krijon mundësinë e shfrytëzimit nga studiuesit dhe institucionet e interesuara dhe nga ana tjetër hidhet hapi i parë dhe i pashmangshëm për të ardhmen, me plotësimin e kërkesave që kjo fototekë të futet në radhën e institucioneve (private apo shtetërore) të disponueshme për studim, vizita, për njohje dhe botime", shprehet drejtori i QKIPK-së, Izet Duraku. Në banesën e pasardhësve, rreth 15000 negativë në xham, të realizuara në Korçë dhe rrethinat e saj në gjysmën e parë të shekullit XX, janë të paregjistruara as me numërim dhe as me imazhet që mbartin dhe ruajnë. Distanca kohore i bën të humbasin edhe domethënien e tyre. Aq më tepër që tashmë edhe Gjergji, djali i Sotirit, është ndarë nga jeta disa muaj më parë. Ishte i ndërgjegjshëm që koha nuk priste, që një pjesë e fotografive do të mbeteshin thjesht si imazhe, të privuara nga një historik i tyre. Por në derën e tij kishin trokitur më së shumti kureshtarë, edhe të huaj, por jo njerëz të Kulturës me projekte në dorë. Edhe ky projekt inventarizimi nuk e ka të sigurt të ardhmen. Nuk dihet ende nëse është shfletuar në zyrën e projekteve. Sipas Durakut, puna do të vazhdohet me trashëgimtaren e këtyre negativëve, duke marrë për asistencë edhe specialistë nga fototeka "Marubi". Në projekt, është parashikuar që puna të fillohet së pari me mbikëqyrjen e skanimit dhe numërimit. Në muajin e parë, çdo dhjetë ditë do kontrollohet puna e kryer nga Drejtoria e QKPIK-së dhe do të merret e regjistruar sasia e negativëve të skanuar. "Duke u inventarizuar kjo sasi negativësh prej xhami, hapet rruga dhe krijohet mundësia që të kartelizohen me të gjitha të dhënat dhe të përfshihen në katalogun e pasurisë kulturore materiale kombëtare", thekson Duraku. Kristaq Sotiri nuk e shtriu objektivin e tij jashtë Korçës. Fokusoi peizazhe të qytetit dhe të rrethinave, rrugica, portrete artistësh e njerëzish të thjeshtë, familjarë, lypsa...Nuk janë shkrepje të thjeshta. Disa prej tyre, të ruajtura në koleksionistë apo edhe të trashëguara nëpër familje, tregojnë për një art të vërtetë fotografik. Ato kanë ndjeshmërinë që të tjerat, ato në negativë, nuk ua lejon xhami ta përcjellin. Presin një dorë t‘i lëvizë nga kutia e thjeshtë e kartonit, ku për vite me radhë janë ruajtur pa ditur se çfarë t‘u bënin. Po ashtu shpresohet që projekti i inventarizimit të mos mbetet në letra, për të pritur kush e di se sa të hartohet një i dytë. Ndërkohë, Korça e gjysmës së parë të shekullit XX, do të vazhdojë të mbetet një hije kujtimi. Kristaq Sotiri lindi në Mborje të Korçës në vitin 1883. Në qytet ka qëndruar derisa u rrit. Këtu, deri në moshën 17-vjeçare, ai ka punuar te kunati i tij, Kristo Solidhi, që ishte një patriot dhe një fotograf i vjetër korçar. E kishte tamam kunat, sepse i kishte dhënë të motrën. Solidhi ishte nga fotografët e parë korçarë, së bashku me Bendo Korçarin. Në Korçë, ndërkohë kishte ndjekur vetëm shkollën fillore. Emigroi drejt Amerikës në vitet 1902-1903. Deri në vitin 1919 kishte një studio të vetën në Nju Jork. Në vitin 1922, u kthye në atdhe, ku së bashku me piktorin Vangjush Mio hapi studion "Sotiri".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›