E Diel, 1 Nëntor 2026

Ylli i ri i ekonomisë gjermane

Karl-Theodor Zu Gutten
berg mban shpesh
dorën e majtë në xhepin
e pantallonave. Ky është
një gjest tipik i tij, që për disa
është shenjë mendjemadhësie e
për të tjerë krejt i papërshtatshëm
për një ministër. Në 10 shkurtin
e kaluar, në prezantimin si
kreu i Ekonomisë në qeverinë
"Merkel", kishte një pamje të
çlodhur dhe përshëndeste këdo
rreth tij me shumë dashamirësi.
Vetëm 37 vjeç, ai përbën një rekord,
duke qenë se është politikani
më i ri që ka vënë ndonjëherë
këmbën në Ministrinë e Ekonomisë,
në pozicionin e shefit të
madh. Guttenberg, që në fillim ka
deklaruar se dëshiron që ta përballojë
detyrën e re me besim e
kurajo, por edhe me këmbët ngulur
fort në tokë. Kur e caktuan sekretar
të përgjithshëm të Unionit
Kristian-Social, nuk i kishte shkuar
ndër mend se qëndrimi në
këtë post do të kishte zgjatur
vetëm 100 ditë. Propozimin për
ministër të Ekonomisë thotë se e
priti shumë i befasuar, por e pranoi
duke u nisur nga ndjenja e
detyrës, duke qenë i bindur që
edhe qëndrimi në këtë pozicion
do të jetë i shkurtër. Në shtator, në
Gjermani do të zhvillohen zgjedhjet
e përgjithshme dhe pas tyre
kush e di se si do t‘u shkojë puna
koalicioneve. Guttenberg ka
pamjen klasike të një të riu të rritur
mirë e ambicioz: flokët me
xhel, syze firmato, veshje të gjitha
super të shtrenjta dhe një grua
shumë të bukur. Kur prezantohen
së bashku në veprimtari të ndryshme
zyrtare, por edhe nëpër ballo,
të gjithë i kanë sytë tek ata.
Bashkëshortja e ministrit është e
gjatë, bionde, shumë elegante
dhe mbi të gjitha edhe ajo me një
"gjak blu". Është kontesha Bizmark-
Schonhausen, që i shton
edhe më sqimë ministrit të ri.
Guttenberg-ut i pëlqen që të
shfaqet edhe si filozof. Për Krishtlindje,
në cilësinë e sekretarit të
përgjithshëm të CSU-së, dërgoi
urime festash me mesazhe
shumë filozofike. Në njërin prej
tyre ishte shkruar: "Në një epokë
kur sistemet kryesore drejtuese
janë vënë në diskutim, kur
shpallen thyerje kulturore dhe
kundërshtohen forcat e mirëqena
shoqërore, shumë gjëra mund
të na duken të pa vlera, por logjika
nuk e do që vlerat të mos kenë
vlerë, kjo do të ishte një katastrofë
e vërtetë. Liria dhe përgjegjësia
personale janë të vetmet që do të
na ndihmojnë të përballojmë
goditjet më të rënda. Krishtlindjet
janë një moment i mirë për ta
pasur këtë parasysh". Guttenberg
ka prejardhje fisnike dhe
pema gjenealogjike e familjes së
tij shtrihet deri në vitin 1149.
Vetëm një fakt i tillë mjafton që të
të shndërrojë në një personazh
unik. Sikur të mos mjaftonte kjo,
Guttenberg ka dhjetë emra që flasin
për trashëgiminë dhe sërën e
tij. Ja si quhet në të vërtetë ministri
i ri: Karl-Theodor Maria Nikolaus
Johann Jacob Philip Franz
Joseph Sylvester Freiherr von und
zu Guttenberg. Por ata që e njohin
nga afër i thërrasin shkurt Kt.
Gjyshi i Karl-Theodor ishte
parlamentar në kohën e Konrad
Adenauer dhe sekretar Shteti në
qeverinë e Kiesinger (1967-1969).
I ati, Enoch, ka qenë një drejtues
i lartë i partisë dhe stërxhaxhai
Karl Ludwig mbështeti rezistencën
e Claus Schenk von
Staufenberg kundër nazizmit
dhe për këtë u dënua me vdekje.
Familja e tij është me parime të
forta. I ati dhe gjyshja u larguan
nga Unioni Kristian-Social në vitin
1992 dhe pas vendosjes së ishguvernatorit
të atëhershëm të Bavarisë,
Max Streibl, vendosi që të
mos merrte pjesë në një manifestim
në mbështetje të emigrantëve,
viktima të sulmeve të
ekstremit të djathtë. "Kur në një
vend paqësor vriten njerëz, persekutohen,
plagosen, ofendohen
dhe shkatërrohen varrezat e monumentet
hebraike, partia që ka
shumicën nuk mund të qëndrojë
indiferente. Jemi shumë të indinjuar",
shkruajnë në letrën e tyre
të largimit nga partia Guttenbergët.
Por kohë më vonë, i ati i ministrit
aktual u rikthye sërish në
radhët e partisë, me vetë
kërkesën e të birit, pas një bindjeje
të shkëlqyer që ai i bëri arsyes
së rikthimit. Një nga karakteristikat
më tipike dhe armët më të
forta të Guttenberg është edhe
retorika e tij e pasur dhe e shkoqur.
Karriera e tij e shkëlqyer i
detyrohet shumë fjalimeve të tij.
Sipas shumë personave, ai është
"artist i fjalës, e ledhaton atë sikur
të ishte një lule e brishtë, me të
cilën çarmatos tërësisht kundërshtarin".
Shfaqjen e tij të parë të
madhe, Guttenberg e pati në
Kongresin e Partisë në dhjetor të
vitit 2007. Falë një fjalimi rrëzëllues
ia doli që të mundte kundërshtarin
e tij brenda partisë dhe të
merrte shumicën e votave të delegatëve.
Në përgjithësi, Guttenberg
është një njeri me personalitet
të fortë. Sapo mori detyrën
si sekretar i përgjithshëm i partisë
në nëntor të vitit të kaluar, nisi të
sulmonte aleatët kristianëdemokratë
në çështjet e taksave.
Në këtë periudhë nisi që të
shfaqej aq shumë e të fliste aq
gjatë e me aq këmbëngulje për
ndryshimet që kërkonte të kryente
sa të jepte përshtypjen e një
njeriu të bindur tërësisht në atë
që donte të arrinte: uljen e taksave.
Në një rast, këmbëngulja e
tij shkoi deri aty sa ai refuzoi t‘i
linte fjalën Kancelares Merkel
gjatë një kongresi të CDU-së në
Shtutgart në fillim të dhjetorit.
Merkel nuk kishte mundur as ta
përfundonte fjalimin e hapjes,
kur ministri kishte ndërhyrë,
duke deklaruar se asgjë nuk do ta
kishte shmangur nga pozicioni i
tij. Në po atë rast, ndër të tjera, tha
se kishte ardhur momenti që të
fitonte zemrën e popullit. Në të
vërtetë zemra dhe ndjenjat nuk
janë ende pikat e tij të forta. Në
sytë e parlamentarëve dhe politikanëve
të tjerë, Guttenberg nuk
është personi me të cilin mund të
bësh biseda të lirshme, apo të
konsumojnë ndonjë birrë. Për ta
ai është një koleg i ftohtë dhe i
largët, që merr urdhra vetëm nga
koka e tij dhe nuk e dëgjon kurrë
zemrën, apo instinktet. Shpesh e
përshkruajnë si një njeri të vendosur
dhe ndonjëherë edhe pak
arrogant. Një politikan që punon
me të thotë se vetë Guttenberg i
pëlqen që ta përkufizojnë si një
person të "shquar", që e gjen veten
mirë në të gjitha ambientet.
Nuk është e qartë nëse sjellje të
tilla do ta ndihmojnë apo jo në
punën e tij të re e tepër të vështirë.
Është tërësisht e kundërta e
paraardhësit të tij, Michael Glos.
Ndoshta ky është edhe shkaku që
Kancelarja e firmosi menjëherë
emërimin e tij. Ai iu duk shefes së
madhe me shumë vlera, sepse së
pari është shumë i shkolluar dhe
me përvojë, është një poliglot dhe
ka mjaft kontakte në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës. Karl-Theodor
ka punuar prej vitesh në Nju
Jork në sektorin e bankave të investimit
si përfaqësues ligjor i
ndërmarrjeve të mëdha. Përballë
krizës financiare që ka përfshirë
ekonominë botërore, ka mjetet e
duhura për të kuptuar atë që po
ndodh realisht. Brenda një kohe
të shkurtër, Guttenberg u katapultua
nga niveli i ulët i grindjeve
në partinë e tij, te sferat më të larta
të politikës së vendit. Edhe pse
ai nuk do të qëndrojë gjatë në këtë
pozicion, ka synim që të bëjë
ndryshime të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›