E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja në Uashington për Epirin e Veriut



Çarl Hart (Charles C Hart), president i Miqëve Amerikanë të Shqipërisë, ish-ambasador i SHBA-ve në Shqipëri në vitin 1926, politikan i hollë, historian me dijeni të thella dhe kundërshtar i rreptë i padrejtësive u ngrit si mal madhështor, sidomos në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetarë eprorë grekë, brenda dhe jashtë vendit, zunë të shurdhonin botën se i quajturi prej tyre “Epir i Verìut” i përkitkësh Greqisë. Me dredhi e dinakëri të grekët, ata po gënjenin botën dhe po bënin me vete edhe politikanë amerikanë të dorës së parë; ndër ta edhe senatorin me shumë peshë, Péperin. Kundër gjykimeve të tij ngriti zërin i dëgjuari Çarl K. Hart dhe e detyroi të mbyllte gojën. Në njërën prej letrave të veta të botuara në “Washington Post” të 1 marsit 1946, Peperit i shkruante: “Keni shpallur se do të bëheni mbrojtës i fushatës për drejtësi të Komitetit Grek, i cili lufton për kërkesat greke të zhdëmtimeve të luftës, kur do të bëhen traktatet e paqes me shtetet e Ballkanit. Si zakonisht, senator Pepper…ju dridheni nga zemërimi për “padrejtësitë” që i janë bërë Greqisë…Lëvizjen e Drejtësisë për Greqinë e polli K. Dhiamandópullosi, ambasadori grek në Uashington dhe kryetari i makinës së propagandës së organizatës imperialiste greke në SHBA…Ju jeni në një shoqëri të keqe. …Miqtë Amerikanë të Shqipërisë n녓Washington Star” të 23 korrikut të vitit të kaluar kanë bërë kërkesa për zhdëmtime lufte…edhe të viktimave të tjera të Musolìnit: Shqipërinë, Jugosllavinë dhe Etiopìnë…Ju, senator, thoni se drejtësia për Greqinë ka 4 qëllime; i 3-ti ndër ta është “Kthimi i Epirit të Veriut Greqisë”. Kjo deklaratë arrin të thotë që të vuloset qysh tani një përpjekje grabitqare kundër Shqipërisë së varfëruar, për të cilën Greqia ka 32 vjet që po bën çmos; ky i kështuquajturi “Epir i Veriut” është Shqipëria e Jugut…Kërkesa ka qenë gjithnjë kaq qesharake, sa që vendimi kundër Greqisë është dhënë tri herë rresht. Në gushtin e 1923-it, Lidhja e Kombeve dërgoi në Greqi një komision për të përcaktuar në vend kufirin greko-shqiptar. Të gjithë anëtarët e atij Komisioni; - 4 italianë dhe një përkthyes shqiptar, - u vranë pa mëshirë ditën që arritën në Greqi. Kjo qe mënyrë greke për të zgjidhur në atë kohë një grabitje kufiri …Këtë herë u përdor një metodë më e stërholluar; dora e vdekjes që u përdor kundër Komisionit të pafat të vitit 1923, u zëvendësua me ju dhe shumë nga kolegët tuaj.

Vrasësit edhe në këmbë

Qeveria greke s’i kapi kurrë vrasësit; kështu tregoi fajësinë e saj dhe si shenjë njohjeje të fajit, pranoi ndëshkimin, duke i paguar Italisë 1 milionë dollarë...Ky i ashtuquajturi “Epir i Veriut” nuk ka qenë kurrë pjesë e Greqisë, të paktën që 600 vjet e këtej…Meqë kërkesa greke bazohet në gjeografinë e vjetër, është interesante të përmendim se Straboniin, - një nga autorët më të mëdhenj të Greqisë së vjetër (lindur më 64 p.e.s)- na thotë se epirìtët nuk flitnin greqisht, po ilirisht; kjo do të thotë se ata nuk ishin aspak grekë, po shqiptarë.
Grekët që kanë kërkuar përkrahjen tuaj, senator Pepper, janë kryesisht monarkistë grekë në SHBA, të udhëhequr nga z. Dhiamantopullos…Për të grabitur Shqipërinë e Jugut, z. Dhiamandopullos, flet pa kursim se Shqipëria e ka shitur pavarësinë e saj në vitin 1939, si përfundim i dallavereve të shumë vjetëve me Musolinin. Konferenca e Ambasadorëve, një ndihmëse e Lidhjes së Kombeve, Shqipërinë e shiti për herë të parë më 9 nëntor 1921, kur votoi që këtë vend ta bënte mundësisht (hamendësisht) një vend nën mbrojtjen e Italisë, pa mbajtur parasysh se Shqipëria qe një anëtare e rregullt e Lidhjes së Kombeve e që si e tillë kishte të drejtën e sigurimit nga Lidhja e Kombeve. Shqipëria s’e pranoi atë vepër gjer në qershor të vitit 1926, kur Musolini qeverisë shqiptare i kërkoi që të nënshkruante një dokument që ta pranonte për mbrojtës. Për të fituar kohë, qeveria shqiptare ftoi në takim ministrat: amerikanin, britanikun, francezin e jugosllavin dhe i njoftoi se kishte vetëm 24 orë afat para se të vinte nënshkrimin. Ministri britanik…ngriti zërin kundër kësaj përçapjeje italiane; mirëpo, për fatin e tij të keq, u thërrit nga Austin Çamberlani –ministri i P. J.,- dhe, ngaqë kishte vepruar ashtu, e detyroi të dorëhiqej; kjo për të marrë me të mirë Musolinin.
Si ministër i Amerikës, atë kohë, në Tiranë unë e dëgjova përmbajtjen e kërkesës italiane dhe thashë se do ta raportoja në Uashington. Po…duart e qeverisë sonë ishin të lidhura nga politika izolacioniste që Senati kishte vendosur…Franca e Jugosllavia s’ bënë asnjë veprim dhe Shqipëria, pa një ndihmë të jashtme, me një traktat që u bë në nëntor të 1926-s, pa dashje iu dorëzua Italisë. Ai traktat përgatiti udhën e invadimit italian 13 vjet më vonë.
Tani, senator, dëgjo! Përpara se të shkoni thellë, duke përkrahur kërkesat greke, unë ju këshilloj të merrni vesh se ç’ndiejnë grekët për punën e një plebishiti në Shqipërinë e Jugut, të cilën ata me dhelpëri e quajnë “Epir të Veriut”. Për qindra vjet rresht, Shqipëria e Jugut ka qenë e populluar në mënyrë mbizotëruese me shqiptarë nga Korça –qyteti i dytë më i rëndësishëm i Shqipërisë, - të cilin grekët e kërkojnë si një dhuratë speciale; popullsia e saj është tërësisht shqiptare. Udhëheqësit reaksionarë grekë kanë heshtur me dashje në çështjen e një plebishiti. Pyeti se ç’mendojnë për një punë të tillë. Miqtë amerikanë të Shqipërisë s’kanë asnjë frikë nga vota e popullit të Shqipërisë së Jugut.

Për të mirën tuaj, kini mendjen!

Grekëve, gjithnjë dallaveraxhinj natyralë, u vjen mirë” që me kërkesën marramendëse për zhdëmtime lufte “të paraqitur tetorin e kaluar”, të mbysnin dy vendet dëmpaguese: Italinë dhe Gjermaninë. Nëse u jepej shuma e kërkuar, “atëherë do të shkatërrohet edhe ekonomia e Evropës dhe e Botës”; madje “nuk do të mbetet asgjë për ato kombe që kanë humbur shumë mijëra herë më tepër njerëz, të holla, gjak, djersë, punë dhe lot”.(AQSH. F251, kutia 3, f.q. 36-40); padyshim që këtu e ka fjalën për Shqipërinë, shtetin më të dëmtuar. Në një tjetër letër, të botuar në “Washington Post”, më datë 11 mars 1946, Peperit i drejtohej me këto fjalë: “T’u shkruaj juve, senator, u bë udhë, kështu që të jesh i përgatitur se nga unë ke për të dëgjuar deri sa ju keni për të treguar interes në qëllimet grabitëse të grekërve, të cilët duan të rrëmbejnë pjesën më të pasur të Shqipërisë. Kam përpara meje një kopje të rezolucionit të paraqitur më 19 shkurt, me anë të të cilit kërkohet kthimi i “Epirit të Veriut” - duke futur brenda dhe Korçën, - Greqisë. Rezoluta e juaj u përpilua dhe iu paraqit Senatit më 1919, nga i ndjeri, senatori Henri Kabot Logde…Ai pranoi paditurinë e tij mbi këtë çështje, po tha se nuk dukej se kishte ndonjë kundërshtim.
Rezoluta e juaj nuk ndryshon as edhe një fjalë apo rrokje të rezolutës së Logde-it, e cila u miratua nga Senati më 20 janar 1920, kur nuk qe bërë as thirrja e emrave të të pranishmëve. Ai që kryesonte mbledhjen, tha vetëm: “Meqënëse s’ka ndonjë kundërshtim, rezoluta miratohet”. Në atë mbledhje kishte vetëm 5 senatorë; ndër ata që mungonin ishte edhe vet senatori Logde.
Asokohe Shqipëria s’kishte miq në këtë vend dhe për amerikanët nuk ishte si shtet. Prandaj, nuk kishte asnjë që t’i kundërvihej dredhisë së Logdes. Po rezoluta e senatorit Logde s’kishte fuqi ligjore, siç do të kishte e juaja.
Shqipëria u njoh nga qeveria jonë më 1922…Ajo tani ka me mijëra miq në Amerikë; këta janë të vendosur që atij vendi të vogël t’i bëhet drejtësi. Reaksionarët imperialistë dhe monarkistë grekë, të cilët janë duke u përpjekur –dhe deri diku me sukses- që të organizojnë Senatin e SHBA-së me qëllim që të grabisin tokë nga Shqipëria, do të dështojnë. Në “Washington Post” të 1 marsit kam treguar se imperialistët grekë kanë qenë mundur tri herë gjatë përpjekjeve të tyre të fëlliqura për të rrëmbyer një pjesë të Shqipërisë…

Grekët kërkojnë Korçën. Përse?

Pasi tregon rëndësinë politike dhe ekonomike si edhe shqiptarësinë e saj, Ç. K. Harti vazhdon: “Senator Pepper, mendoje prapë këtë punë!...Më tepër se 40. 000 shqiptarë tani mjerisht banojnë në provincën greke të Janinës, ku popullsia shqiptare është zotëruese. Duhet që në Janinë të ketë një plebishit për hir të atyre shqiptarëve tani të shtypur nën represionin grek, po një gjë e tillë nuk zihet në gojë….

Senatorit Tom Connally
Përpara Komitetit me rëndësi të Senatit që ju kryesoni, gjendet rezoluta 82, që t’i jepet Greqisë imperialiste dhe grabitëse titulli mbi një të katërtën e popullsisë së Shqipërisë dhe një të pestën e burimeve agrare më të pasura të vendit”. Më tej Kenellit i përmend se shteti Teksas nga është edhe Kenelli, pavarësinë nga Meksika e fitoi më 1836. Kështu, meqë pjesa shqiptare e kërkuar nga Greqia s’ka qenë kurrë me Greqinë, a nuk mund të ketë aq të drejtë “sa ka dhe populli juaj për shtetin Teksas?. Të lutem, mbaji në mend këto gjëra, nëse rezoluta 82 e Senatit vjen për t’u shqyrtuar në Komitetin tuaj!

Zotit Sunner Welles
… ju keni bërë një gabim që më në fund e bën çdo gazetar që detyrohet të mbushë një shtyllë gazete çdo ditë, ndonëse me vështirësi gjen ndonjë temë që vlen të bisedohet. Në «Washington Post» të 6 marsit ju analizoni «Të drejtat e traktateve greke» dhe, kur fillon të merresh me çështje që janë kaq larg nga njohuritë e tua, thëniet tuaja stërhollohen dhe zgjatohen në mënyrë të rrezikshme. Për këtë arsye ju nga një herë bini në gabime dhe ju pëlqen të fshikulloni kamxhikun. Së pari, nëse Greqisë apo çdo vendi tjetër i jepet rrip i gjatë toke në kufijtë e saj që i përket një vendi fqinj me qëllim sigurimi kombëtar¹, unë ju pyes: “Atëherë, përse hyn në punë Këshilli Ndërkombëtar i Sigurimit që është ngritur tani së voni?”. Nëse për të ruajtur sigurinë e një kombi u dashka që t’i jepet këtij kombi tokë që i përket një fqinji më të dobët, unë them se UNO mundet fare mirë të vetëasgjësohet menjëherë. Ju i përmendni kërkesat greke mbi …Shqipërinë si “ndreqje të vogla toke”,…Këto “ndreqje të vogla” në Shqipëri kanë për qëllim që t’i grabisin këtij vendi një të katërtën e popullsisë e një të pestën e tokës së saj më të mirë dhe 250.000 shqiptarë t’i bëjnë skllevër….
Zoti Uelles, ju dhe senatori Pepper që keni marrë përsipër çështjen e imperialistëve grekë…, dëgjoni! Virgjili ka thënë: “Unë i kam frikë grekërit edhe kur sjellin dhurata”. Euripidi, vetë një grek, ka thënë: “Mos i zër besë asnjë greku!”. Virgjili dhe Euripidi, duke përfaqësuar kulturën më të lartë të kohës së tyre, kanë njohur tipin e grekut reaksionar, imperialist e monarkist, si ai² që ka fryrë senatorin Pepper dhe ju me veprime të shtrëmbta përsa u përket kërkesave greke. Këta grekë, mjeshtër të intrigave, kanë qenë të kujdesshëm që të mos ju paraqesin as juve, as senatorit Pepper kërkesat e plota të Greqisë, të cilat në letër do të bënin njeriun të besonte se pjesa më e madhe e gjysmës perëndimore të hemisferës së Lindjes ka qenë e krijuar vetëm për Greqinë. Këta imperialistë, ndofta do të donin të ndryshonin edhe përmbajtjen e lindjes fillestare: “Zoti më parë krijoi qiellin dhe tokën për Greqinë”.
Greqia, dikur djepi i artit e i kulturës, nën udhëheqjen e imperialistëve të uritur, tani është bërë një shesh cmire dhe lakmie që kërcënon paqen e botës…Këtyre grekëve tokë-grabitës u pëlqen që Shqipërinë ta quajnë si një «shtet muhamedan të vogël, të ndyrë e barbar» dhe si «vend kusarësh».
Shqipëria në 50 vjet e këtej s’ka prodhuar asnjë shembëll kusaresk kaq të poshtër, kaq të djallëzuar, sa vrasja më 1923 në Greqi e Komisionit zyrtar të Lidhjes së Kombeve, i cili ishte dërguar të përcaktonte në vend kufirin greko-shqiptar.

Një fjalë të fundit, senatorit Pepper
Zhvishuni nga këshillat dhe mënjanohuni nga shoqëria e reaksionarëve të maskuar imperialistë dhe monarkistë, që duan t’ju bëjnë udhëheqës në grabitjen e një vendi të vogël e të pambrojtje, i cili ka qenë viktimë e njerëzve dhe e kombeve të këqij që 3.000 vjet e këtej!” (AQSH. F.251, dos 14, fletët 30-35).

1) Përsëritje kërkese, e parashtruar Konferencës së Ambasadorëve dhe Konferencës së Paqes nga kryeministri, Lefter Venizellua dhe kryekomandanti, gjen. Danglliu.

Autori i shkrimit është historian dhe studiues i folklorit

18 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›