E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia: Gjatë muajit korrik ra numri i aksidenteve, të vdekurit, më të shumtë



TIRANË - Policia e Shtetit ka bërë të ditur dje se numri i aksidenteve ka rënë. Kjo gjë është bërë e ditur gjatë një konference shtypi të dhënë nga drejtori i Policisë Rrugore, Vullnet Topalli. Sipas tij, në muajin korrik të 2010-s kanë ndodhur gjashtë aksidente, me pasojë vdekjen, më pak se në vitin 2009. Por, pak ditë më parë, gjatë analizës njëmujore të Drejtorisë së Policisë Rrugore, u bë e ditur se në 151 aksidente të ndodhura gjatë të njëjtit muaj, kanë humbur jetën 51 qytetarë. Sipas të dhënave të policisë i bie që në muajin korrik të ketë pasur më pak aksidente, por më shumë të vdekur. Gjatë korrikut të 2010-s, në krahasim me një vit më parë, shifra e të vdekurve është rritur me dy viktima.
Deklarata
Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Vullnet Topalli, gjatë konferencës së djeshme për shtyp, u shpreh: “Kam kënaqësinë t’ju bëj të ditur të dhëna që dëshmojnë për një përmirësim të ndjeshëm të sigurisë rrugore në të gjithë territorin e vendit. Riorganizimi i Policisë Rrugore në drejtori më vete dhe struktura të varësisë, në më pak se dy muaj ka përmirësuar kontrollin dhe ka lehtësuar qarkullimin e automjeteve, ka sjellë menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore dhe ka rezultuar efikas si në parandalimin e aksidenteve, ashtu edhe në ndëshkimin e kundërvajtjeve nga drejtuesit e automjeteve”. Sipas tij, “njësitë rajonale të Policisë Rrugore dhe Njësia e Kontrollit të Autostradave, si strukturat kryesore të Drejtorisë së Policisë Rrugore, gjatë këtyre dy muajve kanë bashkërenduar veprimet në veçanti për përballimin e fluksit të automjeteve që është shtuar ndjeshëm gjatë sezonit turistik”. Gjatë konferencës ai paraqiti dhe disa të dhëna në lidhje me punën gjatë muajit korrik të këtij viti, duke e krahasuar me vitin e kaluar, 2009. “Në korrik 2010 kanë ndodhur 36 aksidente me pasojë humbje jete, ndërsa në korrik 2009 kanë ndodhur 42 të tilla. Ju sjell në vëmendje ndërkohë se gjatë kësaj periudhe, në territorin e Shqipërisë ka pasur një fluks shumë më të madh automjetesh në qarkullim se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Drejtoria e Policisë Rrugore i ka kushtuar një rëndësi të veçantë zbatimit rigoroz të masave ndëshkuese ndaj kundërvajtjeve dhe shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor”.
Apeli
Drejtori i Policisë Rrugore tha se, “bazuar në këto të dhëna, duke bërë përllogaritjen në raportet për numër aksidentesh me mjete në qarkullim, rezulton se kemi rënie të ndjeshme të numrit të aksidenteve, kjo falë punës parandaluese dhe zbatimit me rreptësi të masave ndëshkimore”. “Së fundi, e konsideroj me shumë rëndësi, dhe për këtë u lutem për bashkëpunim të gjitha mediave, të rrisim shkallën e ndërgjegjësimit të përdoruesve të rrugës. Prania e shtuar dhe e vazhdueshme e punonjësve të Policisë Rrugore nëpër akset rrugore të vendit, e po ashtu zbatimi me rigorozitet i masave ndëshkimore, mund të sjellin një standard të ri në statistikat e qarkullimit rrugor nëse do të shoqëroheshin me informimin, edukimin dhe ndërgjegjësimin e përditshëm të përdoruesve të rrugës. Si drejtues i Drejtorisë së Policisë Rrugore dëshiroj t’u bëj një apel të gjithë drejtuesve të automjeteve në veçanti dhe përdoruesve të rrugës në tërësi, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të dëshmojnë qytetari në përdorimin e rrugës, të respektojnë punonjësit e Policisë Rrugore dhe të bashkëpunojnë me ta. Kështu do të mbrojnë veten dhe të tjerët”, - përfundoi deklaratën e tij për shtyp drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë, Vullnet Topalli.

Masat e marra
60 000 masa administrative (gjoba) janë vendosur në korrik 2010 kundrejt 50 955 në korrikun e kaluar, pra 9045 masa më shumë.
1784 leje drejtimi janë pezulluar në korrik 2010, kundrejt 739 leje drejtimi të pezulluara në korrik 2009, pra 1045 më shumë.
2017 automjete janë bllokuar në korrik 2010, kundrejt 810 automjete të bllokuara në korrik 2009, pra afro 1207 më shumë.

Përplaset në rrugë, vdes Peza
KAVAJË - Një tjetër aksident me vdekje ka ndodhur në orët e mesditës së djeshme. Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë së Kavajës kanë bërë të ditur se 53-vjeçari Jonuz Peza është përplasur për vdekje nga një makinë tip “Ford”, me targa të huaja, ndërsa po kalonte rrugën në qytetin e Kavajës.

Shtypet nga makina, vdes i riu
TIRANË - Një 34-vjeçar është aksidentuar për vdekje paraditen e djeshme në zonën e Laprakës në Tiranë. Policia thotë se i riu Fatos Reçi u godit nga një makinë me targa greke në korsinë e autobusëve. Mësohet se i riu ndërroi jetë në spital, ndërsa policia ka shoqëruar drejtuesin e automjetit.

Përplasen makinat, tre të plagosur
KORÇË - Tre anëtarë të një familjeje nga Peqini, të cilët po ktheheshin nga Greqia në drejtim të Korçës, janë aksidentuar dje në aksin Korçë-Bilisht. Policia thotë se automjeti i tyre është përplasur me një automjet tjetër, po me targa greke, që po udhëtonte në drejtim të kundërt. Në aksident kanë mbetur të lënduar: Astrit Xhafa, 35 vjeç, Anxhela dhe Sidorela Xhafa, përkatësisht 10 dhe 8 vjeçe. Mjekët thonë se vajza e vogël është në gjendje më të rëndë shëndetësore.

I moshuari përplaset për vdekje
MIRDITË - Në orën 05:00 të mëngjesit të djeshëm, një i moshuar është aksidentuar për vdekje nga një makinë me targa kosovare. Policia thotë se 72-vjeçari Ndue Seferi po kalonte autostradën Rrëshen- Kalimashkur është përplasur me mjetin në afërsi të fshatit Zallxhuxh. Policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit dhe po kryen veprimet hetimore për të përcaktuar dhe shkakun e aksidentit.

Karabinierët arrestojnë “Tanon e arratisur”
PIAÇENZA - Vihet në pranga poshtë shtëpisë së të fejuarës. Ka përfunduar në këtë mënyrë arratisja e një shqiptari të kërkuar për shpërndarje lëndësh narkotike. Policia italiane ka bërë të ditur se gjatë operacionit të koduar “Tano” është vënë në pranga Dorian Ukën, ose ndryshe i quajtur nga policia “Tano i arratisuri”. Ai ishte i kërkuar prej disa muajsh nën akuzën e largimit nga liria e kushtëzuar. Shqiptari i arrestuar dhe në 2005-n e 2008-s, është një figurë shumë e njohur në shpërndarjen e lëndëve narkotike në Piaçenca. Sipas gazetës lokale të qytetit, “Piaçenza 24”, Uka kishte ikur në Shqipëri dhe më pas kishte hyrë në Itali sërish nga Greqia, disa ditë më parë. Policia kishte arritur tek ai duke ndjekur të fejuarën e tij, një vajzë 31 vjeçe, italiane nga Piaçenza. Uka, sipas policisë, kishte mbërritur në Itali me qëllim që të festojë ditëlindjen e së fejuarës. Pikërisht poshtë banesës së vajzës, në zonën Farnesiana, karabinierët e kanë vënë në pranga të kërkuarin. Ai kishte tentuar që të largohej, por ishte i rrethuar dhe është vënë në pranga.

Merr leje nga burgu, arratiset shqiptari i dënuar
TERNI - Një shqiptar është në kërkim nga Policia italiane, pasi është arratisur pas dhënies së lejes provizore. Burime nga karabinierët kanë bërë të ditur se shqiptari 44-vjeçar, emri i të cilit nuk është bërë i ditur ishte duke vuajtur dënimin për aksident me pasojë vdekjen. Sipas agjencisë italine “ANSA”, shqiptari nuk është kthyer në qeli pasi i ishte dhënë një leje disaditore. I arratisuri ishte dënuar për vrasje, e ndodhur në një aksident. 44-vjeçari kishte përplasur për vdekje një grua italiane duke qenë në gjendje të dehur. Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit shqiptari kishte marrë dhe dy leje të tjera shpërblyese për sjellje të mirë. Në të dyja rastet ai i kishte respektuar afatet. Por, siç duket, herën e tretë ai kishte vendosur që të arratisej dhe të mos kthehej më në qeli. Policia ka bërë të ditur se atij i kishte ngelur dhe pak kohë nga përfundimi i dënimit, gjë që siç duket nuk do të ndodhë, pasi atij i është shtuar dhe akuza e “largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit”. Ka tri ditë që atij i ka skaduar afati i lejes dhe është shpallur në kërkim.

18 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›