E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryezë rreth kuotës dhe barazisë gjinore

Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), ka organizuar të premten në Mitrovicë një tryezë në mënyrë që të arrihet një politikë e qëndrueshme dhe koherente rreth barazisë dhe kuotës gjinore, duke përfshirë edhe pikëpamjet e veçanta sa i përket diskursit për këtë çështje.

Sibel Halimi projekt menaxhere, theksoi se tryeza kontribuon në diskursin aktual për reformën zgjedhore të ligjit që është në proces. Sipas saj, me anë të këtij takimi synohet të kuptuarit më të mirë të veprimeve afirmative të tilla, siç është zbatimi i kuotave gjinore.

“Tryeza ka për qëllim të mbështes dhe ndikojë në formësimin e opinionit publik për të kuptuar se kuota gjinore nuk stigmatizon gratë në politikë”, ka thënë Halimi, duke shtuar se me organizime të tilla nëpër komuna, QKSGJ-ja dëshiron të sjellë argumentet për mbajtjen e kuotës gjinore në ligjin e ri zgjedhor.

Në këtë rast Ymrane Raifi nga Komiteti për Barazi Gjinore, foli për dhunën në familje duke përmendur emancipimin e femrës si faktor kryesor për një dukuri të tillë. Ajo potencoi diskriminimin ndaj femrave si diçka shumë të dhembshme, duke pasur parasysh faktin se ato janë dëshmuar të suksesshme në shumë sfera të jetës.

Kurse Florije Ibishi, zyrtare komunale, ka thënë se është me rëndësi strategjike të fuqizohet pozita e gruas në politikë dhe vendimmarrje, sepse nga kjo sferë ajo do të ndikojë drejtpërdrejtë në fuqizimin e saj edhe në sferat tjera.

“Nuk mund të priten ndryshime në favor të gruas përderisa vetë ne gratë nuk angazhohemi për të siguruar atë që na takon, përkatësisht vendin në jetën institucionale, publike dhe politike”, ka thënë Ibishi.

Ajo tha se kur flitet për gruan në përgjithësi gjithmonë duhet të kihet parasysh se flitet për gjysmën e më tepër të popullsisë, kështu që ky fakt i obligon femrat t’i qasen më seriozisht çështjes së gruas si një defekt të shoqërisë që duhet korrigjuar.

Florije Ademi, elaboroi rreth diskriminimit të femrës duke marrë si shembull se asnjë femër në Komunën e Mitrovicës nuk udhëheq me ndonjë drejtori nga 14 sa janë gjithsej aktualisht, ndërsa Remzije Istrefi-Peci nga organizata joqeveritare CBM, theksoi se duhet të punohet më shumë në edukimin e femrës, sepse ky është çelësi i gjithë suksesit. Kjo e fundit kërkoi edhe kushte më të mira për punë.

Në Tryezë kanë diskutuar edhe Afërdita Syla, Vjollca Meha, Gjyle Haziri, etj, të cilat përveçse kanë kërkuar takime të tilla më të shpeshta, potencuan se çështja e gruas duhet trajtuar me vëmendje më të konsiderueshme, dhe se me gjithë rezultatet e arritura, vizibiliteti politik i gruas në përgjithësi është i pamjaftueshëm. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›