E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: 2012-ta, vit i liberalizimit të vizave

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të premten se 2012 është vit i procesit të liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës. Ai ka theksuar se janë plotësuar të gjitha parakushtet për fillimin e këtij procesi dhe se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për plotësimin e të gjitha kritereve për hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave.

Ai këto komente i bëri të enjten në takimin e nëntë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, me ç’rast tha se gatishmëria e Kosovës për fillimin e këtij procesi, është konfirmuar edhe në Raportin e Progresit për vitin 2011.

“Viti 2012 është vit i procesit të liberalizimit të vizave. Nga viti 2011 institucionet qendrore dhe lokale kanë shënuar progres të konsiderueshëm në fushën e ri-integrimit të personave të riatdhesuar. Kjo është konfirmuar edhe nga raporti i progresit 2011 për Kosovën dhe strategjinë e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Qeveria konsideron se janë plotësuar të gjitha parakushtet për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave. Njëkohësisht, qeveria mbetet e përkushtuar për zbatimin efektiv dhe në afat rekord të të gjitha kritereve pas hapjes së dialogut për liberalizimin e vizave”, ka thënë Thaçi.

Por në këtë proces, kreu i ekzekutivit ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të ketë një trajtim të Kosovës si partner të barabartë, jo duke i bërë favore apo lehtësime, por të ketë qasje të barabartë sikur ndaj të gjitha vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Nga ana tjetër, pres që Bashkimi Evropian ta trajtojë Republikën e Kosovës si partner të barabartë në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Ne nuk presim favore apo lehtësime, por presim qasje dhe trajtim të barabartë sikur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u bazuar në kritere strikte dhe fer. Një qasje e njëjtë si me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor do të ishte një shtytës i rëndësishëm për gjithë shoqërinë kosovare dhe qeverinë për të vazhduar iniciativat rajonale dhe zbatimin e reformave të nevojshme”, ka theksuar Thaçi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka folur për përmbushjen e kritereve të ndryshme të nevojshme për procesin e integrimit të Kosovës, në mënyrë të veçantë për procesin e ri-integrimit të personave të riatdhesuar, si një prej kushteve elementare që një shtet të bëhet pjesë e procesit të liberalizimit të vizave.

“Bordi për integrimin e personave të riatdhesuar ka intensifikuar punën e tij. Në dy takimet e fundit ka aprovuar 167 kërkesa, kryesisht pako ushqimore, higjienike, si dhe strehim dhe zgjidhje të vendbanimit. Më 16 nëntor është mbajtur takimi i sekretariatit të bordit për integrimin e personave të riatdhesuar ku janë shqyrtuar mbi 50 kërkesa kryesisht mbi pakot ushqimore, higjienike, ndihmë për fillimin e bizneseve të vogla dhe renovimet e objekteve banuese, si dhe sigurimi i banimit për personat e riatdhesuar”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka përmendur edhe ngritjen e kapaciteteve edhe në drejtorinë për hetimin e narkotikëve dhe përgatitjet për zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, i cili hyn në fuqi në muajin shtator të vitit 2012.

Ndërsa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi ka paraqitur të arriturat e Zyrës për të drejtat e autorit dhe të drejtave të përafërta.

Gjatë këtij takimi u tha se pas publikimit të Raportit të Progresit, qeveria ka filluar procesin e rishikimit të Planit të Veprimit të Partneritetit Evropian për vitin 2012, të cilin synon ta miratojë deri në fund të këtij viti, ndërsa pas finalizimit të tij, do të vazhdohet me zbatimin e objektivave integruese.

Për të parë përmbushjen e këtyre objektivave, duke filluar nga muaji janar i vitit 2012, Ministria e Integrimit Evropian do të ofrojë pasqyra tremujore të përmbushjes së objektivave kyçe, e cila do të jetë edhe bazë për vlerësimin e punës së secilit ministër dhe departament. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›