“Ndryshim rrënjësor i cilësisë së shërbimit, shmang korrupsionin shkurton edhe kohën”

Ministri i PPTT Sokol Olldashi viziton qendrën e re të kontrollit teknik të automjeteve
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi ka vizituar dje qendrën e re të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore, për kryeqytetin. ambientet e të cilave, janë drejt përfundimit.
Sipas një njoftimi për shtyp, të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, mësohet se investimi i ri i koncesionarit “SGS Automotive Albania”, me vendndodhje në Prezë të Tiranës kap një vlerë prej 3 milion dollarë. Sipërfaqja totale e sheshit së bashku me ndërtesën është 7 145 m2 dhe në të janë parashikuar të ketë 6 linja kontrolli për mjetet, ndër të cilat 4 linja janë për automjetet e lehta dhe 2 linja për automjetet e rënda.
Aktualisht investime po kryhen jo vetëm në qendrën e re të kontrollit teknik të mjeteve në Prezë të Tiranës, por për të gjitha qendrat e Shqipërisë.
Gjatë vizitës në këto ambiente ministri Olldashi u shpreh se, “në këtë qendër të re, që do të jetë e gatshme për të filluar operimin më 6 shtator, do të ketë një ndryshim rrënjësor të cilësisë, të mënyrës dhe procedurave sesi i shërbehet klientëve, për të bërë të mundur që koha që ato shpenzojnë për të kryer kontrollin e detyrueshëm teknik, të jetë sa më e shkurtër dhe shërbimi të jetë sa më i mirë”.
Gjithashtu Ministri Olldashi në vijim të angazhimit për të ndjekur dhe mbikëqyrur përmbushjen e kontratës koncesionare nga subjektit koncesionar ‘‘SGS’’, theksoi se, “koncesionari deri tani ka tejkaluar parashikimet e kontratës për investimet. Oferta e tyre me të cilën janë paraqitur në konkurrim dhe janë shpallur fitues ka qenë 560 milion lekë, ndërkohë që sot që po flasim investimet po shkojnë në rreth 670 milion lekë. Janë 31 linja të reja të kontrollit teknik të mjeteve që po bëhen në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe që brenda një periudhe të shkurtër do ti ofrojnë qytetarëve shërbim cilësor, transparent dhe tërësisht të kompjuterizua në mënyrë që kontrolli i mjeteve nga një procedurë e bezdisur dhe shpesh herë korruptive, të shndërrohet realisht në një rutinë tërësisht teknologjike ku qytetari shërbehet dhe nuk torturohet”, u shpreh ministri Olldashi’.
Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, shpreh bindjen se përfundimi i investimit në projektin koncesionar do të jetë pionier jo vetëm për përafrimin e shërbimit në cilësi dhe standarde me shërbimin e kontrollit teknik në vendet e Bashkimit Europian por dhe në përmirësimin e ndjeshëm të sigurisë së qarkullimit rrugor të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre, të regjistruara në Republikën e Shqipërisë.