E Diel, 1 Nëntor 2026

“Akt barbar – nëse konfirmohen motivet e medias, po shfaqet një fanatizëm i tepruar”

Kryeministri Berisha dënon ngjarjen në Himarë

Kryeministri Sali Berisha ngushëllon familjen e viktimës ndërsa thekson se komuniteti në zonën e Himarës është bilingual dhe siç vëren kryeministri, kjo nuk është konfirmuar sot, por që para 100 apo 200 vjetësh

Kreu i ekzekutivit shqiptar, Sali Berisha ka dënuar dje ngjarjen e një dite më parë në qytezën bregdetare të Himarës, ku si pasojë e një konflikti banal, ka mbetur i vdekur shtetasi Aristotel Gumi. Berisha e konsideroi këtë një akt të shëmtuar dhe njëherazi të dënueshëm. Për këtë kreu i qeverisë kërkoi vënien para drejtësisë të autorëve përgjegjës.
“Vrasja e një njeriu në çdo rast, por me qellim është një krim i shëmtuar dhe i dënueshëm. Motivet, në rast se faktohen ato që thuhen janë edhe më të shëmtuara. Qeveria ka kërkuar dhe kërkon nga organet e rendit që të bëjnë çdo përpjekje për të vendosur autorin kryesor të këtij krimi para drejtësisë. E theksoj edhe një herë, në rast se faktohen motivet që njoftojnë mediat, por edhe njerëz të tjerë kjo e bën këtë krim edhe më mizor. është një gjest i një fanatizmi të verbër ekstrem. Nuk besoj të këtë shqiptarë, që nuk e dinë se komuniteti në atë qytet është bilingual dhe jo sot, edhe 100 vjet më parë, por edhe 200 vjet më parë. Të përgjigjesh në gjuhën që preferon, të përgjigjesh dhe të ndodh kjo, është shumë e rëndë. Sidoqoftë, këto do t’i hetojë dhe saktësojë drejtësia. Organet e rendit duhet që autorin ta vendosin para ligjit”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri vuri në dukje se i ka përcjellë një mesazh ngushëlli familjes së viktimës ndërsa i garanton ata se drejtësia do veprojë mbi autorët.
“Unë shfrytëzoj edhe këtë rast, pasi jam lidhur edhe me kryetarin e bashkisë dhe i kam përcjellë familjes ngushëllimet, t’i shpreh sërish familjes ngushëllimet, sepse është një akt i shëmtuar të vrasësh dikë duke u kthyer në shtëpinë e vetë. është një akt barbar”, deklaroi më tej, kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›