Ndryshim sistemi edhe për nxënësit
Në shtator, muaj kur nis shkolla për arsimin parauniversitar, nuk do të ketë regjistrime në vitet e para të arsimit të mesëm. Kështu, të gjithë nxënësit që kanë mbaruar këtë vit klasën e tetë të arsimit bazë, do të edukohen vitin e ardhshëm shkollor në klasën e nëntë, për shkak të ndryshimit të sistemit arsimor parauniversitar. Ndërkohë që ndryshimi i strukturës së sistemit arsimor parauniversitar lë në stazh mbetësit e vitit të parë të gjimnazit si dhe ata të klasave të teta. Kjo për arsye se gjimnazistët që nuk do arrijnë ta kalojnë klasën, nuk mund t’u bashkohen moshatarëve të tyre, vitin shkollor që vjen, pasi nuk do të ketë vit të parë, por klasë të nëntë. Vetëm në kryeqytet numërohen rreth 427 nxënës të klasave të teta dhe 1042 nxënës të viteve të para. Pikërisht kjo kategori nxënësish do të preket më shumë nga ndryshimi i sistemit arsimor nga 8-vjeçar, në 9-vjeçar. Për pasojë, të gjithë këta nxënës do të qëndrojnë në stazh gjatë vitit shkollor 2008-2009. Më konkretisht, në stazh do të qëndrojnë të gjithë nxënësit që në fund të vitit shkollor kanë rezultuar mbetës. Këta nxënës do t’i japin vetëm provimet në të cilat kanë mbetur, në periudhën nga 10-25 prill të vitit 2009. Nëse do t’i marrin provimet në këtë sezon ata do t’i rikthehen sërish bankave të shkollës në vitin 2009-2010. Në këtë vit, brezi i parë i sistemit 9-vjeçar që do të aplikohet këtë vit do të hyjë në vitin e dytë të gjimnazit. Ndërsa nxënësit e klasave të teta që do t’i kalojnë provimet e mbartura do të regjistrohen në klasën e nëntë, që do të zëvendësojë vitin e parë të shkollës së mesme. Nxënësit, që sërish nuk do mund t’i marrin këto provime, për të mos u shkëputur nga shkolla, mund të ripërsërisin vitin në shkollat e mesme me kohë të shkurtuar.
Të dhëna
4070 është numri total i mësuesve dhe i personelit ndihmës në shkollat e kryeqytetit
5600 nxënës pritet të ulen për herë të parë këtë vit në bankat e shkollës së Tiranës
68 mijë është numri total i nxënësve që do të arsimohen këtë vit në 67 shkollat kryeqytetase
54 prej tyre janë shkolla të sistemit 9-vjeçar, dhe 13 gjimnaze
27 Gusht 2008