E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në muajin shtator do të nise transferimi i mësuesve



Jonida Tashi

Ndryshimi i sistemit të detyruar arsimor nga 8 në atë 9-vjeçar ka përcaktuar edhe lëvizjet e reja që do të bëhen në arsim. Burime nga Drejtoria Arsimore e Tiranës bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se transferimi i mësuesve të gjimnazeve për në klasat e nënta do të kryhet në fillim të muajit shtator. Aktualisht, procesi i shqyrtimit të dosjeve të mësuesve që kanë dhënë mësim në gjimnazet e kryeqytetit nga specialistët e Drejtorisë Arsimore është drejt përfundimit. Së shpejti pritet të bëhet edhe përzgjedhja përfundimtare për mësuesit që do kalojnë në arsimin bazë. Në fillim të vitit të ri arsimor, mësimdhënia në klasat e nënta në arsimin e parauniversitar do të kryhet nga mësuesit e gjimnazeve. Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Drejtoritë Arsimore Rajonale (DRA), po sheh mundësinë që mësuesit e gjimnazeve të japin mësim në klasën IX-të, përmes disa kritereve që do të vendosen nga DAR-të, me synim që kalimi nga arsimi bazë në atë të mesëm të jetë sa më i thjeshtë për nxënësit e shkollave 9-vjeçare.
Largimet
Të gjitha Drejtoritë Arsimore në vend pas marrjes së vendimit për ndryshimin e sistemit të detyruar arsimor kanë nisur nga puna për transferimin e mësuesve të gjimnazeve në klasat e nënta. Madje, këto drejtori kanë përcaktuar edhe kriteret mbi të cilat do të bëhen këto lëvizje. Pritet që transferimi i mësuesve për në klasat e nënta të bëhet sipas nivelit arsimor dhe rezultateve në punë. Kjo do të thotë, që do të largohen nga shkollat e mesme për në shkollat 9-vjeçare të gjithë ata mësues me nivel arsimor më të ulët, dhe me rezultatet më të dobëta në punë. Drejtoritë Arsimore dhe zyratë e burimeve njerëzore kanë rreth një muaj që po punojnë për përgatitjen e personelit mësimor për vitin e ardhëm mësimor. Mësuesit që do të transferohen prej shkollave të mesme në arsimin 9-vjeçar kanë kaluar në një studim të hollësishëm prej drejtuesve të arsimit, duke u bazuar në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe kritereve të përcaktuara duke i’u referuar kritereve të arsimit të tyre dhe rezultateve në punë. Kështu, do të largohen të gjithë ata mësues që nuk kanë mbaruar universitetin me rezultate të larta në studime, mësuesit me nivel më të ulët profesional, kjo bazuar nga kontrollet e shumta të drejtuesve të tyre dhe Drejtorisë Arsimore, mësuesit me vjetërsinë më të ulët etj.
Mësuesit
Emrat e mësuesve që do të lënë gjimnazet e Tiranës, për të dhënë mësim në shkollat 9-vjeçare do të mësohen së shpejti. Kalimi nga puna si mësues në gjimnaz në shkollë 9-vjeçare do të bëjë që një pjesë e stafit pedagogjik të gjimnazeve të Tiranës të “ulet në gradë”. Mësuesit që do të detyrohen të braktisin klasat e tyre të gjimnazeve nuk do të përfitojnë më as të njëjtën pagë mujore si më parë. Shpërblimi i tyre pas kalimit në shkollat 9-vjeçare do të jetë në përputhje me sistemin ku do të punojnë. Gjithsesi, kriteret për të “përzgjedhur” ata që duhet të lënë vendet e tyre si mësues në gjimnaze janë përgatitur. Paraqitja në punë është pika e parë dhe më kryesorja që do të konsiderohet nga ana e grupit të specialistëve në Drejtorinë Arsimore të Tiranës. Inspektorët e Drejtorisë Arsimore kanë testuar punën e çdo mësuesi, ndërsa nuk kanë munguar as vlerësimet e përgjithshme. Aktualisht, po vazhdon puna për transferimin e mësuesve dhe ende nuk ka numra të saktë të mësuesve që do të lëvizin. Ndërkohë që transferimi i tyre do të bëhet në përputhje me lëndët. Pra, në shkollat 9-vjeçare, ku ka më tepër nevojë për mësues matematike, largohen nga gjimnazi këta të fundit e kështu me radhë. Shpërndarja e mësuesve do të bëhet sipas kërkesave të drejtorive të shkollave për staf pedagogjik.
Ndryshimi
Ndryshimi i sistemit arsimor parauniversitar nga 4+4+4 në 5+4+3, e bëri të nevojshme që në klasën e IX-të mësimdhënia të kryhet nga mësues të gjimnazeve. Si rrjedhojë, për këta nxënës nuk do të ketë më vit të parë shkollor në gjimnaz. Ndërkaq për sistemin arsimor parauniversitar, që përbëhet nga 376 shkolla të mesme dhe 1749 shkolla 9-vjeçare, MASH-i ka vendosur që fondet e planifikimit dhe shpërndarjes së mjeteve mësimore në arsimin parauniversitar do të shpenzohen përmes formulës “buxhet për nxënës”, për çdo shkollë, e cila ka si kriter kryesor numrin e përfituesve (nxënësve).
Më 23 korrik të këtij viti, qeveria vendosi rritjen me një vit të arsimit bazë dhe të detyruar, ose ndryshe kalimin nga shkolla bazë 8 vjeçare në atë 9 vjeçare, si dhe kalimin nga arsimi i mesëm 4-vjeçar në atë 3-vjeçar. Kjo bëri që fëmijët ta nisin klasën e parë në moshën 6 vjeçare dhe jo 7 siç është vepruar deri tani. Ndërsa cikli i plotë 9-vjeçar në arsimin parauniversitar do të realizohet për herë të parë gjatë vitit shkollor 2008-2009, ku arsimi bazë do të ketë strukturën 5+4. Sipas këtyre ndryshimeve, arsimi i detyruar do të zëvendësohet me termin arsimi bazë, ndërsa shkollat e mesme të përgjithshme me fjalën gjimnaz. Reforma e sistemit arsimor do të përfshijë edhe sistemin e arsimit të mesëm, i cili do të ketë një kohëzgjatje 3 vjeçare.

27 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›