Ndryshim të trupit gjykues, Krimet e Rënda rrëzojnë Dritan Dajtin
Tiranë- Pas dështimit të seancës së datës 8 prill kur Dritan Dajti kërkoi ndryshimin e trupës gjykuese të çështjes së tij, Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi sot kërkesën e të akuzuarit për vrasje.
Vendimi për ta gjykuar pa avokat mbrojtës mesa duket nuk shërben për të mbyllur zvarritjen e paprecedentë të procesit gjyqësor ndaj Dritan Dajtit. Seancën e shkuar Dajti i ka kërkuar trupit gjykues që të futet një tavolinë në kafazin e gjykatës, në mënyrë që ai të shqyrtojë ligjet për tu vetëmbrojtur.
Gjithashtu ai ka kërkuar revokimin e vendimit për gjykim pa avokat, kërkesë që nuk është pranuar nga gjykata. Dajti në këto kushte ka kërkuar ndryshimin e trupës gjyqësore , duke thënë se gjykimi ndaj tij është i njëanshëm dhe është larguar nga salla e gjyqit.
Në seancën e 5 prillit, Gjykata e Krimeve të Rënda pas odisesë së dështimeve të seancave ndaj të të pandehurit me akuzën më të rëndë të drejtësisë shqiptare Dritan Dajtit për mungesë avokatësh mbrojtës, ka gjetur më në fund formulën për të zhbllokuar ngërçin: “I pandehuri Dajti do të gjykohet pa avokat”.
Kështu Dajti, i cili ka studiuar për drejtësi, duket se ka themeluar precedentin e parë në drejtësinë shqiptare.
Ligji parashikon se i pandehuri nuk mund të gjykohet pa avokat, e në këto kushte, Dritan Dajti nuk pranon të marrë avokat. Ligji thotë se gjykata mund të caktojë një avokat kryesisht, sipas një liste që ka në dispozicion nga vetë dhoma e avokatisë. Po rpaçka gjykata i ka caktuar, por «çuditërisht» avokatët tërhiqen të gjithë, një e nga një, nga çështja.
Përmes kësaj praktike, Dajti ia ka dalë të bllokojë zhvillimin e procesit për katër vjet me radhë dhe kur kanë dështuar në mënyrë të njëjtë mbi 207 seanca të njoftuara.
Në këto kushte, kur drejtësia është vënë përballë një dështimi të paprecedent, përballë pamundësisë për të bërë një gjyq, gjykata i është drejtuar disa herë publikisht KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë duke fajësuar avokatët për këtë dështim. Teksa vetë këta të fundit propozuan edhe rastin e Italisë, kur një i pandehur u gjykua pa praninë e një avokati.