E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndue Kolthi vetevaret me rripin e pantallonave ne ambientet e komisariatit Nr 3

Një 57-vjeçar efektiv i policisë private është vetëvarur me rripin e pantallonave në ambjentet e Komisariatit numër 3 të Policisë së Tiranës. 

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3:00 në të gdhirë të së enjtes, dhe vetëm 10 minuta pasi polici që ruante e ambjentet e shoqërimit i kishte dhënë edhe një cigare. 

Ndue Kolthi ishte gjetur në Laprakë, në tokë dhe i gjakosur rreth orës 21:00, të së mërkurës pas një sinjalizimi në sallën operative. Me vete i ishte gjetur edhe një pistoletë, që pas verifikimit rezultoi lodër. 

Burimet policore thanë se Kolthi nuk jepte shpjegime se çfarë I kishte ndodhur ndërsa për pistoletën lodër, e argumentonte se e mbante vetë. 

Të njëjtat burime thanë se Kolthi ishte dërguar në Spitalin Ushtarak, ku kishte marrë mjekim për plagët, ndërsa nga informacionet që u morën në vendngjarje u mësua se ishte rrëzuar për shkak të gjendjes së dehur. 

Kolthi, ishte vendosur në sallën e pritjes dhe jo në ambientet e shoqërimit, për shkak të gjëndjes që ishte dhe ishte mbajtur në vëzhgim derisa ishte qetësuar. 

Edhe pse i ishte nënështruar kontrollit, ku iu gjet dhe arma lodër, policët e ambienteve të shoqërimit nuk I kishin hequr atij rripin e pantallonave, të cilin do e përdorte më vonë për vetëvarjen. 

Trupi i pajetë u dërgua në morgun e Tiranës, ndërsa SHKB-ja nisi hetimet për ngjarjen. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›