Ndryshime, nën panikun e skandalit të seancës
Kryeministri, Sali Berisha, nxitoi dje të zhurmonte skandalin e tij në seancën e mesnatës në Kuvend, ku pas një provokimi politik prej deputetit socialist, Taulant Balla, shpërtheu në një krizë nervore, të pashembullt në historinë e politikës shqiptare dhe asaj botërore. Me një fjalor më keq se ordiner, ku përmendej motra, nëna gruaja dhe gjithë femrat e familjes së ngushtë të zotit Balla, kryeministri në të vërtetë bëri një gjest të denjë për të dhënë dorëheqje ditën e sotme. I rrezikuar nga opinioni publik dhe nga marrja gjatë e medias me këtë skandal, ai prodhoi me urgjencë një lajm, i cili në të vërtetë nuk përbën ndonjë ngjarje. Ndryshimet e tij në qeveri nuk përbëjnë në të vërtetë asnjë lajm politik. Sikundër pritej, ai eci në linjën e mungesës së përfaqësimit politik në qeveri. Emërimi i Fatos Bejës në Ministrinë e Arsimit është lajm i rëndësishëm vetëm për faktin se PD në fund merr Ministrinë e Arsimit dhe po kaq i rëndësishëm, që zoti Beja është një figurë me integritet, nga i cili shpresojmë të zbërthehet së paku një hallkë e rrjetit mafioz që zoti Pollo ndërtoi me instrumentet e tij plaçkitëse në Ministri të Arsimit. Vetëm kaq. Asgjë tjetër përtej kësaj nuk është lajm, pasi opinioni publik priste ndryshime në qeveri dhe jo zënie shtigjesh për ndryshime. Po ashtu, emërimi i zonjës Godo ka një rëndësi profesionale dhe jo politike. Ajo është një mjeke e aftë dhe me personalitet, i njeh problemet e shëndetësisë, por nuk ishte kjo arsyeja që u bë ministre. Arsyeja është thjesht të mbyllë një pakënaqësi të republikanëve. Duke qenë se të dyja emërimet nuk prodhojnë asgjë politike për qeverinë, ndryshimet mund të konsiderohen thjesht qoka. PD, e ardhur në pushtet përmes lojës me grupet e përfaqësimit me një spektër të gjerë njerëzish, disidentësh, ish-kundërshtarësh të Berishës, në fakt qeveris përfundimisht vetëm me ngastrën që Berisha zgjedh gjithmonë, me kusht që mos t’i futet njeri brenda saj. Në këtë rast ai po e mbyll mandatin, duke i lënë grupet që përfaqësuan PD para se të vinte në pushtet thuajse në opozitë të heshtur me të, pa i lejuar as ta cekin pushtetin. Të vetmin që duket se respektuan formalisht prej tyre është Genc Pollo, për arsyen e vetme se tashmë atij i ka dosjet e korrupsionit në Ministri të Arsimit dhe shpreson që përmes tyre ta mbajë nën kontroll. Duke i dhënë postin e zëvendëskryeministrit, një pozicion thuajse teknik dhe inekzistent, ai në të vërtetë forcon profilin jopolitik të ndryshimeve dhe po rrezikon të shkojë në zgjedhje më një profil të ulët politik duke marrë gjithçka përsipër vetë. Ndërsa në vitin 2005, unë i pari, por dhe avokatë të tjerë politikë të Berishës, kishim tezën se, dhe nëse gabon Berisha, janë të tjerët garantë për të, duke treguar me gisht nga ish-disidentë të tij dhe të rinj të afruar në PD, tani në zgjedhjet e 2009, avokatët e tij kanë vetëm një rrugë, t’iu mbushin mendjen shqiptarëve se garanti i tyre është vetëm Sali Berisha. Ky është një guxim i madh politik, por dhe një shpërdorim i madh i sinqeritetit politik që dëshmuan njerëzit dhe grupe të ndryshme interesi ndaj tij. Ai i gënjeu ata, i përdori dhe i flaku. Tashmë, shumica e atyre emrave që janë në grupin parlamentar të PD nuk kanë më asnjë shpresë ta prekin pushtetin, dhe aq më shumë të jenë pjesë e listës së ardhshme të Berishës. Ëndrra e tyre politike ka marrë fund këtu. Beteja mes atyre që e sollën Berishën në pushtet dhe atyre që e gëzuan pushtetin u fitua sërish, për herë të dytë nga ata që Berisha thirri në pushtet. Kjo e kthen PD në një shkretëtirë politike duke i hequr çdo shans të ridinamizohet. Gara e vitit 2009 do të jetë e fokusuar rreth një emri, Sali Berishës, rreth një ideje, Sali Berishës, rreth një projekti, Sali Berishës dhe rreth një fjalori, larg qoftë si ai i djeshmi i Sali Berishës.