E Shtunë, 31 Tetor 2026

“TemA” falënderon Glori Hysin për blerjen e tirazhit në Sarandë dhe Delvinë

Antena brenda familjes

Gazeta “TemA” pati dje përfitimet e para nga Antena e saj. Njeriu i afërt i Glor Hysit në Sarandë doli që në mëngjes dhe bleu gjithë tirazhin e gazetës “TemA” për këto dy qytete. Një dëshmitar në momentin e blerjes na dërgoi këtë mesazh: “Në Sarandë dhe Delvinë gazeta “TemA” është blerë nga i njëjti person. Përshëndetje, Vasil Kaliva.” Siç morëm vesh, njoftuesi ynë ishte një reporter lokal i një gazete të Korfuzit që ishte çuditur nga blerësi i së njëjtës gazetë. Por ja që ndodh dhe kështu. Pas hetimeve tona në rezultoi se blerësi ishte kushëriri i Glor Hysit, njeriut që ka rrethuar në mënyrë të paligjshme ujin e Dhrovjanit, ku pretendon të bëjë një linjë paketimi uji, si dhe një tavernë. Ortak në këtë histori duket se është dhe kryetari i komunës së Dhrovjanit, Themistokli Kaishi. Madje, ky i fundit është parë me një tufë të madhe gazetash “TemA” në dorë, në mëngjes, që me sa duket kishte porositur t’i blinte.

Reagimet nga Saranda janë shumë të forta. Një banor i Dhrovjanit na mori dje në telefon dhe na kërkoi të dëgjonim një këngë në greqisht për Dhrovjanin dhe Ali Pashë Tepelenën. Fati jonë që s’dinim greqisht e i thamë të na e përkthente. Kënga thoshte afërsisht kështu:

Gjithë dynjaja u kthye në raja

Vezir efendi

Një fshat është Dhrovjani që të luftoi me flori

Vezir efendi.

Pra, bëhet fjalë që banorët e këtij fshati blenë gjithë tokat me flori që të mos ua merrte Ali Pashë Tepelena. Sot, kënga është kthyer:

Qani moj kaurka qani/ na mori ujët shejtani/

Glori Hysi efendiu

Ujët e Dhrovjanit përpiu

Duke qenë se kush sulmohet në gazetën “TemA” ecën para në qeveri, ne i kërkojmë ndjesë Glorit që nuk shkruam ca ditë më parë, ta kishte parasysh doktori në ndryshimet e fundit. Pasi Pollo, i cili instaloi mekanizmin e vjedhjes në Ministri të Arsimit, u gradua, vetëm pse e ka sulmuar gazeta “TemA”. Të njëjtin shans mund ta kishte dhe Glori. Po të ishim treguar më të kujdesshëm, mund t’ia kishim bërë këtë nder. Vetë Glori na e bëri nderin e parë. Na bleu gjithë tirazhin e gazetës. Për këtë arsye ne na duhet ta ribotojmë çdo ditë këtë njoftim, derisa të lodhet njeriu i Glorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›