Përtej frëngjive
Tani që Kosova në Bruksel siguroi 1.2 miliardë euro për dy apo tri vitet e ardhshme, gjasat që të bëhen më shpejt meremetimet e fundit të shtetit janë më të mëdha, pothuajse të garantuara. Është e qartë se këto mjete do të shpenzohen kryesisht për investime, të themi, kapitale dhe konstruktive: për shlyerjen e borxheve, që Kosovës të mos i mbesin bishtat e së kaluarës, pastaj për disa investime të mëdha infrastrukturore, për asistencën teknike (një lloj transplantimi i ekspertizës dhe përvojave të avancuara të demokracisë) dhe jo si e fundit, por ndoshta më kapitalja për shtetin - krijimin dhe pajisjen e forcës së sigurisë së shtetit të Kosovës.
Kjo e fundit, ushtria e Kosovës, mund të konsiderohet si një ndërmarrje më shtetërore prej të gjitha ndërmarrjeve të tjera. Edhe pse përmasat e projektit duken të vogla, - do të krijohet një forcë në numër jo fort e madhe, me staf vetëm profesionist prej rreth 2000 oficerësh - ky është një investim kapital, sepse me forcat policore që tashmë kanë numër të konsiderueshëm të stafit dhe përvojë në organizim dhe kryerjen e detyrave, forcat vendore të rendit dhe të mbrojtjes në Kosovë bëhen kontingjent i respektueshëm për çdo kërcënim të jashtëm. Kur kësaj i shtohet prania e forcave të NATO-s, që nuk kanë ndërmend që të tërhiqen nga Kosova të paktën edhe një dekadë, e ndoshta edhe deri në vitet '30 e edhe më vonë të këtij shekulli, mbrojtja e Kosovës duket shumë stabël dhe spraps çdo ambicie të restaurimit të regjimit të vjetër, çka nënkupton anulimin e pavarësisë së Kosovës.
Vizita e kryetarit Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi në Uashington, pos takimit me presidentin Bush që është edhe një gjest i fortë i SHBA, se e përkrahin pa rezervë dhe fuqimisht pavarësinë e Kosovës, është kurorëzuar edhe me vizitën në Pentagon, ku është biseduar për thelbin e shtetndërtimit, forcën e sigurisë të Kosovës, e cila do të jetë nën mbikëqyrjen e SHBA dhe me standarde më të avancuara të NATO- s. Edhe pse për disa qarqe ky proces është vlerësuar si i dhimbshëm, sepse përfundimisht mbyllet kapitulli i UÇK dhe TMK, si trashëguese e ushtrisë së vetëformuar të Kosovës, forca zëvendësuese do të jetë për nga përgatitja, trajnimet dhe pajisja një formacion superior dhe premtues. Me hyrjen e Shqipërisë në NATO, e me gjasa edhe të Maqedonisë në një afat jo fort të largët, shqiptarët strategjikisht nuk mund të rrezikohen më jo vetëm nga aspiratat gllabëruese të fqinjëve, por edhe instalimet e regjimeve të brendshme poshtëruese. NATO nuk është vetëm garant i sigurisë, por edhe i rendit demokratik dhe po kështu edhe i zhvillimit ekonomik dhe social.
Kuptohet, këto gjashtë muajt e koalicionit Thaçi-Sejdiu vërtet kanë qenë tepër të favorshme për ta, sepse këtij binomi të pushtetit i ka ra hise që të korrin një pas një frytet e një brezi të politikanëve dhe të lëvizjes popullore. Rrallëkujt i ndodh kjo, që të vijnë në pushtet dhe sofrën e gjejnë të shtruar me kajmak e mjaltë. Mirëpo, ata duhet të kuptojnë se vizita në Uashington dhe takimi me presidentin Bush, sekretaren e shtetit, Rice, biseda në Pentagon, janë si vendosja e flamurit me të përfunduar kulmin. Por, puna e vërtetë e tyre, sidomos e kryeministrit, që ka përgjegjësitë më të mëdha, fillon pas kësaj gostie dhe shpërblimi.
Kryeministri Thaçi mund të lavdërohet, se ka qenë një pilot i mirë në këtë periudhë, kur një aparat i tërë i fuqive të mëdha ka punuar intensivisht për pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Por, tani që shtati ka themele dhe kulm, duhet siguruar edhe punë, bukë dhe prosperitet për të gjithë. Duhet të përvishen mëngët dhe të përcaktohen prioritetet e zhvillimit ekonomik, të bëhen rregullimet për punësim, të tërhiqet kapitali i madh… Qeveria deri më sot, duke kaluar këto faza të shumta të celebrimeve dhe sukseseve të parapaguara, më shumë ka investuar në propagandë dhe vetëlavdërime, shpesh të tepruara se sa është dëshmuar se po përgatitet për këtë fazën tjetër të punës. Qeveria ende nuk na ka bindur se ka vizion të zhvillimit. Janë të mirëseardhura, por nuk mjaftojnë projektet kompensuese: fillimi i ndërtimeve të rrugëve magjistrale ose ndërtimi i shkollave… Lypset, si prioritet i dorës së parë, një angazhim më i madh në sigurimin e punësimit, investime kapitale në bujqësi, një mobilizim i plotë i pandërprerë për sigurimin e kontratave për punë sezonale, angazhimi për heqjen e vizave me shtetet e BE. Dhe, angazhimi i sinqertë për të ndalur hovin e korrupsionit, të ndërtimeve të egra, të evazionit fiskal.
Për këto punë të mëdha dhe delikate, nuk shihet se qeveria ka ndonjë program konkret dhe të operacionalizueshëm.
Ndonjëherë fitohet përshtypja se partnerët e koalicionit, sidomos PDK, proceset aktuale i regjistrojnë vetëm si zhvillime pozitive për zgjedhjet e ardhshme, që ndoshta do të ndodhin vitin që vjen. Në këtë ndoshta llogaritet edhe LDK, si faktor konsolidimi pas çarjeve. Por ama, kjo është një frëngji e ngushtë e shikimit të ardhmërisë. Sot, apo më saktë, prej nesër, nuk vendoset fati i PDK dhe LDK, përkatësisht i Thaçit apo Sejdiut, por i Kosovës si shtet serioz.