“Turpi i Sofjes”
Në një raport që doli në media javën e kaluar, Komisioni Evropian me një gjuhë shumë të ashpër, të pazakontë në komunikimin me një shtet anëtar, thoshte se “korrupsioni në nivele të larta dhe krimi i organizuar” kanë shkaktuar probleme në dobësimin e përgjithshëm të administratës dhe sistemit juridik.
Në një tjetër dokument, gjithashtu të publikuar nga mediat, komisioni antikorrupsion i Komisionit Evropian akuzonte grupe biznesi me lidhje kriminale se janë përpjekur të keqpërdorin fondet e Bashkimit Evropian në procesin e para-anëtarësimit. Autoritetet bullgare dështuan t'i trajtonin rastet seriozisht.
Të dyja raportet e paraqitura në media ishin ende propozime, që pritet t'i paraqiten ministrave të Jashtëm të BE në takimin e kësaj jave. Ministrat duhet të qëndrojnë pas akuzave në këto raporte dhe të kërkojnë llogari nga Sofja veçanërisht për akuzat lidhur me fondin prej 1 miliard eurosh, që njihet si fond i para-anëtarësimit. Duket jo e drejtë që të sulmohet keqas një vend i ri anëtar i BE, kur dihet se vende të tjera anëtare, në vitet e shkuara janë akuzuar për keqpërdorime me shuma edhe më të mëdha, të fondeve të Bashkimit Evropian. Greqia është një nga vendet që ka keqpërdorur fondet, por ndaj saj nuk u morën masa kaq radikale. Sanksionet e mundshme do të godasin rëndë Sofjen, kur dihet se fondet e përfshira në skandal duhet të përdoren deri në fund të vitit, në të kundërt do të humbin. Por dallimi është se Bullgarisë dhe Rumanisë iu bë e qartë, kur u anëtarësuan në janar të 2007, se duhet të luftojnë korrupsionin. Të dyja vendet janë nën një sistem të posaçëm mbikëqyrjeje. Rumania me gjithë vështirësitë duket se e ka kënaqur Komisionin Evropian, së paku ka kaluar pragun. Bullgaria nuk ka punuar si duhet dhe duhet të paguajë çmimin. Ndikimi më i madh në rast se fondet do të humbasin, do ta pësojnë projektet e infrastrukturës. Pasojat në rrafshin politik do të jenë edhe më të mëdha, kur dihet zemërimi i publikut për turpërimin që iu bë vendit. Rritja e zemërimit mund të shkaktojë dhe zgjedhje të parakohshme. Duke filluar nga presidenti, kryeministri e me radhë duhet të rishikojnë pozicionet e tyre. Nga zgjedhjet e parakohshme mund të dalin fitues ekstremistët politikë. Brukseli duhet ta theksojë se nuk ka vënë në gjykim gjithë kombin, por politikanët drejtues, zyrtarët dhe gjyqtarët. Gjithashtu, Brukseli duhet të premtojë ndihmë për reformat në drejtësi, në momentin që Sofja vendos të ndryshojë.
Megjithatë, Bashkimi Evropian duhet të mbajë këtë linjë politike. BE mund të funksionojë si duhet, vetëm nëse rregullat respektohen nga të gjithë. Votuesit dyshues ndaj zgjerimit do të binden për meritat e këtij procesi, vetëm nëse vendet anëtare, të reja apo të vjetra, i qëndrojnë standardeve të përbashkëta.