E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ndryshimet e bëjnë Saliun mbret”

Komiteti për Mbr-ojtjen e Kushtetutës zhvilloi një takim të zgjeruar në qytetin e Beratit. 

Aristir Lumezi

Në formën e një dialogu me protagonistët e komitetit, qytetarët e Beratit bashkëbiseduan në pallatin e kulturës "Margarita Tutulani" rreth rreziqeve që sjellin amendimet e Kushtetutës të bëra më 21 prill me votat e dy partive, PS dhe PD. Në këtë takim merrnin pjesë anëtari i Komitetit të Mbrojtjes së Kushtetutës, Andrea Stefani, kryetari i LSI, Ilir Meta, kreu i PDS, Paskal Milo, deputeti i PS, Luan Memushi dhe shumë anëtarë të shoqërisë civile dhe intelektualë të qytetit të Beratit. Gjatë fjalës së tij, analisti i njohur Stefani pohoi se, Kushtetua e Shqipërisë u dhunua në thelbin e vet përmes disa amendimeve të befta në natën e 21 prillit, nga disa amendamente aspak transparente dhe aspak të nevojshme, të cilat në vend që të shërbenin për forcimin e demokracisë dhe të forconin garancitë dhe balancat për liritë institucionale në Shqipëri, i shërbejnë në fakt forcimit të autoritarizmit dhe bëhen garant për tendenca autoritariste, tashmë të njohura të Berishës. "Është për ta ardhur keq që nuk është Partia Demokratike sot që mbron këto ndryshime, por e kundërta ndodh, sepse janë deputetët e kapur të Partisë Socialiste, të cilët të vënë nën presion dalin sot para opinionit publik duke mbrojtur këto ndryshime kushtetuese", tha Stefani. Gjatë fjalës së tij, Ilir Meta ka shpjeguar për të pranishmit thelbin e rrezikut të amendamenteve të ndryshuara nga bashkëpunimi mes Berishës dhe Ramës, i cili sjell rreziqe që do të cenojnë seriozisht gjithçka në Shqipëri. Meta kërkoi që populli shqiptar përmes votës së tij në referendum t'i thotë 'Jo' këtyre ndryshimeve, të cilat e bëjnë Saliun më shumë se mbret. Ndërsa kreu i PDS-së, Milo pohoi se, nuk ka rrezik më të madh për shqiptarët sesa ndryshimet që kanë ndodhur në Kushtetutë. Ai e ka cilësuar të pamoralshëm qëndrimin e kreut të PS-së, Edi Rama dhe bashkëpunimin e tij me Berishën në kërcënimin e standardeve demokratike të vendit tonë. Ndërsa deputeti socialist Luan Memushi, tha se deputetët që votuan amendamentet shitën shpirtin e tyre për të qenë në listat e kandidatëve në zgjedhjet e 2009-ës. "Ne do të vazhdojmë që të mos lëpijmë këpucët e kryetarit të partisë dhe duke qenë të qetë nuk do të pranojmë pazaret e tyre, prandaj i bëj thirrje gjithë socialistëve të ndershëm që të trokasin derë më derë dhe të sqarojnë për rrezikun që na kërcënon", tha Memushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›