E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapllani: U ruajta nga Zola, por shënoi Inzagi

Ka shënuar gjithsej 63 gola në kupat e Evropës dhe qëndron në krye të tabelës së golashënuesve bashkë me Raulin e Realit të Madridit. 

Jetmir Halilaj

Filipo Inzagi, sulmuesi 35 vjeçar i Milanit, golin e tij të parë në arenën ndërkombëtare e ka shënuar kundër Teutës në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Kupave më 14 shtator të vitit 1995. “Goli kundër Teutës është dashuria ime e parë dhe nuk kam për ta harruar asnjëherë”, ka thënë bomberi italian. Golin e parë ai ia ka shënuar portierit Xhevair Kapllani, i cili asokohe ishte në hapat e parë të karrierës. “Një ndeshje që nuk do ta harroj kurrë. Nga Inzagi mbaj mend festimin në mënyrë të shfrenuar pasi shënoi”, ka thënë gardiani veteran i Teutës, për “Panorama Sport”. Kapllani pohon se në atë periudhë Inzagi ishte thuajse anonim, pasi te Parma kishte yje të tjerë që ishin në kulmin e tyre.
Çfarë ju sjell në mend emri Filipo Inzagi?
Kryegolashënuesi i Kupave të Evropës. Golin e parë ma ka shënuar mua në vitin 1995. Besoj se këtu donit të dilnit apo jo? Mos kujtoni se më vjen keq që golin e parë në Evropë ai e shënoi kundër meje. Ai është një bomber i lindur dhe koha e tregoi këtë. Nëse do ta dija në atë kohë se pas kaq shumë vitesh ai do të kishte mbërritur në këto nivele, do të kisha bërë të pamundurën që të mos shënonte atë ndeshje, por ja që nuk mund t’i parashikojmë gjërat.
Çfarë mbani mend nga ajo ndeshje?
Do të mbetet gjatë në kujtesën time. Është një nga skuadrat më të forta me të cilat është ndeshur Teuta në historinë e saj, aq më tepër që në përbërje të skuadrës ishin emra të mëdhenj si Zola, Stoiçkov, Asprilia, Benarrivo, Kouto, Di Kiara, Minoti etj. Ne e kishim humbur në ndeshjen e parë 2-0 në fushën tonë dhe e dinim se praktikisht ishim të eliminuar, megjithatë bëmë lojën tonë dhe mendoj se për aq mundësi sa kishim kemi dhënë maksimumin.
A e mbani mend Inzagin në atë ndeshje?
Mbaj mend vetëm golin e tij dhe mënyrën e të festuarit. Në ndeshjen e parë ai nuk luajti, pasi ishte rezervë, ndërsa në takimin e kthimit luajti si titullar, por askush nuk e kishte mendjen te ai. Me sinqeritet e them, por Inzagi ishte thuajse anonim në atë periudhë, jo vetëm sepse ishte në fillimet e tij, por sepse në skuadër kishte yje të tjerë që e eklipsonin fare figurën e tij. Më kujtohet që ka shënoi golin e dytë në minutën e fundit të ndeshjes. U fut në zonë dhe pasi dribloi një nga mbrojtësit tanë gjuajti fortë dhe e dërgoi topin në trekëndëshin e majtë, ku nuk kisha asnjë mundësi ta kapja. Më habiti tej mase kur e pashë që filloi të festonte në atë mënyrë. Filloi të ulërinte me të madhe dhe të dridhej i tëri, aq sa fillova të thosha me vete: po ky a e di që Parma ishte kualifikuar që në ndeshjen e parë apo jo...?
Çfarë mendoni tani kur e shikoni Inzagin ende duke festuar golat që shënon?
Më ngjall respekt. Shumëkujt nuk i pëlqen mënyra e tij e lojës, madje as mua, por ama është me meritë mbreti i Evropës, sepse ka shkruar emrin e tij kudo ku ka luajtur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›