E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidentët, të gjithë “Pro” Referendumit!!!

Martin Leka 

Sikur ta dinte populli se sa  shumë gjëra të këqija bëhen në emrin e tij?! Do t’i kishte bërë jo vetëm “lanet” disa nga këta politikanët tanë, por edhe “synet” për së dyti… Populli -thonë ata- është liria, është verdikti, është pasqyra. Por, kur vjen puna për t’i besuar atij, shtangen. Dhe fillojnë më pas parullat, interpretimet, demagogjitë në emër të demokracisë përfaqësuese ...meqenëse –sipas tyre- populli u ka besuar njëherë votën, u ka deleguar përfaqësimin… Kështu po ndodh sot me debatin e madh, të kthyer në kauzë për një pjesë të rëndësishme të opozitës, por edhe për shoqërinë civile e një pjesë të rëndësishme të mendimit elitar intelektual: Referendumin popullor lidhur me shfuqizimin e ligjit për disa nga ndryshimet kushtetuese, të bëra me konsensusin e ashtuquajtur Berisha-Rama natën e 21 Prillit të këtij viti. Rama dhe Berisha, herë vetë, herë përmes të punësuarve në parti e parlament, kundërshtojnë Referendumin me dogma standarde: -na e ka dhënë populli të drejtën ta ndryshojmë sa herë të duam Kushtetutën!!!
Nëse vetëm ndonjë apo disa parti mund të ishin të vetmet nismëtare kundër ndryshimeve kushtetuese të 21 Prillit, do të gjendeshin disa arsye për ta politizuar çështjen e për të mos bërë kaq shumë debat apo potere. Por, kur në këtë nismë të madhe politike janë përfshirë jo vetëm parti, por edhe një frymë intelektuale mjaft përfaqësuese dhe ndikuese, atëherë duket se gjithçka ia vlen, edhe debate, edhe zhurma, edhe poterja, sepse bëhet fjalë për struktura themelore të përbërjes së Shtetit, pa të cilat, edhe vetë ngrehina do të ishte e rrezikuar (dhe është rrezikuar seriozisht me ndryshimet e fundit kushtetuese).
* * *
Po cila është prirja drejt së drejtës lidhur me çështjen e kërkesës së disa partive, LSI, PAD, PDS, LZHK dhe e një grupimi të madh personalitetesh nga fusha të ndryshme të grupuar nën siglën Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës?
Eshtë mjaft interesante të analizohet kjo prirje jo vetëm për të treguar se sa e drejtë është një kërkesë e tillë (dikush e ka quajtur kohë të humbur(?) por edhe për të treguar një lloj testi për rezultatin e një referendumi të tillë.
Për objekt do të marrim ish-Presidentët e Republikës së Shqipërisë nga zgjedhjet e para pluraliste si dhe Presidentin e sotëm. Analizën na e bën më të lehtë në konkluzione fakti se presidentët kanë qenë të alternuar, që nga të djathtë, të majtë, konsensualë.
E gjithë “partia” e presidentëve, pa përjashtim, është shprehur në favor të Referendumit.
Rexhep Meidani, ish-presidenti i propozuar nga e majta pas zgjedhjeve të vitit 1997, ka firmosur për Referendumin kundër ndryshimeve kushtetuese të 21 Prillit të parlamentit shqiptar. Ai, në të njëjtën kohë, ka analizuar saktë edhe anë të tjera të problemit në diskutim, të cilat, për të mos i përmendur, konvergojnë në firmën e tij për pyetjen e qytetarëve lidhur me këto ndryshime.
Alfred Moisiu, ish-presidenti i zgjedhur me konsensus, por i propozuar nga e djathta, është një tjetër firmëtar për Referendumin për Kushtetutën.
Presidentit aktual Bamir Topi nuk është e vështirë t’i “lexohet” qëndrimi i tij, i shprehur edhe qartë përmes asaj që ai, i ndodhur në vështirësinë e një “konsensusi të madh”, e ka komentuar si “mbrojtje e institucionit të Presidencës dhe jo të emrave të përveçëm”. Zor se dikush e vë në dyshim faktin se ndoshta jo vetëm në rolin e tij si President, por edhe në funksionin e tij të mëparshëm në PD, Topi do të ishte kundër këtyre ndryshimeve. Edhe më parë, publikisht, Presidenti Topi është shprehur për zgjedhjen e presidentit nga populli. Ndoshta dekretimi i shpejtë që i bëri këtij dekreti, duhet parë e lexuar tamam si një shenjë proteste për këto ndryshime.
Tani le të vijmë tek dy ish-presidentët e tjerë, Alia dhe Berisha. Në mos gaboj, i pari është shprehur për zgjedhjen e presidentit nga populli në një opinion apo intervistë në shtypin e ditës. Ndërsa më interesante në këtë pikë na duket qëndrimi i ish-presidentit Berisha.
Vazhdimisht janë komentuar deklaratat e tij për zgjedhjen e presidentit nga populli. Nuk dihet nëse kjo ishte një bindje politike dhe racionale e zotit Berisha, apo ishte i detyruar ta bënte këtë për efekt të rrezikut që vinte nga mungesa e votave të nevojshme në parlament (84), gjë që do të rrëzonte automatikisht qeverisjen e tij. Si në të parën hipotezë, si në të dytën, ajo që i intereson publikut është fakti se ai është shprehur pa ekuivok për zgjedhjen e presidentit nga populli.
* * *
Konkluzioni:
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e sheh Presidentin si përfaqësuesin simbol të Unitetit të Popullit.
Të gjithë presidentët, të zgjedhur që prej 18 vjetësh të fillimit të demokracisë në Shqipëri, janë në favor të pyetjes së popullit për ndryshimet e fundit kushtetuese.
Konjuktura politike, e përfaqësuar nga Berisha dhe Rama, është kundër një vullneti shumë më përfaqësues se përfaqësuesit e këtyre dy politikanëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›