“Ngrin” puna në Gjykatën e Lartë
Fatos Mahmutaj
“Ngrin” Gjykata e Lartë. Shkak është bërë përfundimi i mandatit ditët e fundit të katër anëtarëve të këtij institucioni, krahas tre vendeve bosh që nga viti 2005, ndërsa Kuvendi është vonuar për të dhënë pëlqimin për pesë anëtarët e rinj të dekretuar nga Presidenti i Republikës. Aktualisht në këtë gjykatë ushtrojnë funksionin vetëm 10 gjyqtarë, nga 17 që përmban organika e institucionit, ose e thënë ndryshe një kolegj civil dhe një penal. Që nga data 11 maj, tre anëtarë të Gjykatës së Lartë: Artan Hoxha, Nikoleta Kita dhe Agron A. Lamaj nuk kanë marrë pjesë në asnjë seancë gjyqësore, pasi mandati i tyre përfundonte më datë 21 maj, dhe sipas ligjit 10 ditët e fundit në detyrë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë e kanë të ndaluar të gjykojnë çështje. Një javë më parë, pjesëmarrja në gjykime i është ndaluar edhe Thimjo Kondit, kryetarit të institucionit, mandati i të cilit përfundon më datë 6 qershor. Veç të tjerash mungesa e anëtarëve të Gjykatës së Shkallës së Tretë bën të mundur mosfunksionimin e Kolegjeve të Bashkuara, pasi nuk plotësohet numri minimal i Kolegjit, që sipas ligjit kërkon 13 anëtarë. Burime nga kjo gjykatë pohojnë se çështja e fundit që kanë gjykuar Kolegjet e Bashkuara ishte ankesa e ish-kryetares së Gjykatës së Apelit Vlorë, Gjinovefa Gaba, më 25 mars, e cila u shkarkua nga KLD-ja më 31 janar, pasi iu gjetën rreth 15 shkelje të rënda në dosjet që ajo ka gjykuar. Tashmë kjo çështje është shtyrë për një datë të pacaktuar, pasi Prokuroria ka nisur çështje penale për të.
Funksionimi
Tashmë e gjithë puna e institucionit ka rënë mbi 10 gjykatësit efektivë, të cilët u kanë dhënë përparësi masave të sigurisë, transferimit të çështjeve, kërkesave penale nga të burgosurit për transferime, rivendosje në afat dhe rigjykime të çështjeve, të cilave u kalojnë afatet e gjykimit. Përparësi u jepet edhe çështjeve që rikthehen me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa për sa i përket gjykimit në themel të çështjeve të tjera, ato shtyhen nga njëra datë në tjetrën dhe është e pamundur që ato të gjykohen të paktën edhe për muajt në vazhdim. Aktualisht në Kolegjet e Bashkuara janë bllokuar tri çështje, ndërsa gjyqtarë të kësaj gjykate, të kontaktuar dje pohuan se është fat që nuk janë paraqitur më shumë çështje të tilla. Toga të zeza të kësaj gjykate pohuan se dhënia e pëlqimit, ose e mospëlqimit sa më parë nga Kuvendi për pesë anëtarët e rinj të kësaj gjykate do të zhbllokonte sa më parë punën, pasi numri i dosjeve penale dhe civile në këtë gjykatë vjen duke u rritur, kurse në gjykim ndodhen ato që kanë mbërritur shumë kohë më parë. Mungesa në numrin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë kanë filluar të ndihen që nga viti 2005, kur përfunduan mandatet njëri pas tjetrit të gjykatësve Ylvi Myrtja, Vladimir Bineri dhe Vladimir Metani. Ish-presidenti Alfred Moisiu dekretoi atëherë Gjinovefa Gabën, por Parlamenti e rrëzoi kandidaturën e saj, duke dhënë mospëlqimin. Pas kësaj u shtuan edhe dy vendet e tjera, ndërsa gjykata vazhdoi të funksiononte me sforco e ndarë në dy kolegje pesë anëtarësh, një penal dhe një civil.
Mandatet
Kur ndodh që për arsye të ndryshme ndonjë prej gjyqtarëve paraqit konflikt interesi në gjykimin e ndonjë çështjeje, atëherë e vetmja rrugë që u mbetet gjykatësve është shtyrja e gjykimit për një datë tjetër, të pacaktuar. Sipas ligjeve në fuqi, mandati i anëtarëve të Gjykatës së Lartë fillon nga koha kur dekretohen prej kreut të shtetit dhe jo nga koha kur Kuvendi jep pëlqimin. Aktualisht mandati i pesë të dekretuarve javët e fundit nga Presidenti Topi: Kristaq Traja, Zamir Poda, Artan Zeneli, Medi Bici dhe Altina Xhoxhaj, llogaritet të ketë nisur që nga datat 12 dhe 22 maj, sipas dekreteve për secilin, dhe nëse Kuvendi i aprovon, atëherë mandatet e tyre përfundojnë pas 9 vitesh në të njëjtat data. Kurse për sa i përket çështjeve që janë kompetencë e Gjykatës së Lartë, numri i tyre llogaritet në 10 për qind të rekurseve në këtë institucion. Praktika aktuale e këtij institucioni tregon se rreth 90 për qind e çështjeve që mbërrijnë në Gjykatën e Lartë rrëzohen në Dhomën e Këshillimit të institucionit, pasi këshilltarët gjykojnë se dy Shkallët e Para nuk kanë kryer shkelje procedurash. Kështu që vendoset mospranimi i rekursit duke i detyruar palët të pranojnë vendimin, ose t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, në kërkim të plotësimit të pretendimeve të tyre.
kushtetuta
Neni 93
Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete.
Neni 136
1. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
2. Njëri nga anëtarët emërohet kryetar sipas procedurës së parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.
3. Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi...
Gjykata e Lartë
Në detyrë
Thimjo Kondi, kryetar, përfundon mandati më 6 qershor 2008, aktualisht nuk gjykon.
Gani Dizdari, anëtar, dekretuar më 15 qershor 2005.
Spiro Spiro, anëtar, dekretuar më 2 tetor 2001.
Perikli Zaharia, anëtar, dekretuar më 6 qershor 2000.
Irma Bala, anëtar, dekretuar më 9 prill 2001.
Evjeni Sinoimeri, anëtar, dekretuar më 2 maj 2001.
Besnik Imeraj, anëtar, dekretuar më 17 shkurt 2005.
Shpresa Beçaj, anëtar, dekretuar më 23 mars 2004.
Fatos Lulo, anëtar, dekretuar më 15 nëntor 2005.
Ardian Dvorani, anëtar, dekretuar 17 shkurt 2005.
Ardian Nuni, anëtar, dekretuar më 4 prill 2007.
Përfunduar mandati
Artan HOXHA, anëtar, përfunduar mandati më 21 maj 2008
Nikoleta KITA, anëtar, përfunduar mandati më 21 maj 2008
Agron A. LAMAJ, anëtar, përfunduar mandati më 21 maj 2008
Bllokuar nga Kuvendi
Kristaq Traja, dekretuar më 12 maj 2008
Zamir Poda, dekretuar më 12 maj 2008
Artan Zeneli, dekretuar më 12 maj 2008
Medi Bici, dekretuar më 22 maj 2008
Altina Xhoxhaj, dekretuar më 22 maj 2008
Debati Topi-Topalli në distancë për Gjykatën e Lartë
Kur pritej që dekretet e Presidentit Bamir Topi të kaloheshin me një procedurë rutine parlamentare, një hap i paparashikuar i kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli bëri që prej disa ditësh të nisë një debat në distancë mes këtyre dy institucioneve. Me pesë dekrete brenda 10 ditësh Presidenti Topi i dërgoi Kuvendit emrat e Kristaq Trajës, Zamir Podës, Artan Zenelit, Medi Becit dhe Altina Xhoxhajt për në Gjykatën e Lartë, por në ndryshim nga paraardhësi i tij, pa bërë asnjë konsultim paraprak me partitë politike. Pak ditë më parë, kryetari i PS-së, Edi Rama bëri publik faktin se kryetarja e Kuvendit i ka kërkuar më shumë informacion Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me këto figura, duke e quajtur këtë akt të Topallit si marrje të kompetencave të Presidentit. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Topit. Duke folur në emisionin “Opinion” ai tha se: “Këtu ka disa raporte kushtetuese të detyrueshme për t’u zbatuar, që përcaktojnë dhe funksionin ekskluziv të institucioneve. Presidenti ka detyrimin kushtetues që të dekretojë anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe këtë ia dërgon Kuvendit të Shqipërisë. Veprimi i parë në nenin 136 të Kushtetutës e detyron Parlamentin të japë pëlqimin ose jo”. Ndërkohë që, nuk vonoi as reagimi i kryetares së Kuvendit. Duke iu referuar vendimit të vitit 2005 të Kushtetueses, Topalli tha se: “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në thelbin e tij kërkon të shmangë situata në të cilat një institucion mund të propozojë pa pyetur, apo institucioni tjetër të miratojë apo të rrëzojë pa pyetur. Ky është thelbi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese”. Në të njëjtën kohë, Topalli i kërkoi Topit që këto dy institucione të bashkërendojnë punën për përzgjedhjen e kandidaturave. a.sh
Socialistët, mocion i tretë ndaj Topallit
Sot pritet të mblidhet kryesia e PS-së e pas saj edhe grupi parlamentar për të hartuar mocionin për shkarkimin e kryeparlamentares Topalli.
Aristir Lumezi
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, akuzoi Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se ka kthyer Kuvendin në një gjykatë speciale, duke marrë kompetencat e kryepro-kurores, presidentit dhe nënkryetares së PD-së. Braçe akuzoi edhe Kryeministrin Berisha se po fshihet për shkaktarët e Gërdecit, duke mos respektuar as ndarjen e pushteteve. Në një konferencë për mediat, nënkryetari i grupit socialist tha se, Topalli po bllokon hetimin për Gërdecin, duke hyrë në konflikt të hapur me kryeprokuroren Ina Rama, por dhe me Presidentit Topi pas vonesës në miratimin e 5 dekreteve për Gjykatën e Lartë. Nëse do të vendosin forumet e larta të selisë rozë propozimin e kryetarit socialist Edi Rama për mocion shkarkimi ndaj Topallit, ky do të jetë mocioni i tretë ndaj kryeparlamentares nga socialistët që prej shtatorit 2005, kur ajo mori drejtimin e Kuvendit. Dy mocionet e para për shkarkim, socialistët i kanë zhvilluar gjatë vitit 2006. Kërkesa e përsëritur e socialistëve për shkarkimin e Topallit është bazuar tek shkelja e rregullores së Kuvendit. Pas akuzave të socialistëve se ka marrë kompetencat e Prokurores së Përgjithshme, Topalli kërkoi konsensus me Presidentin për zgjidhjen e çështjes së dekreteve, ndërsa akuzoi Prokurorinë e Përgjithshme se ka fshehur prova për përfshirjen e Mediut në tragjedinë e 15 marsit në Gërdec. Ishte kryetari socialist, Edi Rama, i cili tri ditë më parë hodhi idenë e një mocioni shkarkimi për Jozefina Topallin në Kuvend. Rama e ka akuzuar Topallin se po merr kompetencat e kreut të shtetit. “Pasi i ka mbajtur këto emra në sirtar, duke shkelur rregulloren e Kuvendit, e cila dekreteve të Presidentit u jep përparësi në shqyrtim dhe duke vonuar jashtë çdo kufiri kohor të arsyeshëm, zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila praktikisht është bllokuar, zonja Topalli ka marrë kompetencat e kreut të shtetit dhe ka dhunuar personalitetin njerëzor e profesional të 5 njerëzve të ligjit që Kushtetuta i mbron nga veprime të tilla policeske”, u shpreh Rama. Në emër të PS-së, Rama i bëri thirrje Kryeministrit Sali Berisha të distancohet nga ky akt. “I bëjmë thirrje Berishës që të distancohet nga ky akt i pashembullt deformimi i funksionit të spikeres së Parlamentit dhe të kërkojë nisjen e menjëhershme të procedurave parlamentare për votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës”. Pas kreut socialist ishte dhe kryetarja e grupit kuvendor socialist Valentina Leskaj, që mbështeti propozimin e Ramës, duke folur në emër të deputetëve socialistë. Sipas Leskajt, “kryetarja e Kuvendit nuk ka reflektuar pas kritikave të opozitës se ka tejkaluar çdo kompetencë kur u ka dërguar për verifikim organeve të Ministrisë së Drejtësisë, policisë dhe Ministrisë së Brendshme emrat e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi”, duke shtuar se, “socialistët do kërkojnë mocion për shkarkimin e saj”. “Kushtetuta në nenin 136 të saj, ka përcaktuar se ‘Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit’. Dhënia e pëlqimit nuk do të thotë mbledhja e të dhënave për kandidatët, nuk do të thotë kërkim i provave të pafajësisë, nga kryetarja. Ky veprim i saj është në kundërshtim të hapur me ligjin”, u shpreh Leskaj.
PD: Nuk lëkundemi nga presioni për dekretet
Pavarësisht kërcënimit të PS-së me bojkot dhe deklaratave të presidentit se, i takon atij të propozojë emrat për Gjykatën e Lartë, Partia Demokratike duket e bindur në ndërmarrjen e saj për t’i shkuar deri në fund verifikimit të pesë emrave të propozuar për në Gjykatën e Lartë. Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi tha dje në një konferencë për shtyp se, maxhoranca është e sigurtë dhe nuk do të tërhiqet nga asnjë lloj presioni lidhur me këtë çështje. “Asnjë formë presioni nuk do ta lëkundë maxhorancën që të zbatojë frymën kushtetuese dhe vendimet interpretuese të Gjykatës Kushtetuese, në emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë”, u shpreh deputeti Bumçi gjatë një konference për shtyp. Duke e quajtur reagimin e PS-së si një sulm dhe revansh politik, Bumçi tha se: “Për t’i imponuar shumicës të shkelë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ne deklarojmë se kjo është një përpjekje sa primitive, aq edhe e dështuar, pasi e gjithë çështja bazohet në një terren juridik, kushtetues të sqaruar më së miri nga vendimi i Kushtetueses i 18 janarit 2005". Duke hyrë në aspektin teknik të kësaj çështje, deputeti i PD-së, njëherësh dhe anëtar i Komisionit të Ligjeve, Aldo Bumçi tha se një vendim i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2005, për interpretim të Kushtetutës i jep pikërisht kuvendit të drejtën për të verifikuar kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë. “Interpretimi, sipas të cilit emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese i përket në mënyrë ekskluzive një organi politik me natyrë individuale siç është kreu i shtetit, nuk do të ishte në pajtim me standardet e përcaktuara të fushës. Nga e drejta kushtetuese e krahasuar del gjithashtu se, emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë ose të asaj Kushtetuese duhet të dalë nga kooperimi institucional ose si një procedurë ekskluzivisht ose pothuajse parlamentare”, deklaroi Bumçi. a.sh