E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet klimaterike mund të risjellin sëmundjen malaries në vend

Specialistët parashikojnë se ndryshimet mund të sjellin sëmundje të rrezikshme. Ngrohja globale rrezikon Shqipërinë. Specialistët apelojnë për marrjen e masave

Emanuela Sako

Sëmundja vdekjeprurëse e malaries mund të gjejë terren të favorshëm në vendin tonë. Ndryshimet klimaterike që po ndodhin në botë, përfshirë edhe vendin tonë mund të rikthejnë sëmundje të rrezikshme për shëndetin e popullatës, si sëmundja e malaries. Specialistët shprehen se situata është kritike dhe duhen marrë masa të rrepta në të gjithë botën. Gjithçka u bë e ditur gjatë një takimi me përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë. Specialistët theksuan se kanë përpiluar një projekt që do të parandalonte sëmundjet infektive që shfaqen si pasojë e ndryshimeve të klimës, nga temperaturat e larta, ciklonet, tajfunet, tërmetet, apo nga dukuri të pazakonta atmosferike. Drejtori i shëndetit publik, në MSH, Gazmend Bejtja, theksoi se vendi ynë nga pozita gjeografike, është i rrezikuar ndaj sëmundjeve të tilla infektive.
Sëmundjet
Specialistët theksuan se situata është e vështirë dhe përhapja e sëmundjeve infektive mund të bëhet prezentë së shpejti. Bejtja theksoi se sëmundja e malaries mund të ripërsëritet në vendin tonë pas shumë dekadash, për shkak të rritjes së lartë të temperaturave. “Me rritjen e temperaturave brezi i malaries, mund të zhvendoset me ne veri. Pra, në qoftë se malaria sot shihet vetëm në Afrikë kryesisht, mund të shfaqet dhe në Europën jugore, në qoftë se ngrihet temperatura. Shqipëria për nga pozita gjeografike është një vend i cili është vunerabel. Pra, i prekshëm nga kërcënime të tilla. Është një vend që mund të preket dhe të vuajë pasoja nga rritjet e temperaturës, nga thatësira”,- theksoi Gazmend Bejtja. Drejtuesit e shëndetësisë sqarojnë se krahas sëmundjeve ekzistuese, të cilat njihen mund të shfaqen si pasojë e ndryshimeve klimaterike, dhe sëmundje të tjera të reja, të cilat janë të panjohura nga specialistët e shëndetësisë.
Ngrohja
Alarmi i ngrohjes globale që ka nisur në shumë vende të botes ka mbërritur edhe në Shqipëri, si një nga vendet me risk të lartë për shkak të shfrytëzimit pa kriter të pyjeve, rezervave ujore dhe rritjes së nivelit të dioksidit të karbonit në ajër për shkak të automjeteve. Ndryshimet klimaterike pritet të risjellin në vend shpërthim të epidemive nga sëmundje të rënda infektive dhe kancerogjene. Ministrja e Shëndetësisë theksoi se në bashkëpunim me OBSH-në ka nisur hartimi i një plani masash për të parandaluar disa nga ndryshimet klimaterike që mund të ndodhin në vendin tonë. Ndërsa, qeveria gjermane e mbështet Shqipërinë me një fond prej 1 milion euro vetëm për këtë nismë. Ministria e Shëndetësisë pritet që së shpejti t’i rekomandojë qeverisë marrjen e masave për ruajtjen e pyjeve, rezervave ujore apo uljen e ndotjes së ajrit nga automjetet. “ Tashmë ekzistojnë mjaft fakte që hedhin dritë mbi ndryshimet e klimës, shkaqet e mënyrën e shfaqjes së këtyre ndryshimeve, si edhe efektet e mundshme të tyre mbi veprimtarinë përditshme të njerëzve e sidomos mbi shëndetin e tyre. Pa dyshim, njeriu është kontribues në ndryshimin klimaterik. Shfrytëzimi pa kriter i pyjeve, i kullotave dhe tokave bujqësore, shfrytëzimi jo perspektiv i rezervave ujore, emisionet në atmosferë të gazeve që lidhen me djegien e lëndëve me origjinë fosilore, janë identifikuar si faktorë që janë lidhur me ndryshimet klimaterike”,- theksoi Ministrja Godo. Ministrja e Shëndetësisë, Godo, e cilësoi këtë aktivitet si dëshminë e angazhimit të Qeverisë Shqiptare për të ndërmarrë hapat e nevojshëm në kuadrin e përgatitjes së vendit, në përballimin e pasojave që lidhen me ndryshimet klimaterike dhe për modifikimin e veprimtarive njerëzore që lidhen direkt apo indirekt me ndryshimet klimaterike.

Vizitat gjatë fundjavave, koha kur specialisti është në punë

Vizitat mjekësore mund të kryhen edhe gjatë fundjavave, kur mendohet se specialistët janë në ditë pushimi. Por, sipas ligjit, një pjesë e specialistëve janë të detyruar të punojnë me orare të reduktuara gjat ditëve të pushimit. Qytetarët kanë mundësi t’u drejtohen spitaleve për të kryer vizita gjatë orës 9.00 të paradites deri në orën 11 e 30. Çdo turn gjatë ditëve të javës, përjashtuar ditën e shtunë dhe të diel, përfshin 30 minuta pushim, të cilat nuk përfshihen në kohën e punës. Në ditën e shtunë turni i parë për personelin e lartë, mjekësor dhe jomjekësor, do të jetë prej orës 9.00 deri në orën 11.30.
Orët shtesë të punës, të kryera nga personeli mjekësor e jomjekësor, me kërkesën e punëdhënësit, kompensohen me pushim të barabartë në kohë me orët shtesë të punës së kryer, plus 25 për qind më shumë. Për orët shtesë të punës së kryer, që nuk mund të kompensohen me pushim, jepet paga normale dhe një shtesë mbi pagë, sipas rregullave të parashikuara.

12 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›