Tumoret, rreth 4 mijë raste të reja në vit
Rreth 4 mijë persona preken çdo vit nga tumoret, çka shënon një shifër të lartë për numër popullsie. Faktorët kryesorë që ndikojnë në zhvillim e kancereve janë konsumimi i
alkoolit, duhanit, ndryshimi i stilit të jetesës, mbipesha, shtimi i ushqyerjes me mish, faktorët ambientale si ndotja e ambientit nga tymi i makinave, përdorimi i kimikateve në bujqësi, industri, ndërtim, ekspozimi i tepërt ndaj rrezatimit ultraviolet etj. Format më të shpeshta të shfaqjes së tumoreve janë, kanceri i mushkërive ( te meshkujt), kanceri i gjirit ( te femrat) dhe kanceri i zorrës së trashë, preken si meshkujt edhe
femrat. Ndërkohë që një vend të veçantë zë dhe sëmundja e diabetit, e cila prek rreth 35 për qind të shqiptarëve, duke vazhduar më pas me tumoret, që prekin një numër të madh personash, ku rreth 2500 veta vdesin çdo vit.
Qytetarët janë të rrezikuar nga një numër i madh sëmundjesh, por vendin e parë e zënë sëmundjet kardiovaskulare. Ndërsa vendin e dytë e zënë të sëmurët që vuajnë nga hipertensioni, diabeti apo tumoret. Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Rreth gjysma e vdekjeve të shqiptarëve çdo vit kanë në bazë një shkak të lidhur me sistemin e qarkullimit të gjakut. Të dhënat bëhen publike nga Ministria e Shëndetësisë, sipas së cilës, rreth 8 mijë persona në vit vdesin nga kjo sëmundje. Ritmet e rritjes së numrit të të prekurve nga sëmundjet kardiovaskulare është tepër i lartë. Specialistët bëjnë të ditur se kjo rritje vjen si pasojë e ndryshimeve moshore dhe të mënyrës së jetesës. Ndërsa rreth 700 mijë persona në vendin tonë vuajnë nga hipertensioni, duke e renditur këtë sëmundje ndër më shqetësueset. Sipas mjekëve specialistë, kjo shifër kap mbi 25-30 për qind të popullsisë. Kohët e fundit hipertensioni ka filluar të shfaqet edhe në moshat mbi 18 vjeç. Mjekët vlerësojnë se sëmundja e hipertensionit është një faktor shumë i rëndësishëm që shkakton sëmundje të zemrës, hemorragjitë cerebrale, dëmtime të veshkave.
12 Maj 2009